Hetimet për pistoletat e kapura ditën e sotme në portin e Durrësit do të kryhen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dyshohet se armët e zbuluara do të transportoheshin në funksion të veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal në Angli.
Rrezikshmëria që mbartin akte kriminale si trafiku ndërkombëtar i armëve, i mbetur në tentativë në këtë rast, si dhe zbulimi i aktivitetit të grupeve kriminale që veprojnë në Angli, do t’i transferojnë hetimet për këtë rast në Tiranë.
Strukturat e posaçme pritet të hetojnë në lidhje me trafikimin e armëve mbetur në tentativë dhe zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, duke nisur nga porositësit e mallit të ndaluar, blerësit, shitësit, transportuesit dhe për çfarë do të përdoreshin ato.
Edhe roli i transportuesit pritet të qartësohet më tej nga marrja në pyetje e shoferit të furgonit që është arrestuar nga policia.
Policia e Durrësit nuk ka dalë ende me një deklaratë në lidhje me ngjarjen.
Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi në Portin e Durrësit iu gjetën armë në furgonin me të cilin ai po lëvizte.
Policia në port ka ushtruar kontroll fizik në furgonin tip Mercedes Benz, dhe në bagazh është konstatuar një tavolinë rreth 1 metër e gjysmë e gjatë, e mbështjellë me letër transparente.
Në brendësi të tavolinës ndodheshin të fshehura 8 pistoletat dhe municion për to./m.j