Ambasadori i Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Gilad Erdan, kritikoi Këshillin e Sigurimit të hënën për faktin se nuk po dënon sulmin e Hamasit më 7 tetor brenda territorit të shtetit të tij.
Erdan dhe anëtarë të tjerë të trupit diplomatik izraelit vendosën në veshjet e tyre Yllin e verdhë të Davitit me mbishkrimin “Kurrë më”, për të shprehur kundërshtinë e tyre me veprimet e Këshillit të Sigurimit.
“Që nga kjo ditë, sa herë që të më shihni, do të kujtoni se çfarë do të thotë heshtja përballë së keqes. Njëlloj si prindërit e mi dhe gjyshërit e miliona hebrenjve, unë dhe ekipi im do të mbajë yje të verdhë”, tha ai.
“Do t’i mbajmë deri sa ju të dënoni mizoritë e Hamasit dhe të kërkoni lirimin e menjëhershëm të pengjeve tona. Do të ecim me yllin e verdhë si simbol të krenarisë sonë, një kujtesë se jemi betuar që të luftojmë për të mbrojtur veten”.
Simboli i yllit të verdhë është mbajtur përgjatë epokave të ndryshme nga hebrenjtë kudo ku kanë jeteuar, të detyruar nga sundimtarët e atyre vendeve. Ajo iu është imponuar si shenjë dalluese nga pjesa tjetër e popullsisë në periudha të ndryshme të kalifateve islamike, në Europën Mesjetare dhe së fundmi gjatë sundimit të Nazistëve në Gjermani para dhe gjatë Luftës II Botërore.
/a.r