Fatos Cenaj, i cili u qëllua me disa plumba në kokë mëngjesin e së dielës në Itali, ka punuar për disa vite si gardian në paraburgimin e Beratit. Pasi e hoqën nga puna, ai u largua tek djemtë e tij në Itali.
58-vjeçari është kunati i ish-drejtorit të burgut të Beratit Arif Dervishi. Kur është pezulluar nga detyra, është shkarkuar edhe Dervishi, të cilët ishin emëruar nga LSI në atë kohë.
Në Itali jetonte në një provincë të Padovës. Të dhënat paraprake shprehin se ka qenë një konflikt i çastit në një lokal. Më pas e kanë zënë pritë në rrugë dhe e kanë goditur.
Cenaj ndërroi jetë një ditë më parë pasi ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin e Padovës. Ngjarja ndodhi më 8 qershor në mëngjes, në rrugën Casoni Basse. 58-vjeçari po udhëtonte me triciklin e tij për në punë, kur, vetëm disa kilometra larg shtëpisë, u qëllua me dy plumba pas kokës.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet por deri më tani nuk ka pasur dëshmitarë dhe nuk janë gjetur kamera sigurie që të ndihmojnë hetuesit. Detaji i vetëm i njohur është se vrasja ndodhi në një zonë bujqësore të Fontanivës, ku një kalimtar i cili po kalonte aty, pa një person të shtrirë në një kanal dhe mendoi se kishte patur një ndërlikim apo kishte rënë të fikët.