Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur mbrëmjen e së hënës se situata aktuale në vend është një përpjekje e dobët e Beogradit për të zëvendësuar dialogun me destabilizimin.
“Jam dakord që nuk ka alternativë ndaj dialogut. Situata aktuale është një përpjekje e dobët e Beogradit për të zëvendësuar dialogun me destabilizimin. Ata do të dështojnë: Unë premtoj të punoj me NATO_KFOR për të garantuar siguri dhe sundim të ligjit, pa diskriminim në tërë Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.
Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti në takimin komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajorin Angelo Michele Ristuccia.
Sipas një komunikate të qeverisë, Kurti dhe ministri Sveçla falënderuan gjeneralmajorin Ristuccia për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht gjatë javëve të fundit, për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit.
“Në këtë takim u bisedua për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.”/m.j