Nga Skënder Minxhozi/
I ranë nga rrugë të ndryshme por e panë veten të dy në të njëjtën pikë: te kangjellat e Prokurorisë së Posaçme. Të martën Edi Rama dhe Sali Berisha u shanë e u copëtuan në distancë siç bëjnë çdo ditë të kalendarit politik. Veçse që të dy, duke përdorur fjalë e terma në dukje të kundërt e kontradiktorë mes tyre, thanë diçka në lidhje me SPAK që shumëkujt ju duk si një sinonim përfekt i të njëjtit koncept. I pari, kryeministri, u shpreh në esencë se tani SPAK ka mbetur vetëm pa amerikanët dhe se e vetmja garanci për egzistencën e tij është PS dhe ai vetë. Në anën tjetër Berisha qe më i drejtpërdrejtë. Doktori premton shkrirjen e SPAK sapo të vijë në pushtet.
Janë dy qajse në dukje të ndryshme, por që në thelb i bashkon një element i rëndësishëm i përbashkët: statuquoja ku SPAK përgjon, heton dhe fut në burg cilindo sipas qejfit dhe interesit, duhet të marrë fund. Është një reagim paralel që distancohet vetëm së jashtmi si pozicionim ndaj drejtësisë së re, por që i unifikon qëndrimet kur vjen puna tek urgjenca për ndërhyrje. Rama tha se tani garancia jam unë (kupto, nëse nuk dua, unë jua heq garancinë), Berisha tha se unë jam fundi juaj. Ngjajnë si dy pika uji në faktin që janë në thelb dy kërcënime. Njëri i fshehur nën një guackë çokollate, tjetri i ngopur në tretësirë acidi!
Ky qëndrim i ashpër dhe gjithnjë e më konvergjent, e ka një arsye madhore. Me kalimin e javëve e muajve po përvijohet gjithnjë e më qartë se drejtësia e re po nxjerr në pah disa defekte të cilat bien ndesh jo vetëm me të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, por po krijojnë një situatë surreale ku e gjithë ngrehina e drejtësisë dhe pse jo edhe e shtetit, ka frikë nga një prokurori e cila ka pushtete dukshëm më të forta sesa sinoret kushtetuese që lejon një demokraci liberale.
Në vakumin e lënë nga tërheqja amerikane, e cila shërbente si mburojë e palëvizshme për drejtësinë e re, duket se do të ketë zëra në rritje kundër standartit ligjor që ofrohet në punën e organeve të saj kryesore. Në rresht të parë, të Prokurorisë së Posaçme, e cila ka krijuar në dy vitet e fundit një profil agresiv hetimi dhe vënieje para drejtësisë të disa figurave qëndrore politike, duke shfaqur njëherësh edhe defektet e deformimet për mënyrën sesi po heton. Në këtë botë të re, ku në Shtëpinë e Bardhë është ulur një president tejet alergjik ndaj termave “prokuror” e “gjykatës”, nuk është aspak e rastit që Rama i kujton Dumanit se ka mbetur vetëm, kurse Berisha betohet se do ta shkrijë SPAK, pasi ka shtrënguar duart me Chris Lacivitën.
Arrestime si ai i Erion Veliajt, por më parë edhe arresti shtëpiak i Berishës apo arrestimi i shëmtuar i Ilir Metës, po preokupojnë, krahas kënaqësisë jo gjithmonë të pastër e korrekte të një shumice që kërkon ndëshkim të politikanëve me çdo kusht, edhe një grupim të heshtur për momentin qytetarësh, të cilët shohin me shqetësim se kjo drejtësi mbi rreshtat dhe jashtë çdo kontrolli, po kthehet gradualisht në abuzivizëm dhe arbitraritet.
Ky shqetësim momentalisht është i shtypur e i kompleksuar nga ilariteti i klakerëve që duartrokasin sa herë që cirku i drejtësisë bën ndonjë viktimë, pa u merakosur asfare se të drejtat e atyre që hetohen, gjykohen apo burgosen, janë një e mirë e vyer publike që përcakton në fakt sesa e përsosur, cilësore dhe e kujdesshme është demokracia në një vend normal.
Të fusësh në burg një politikan të profilit të Veliajt, i cili nuk është i pandehur por vetëm i hetuar, është diçka që kërcet edhe për më fanatikun e SPAK. Ky trajtim nuk i duhet rezervuar askujt që nuk ka vrarë apo nuk ka kryer një vepër penale në kushte flagrance. Hetoje, gjykoje e dënoje nëse ja del, por s’ke pse e linçon publikisht duke e bërë dosjen hetimore pretencë për gjyqet televizive dhe “drejtësinë” e pisët të rrjetit social. Erion Veliaj dhe e shoqja tashmë janë dënuar në kuptimin më konkret të fjalës. Janë bërë preja e një turme që kërkon të kalben në burg megjithëse as SPAK s’i ka marrë ende të pandehur e as gjykata s’i ka shpallur ende fajtorë. Ky linçim publik e ka zanafillën tek mënyra sesi SPAK ka trajtuar dosjen në fjalë.
Në këtë sens, takimi virtual i Ramës dhe Berishës tek kangjellat e SPAK shënon jo vetëm sinjalin se mburoja atlantike ka rënë, por edhe se koha ka ardhur që të ketë një reflektim serioz për punën, funksionimin dhe të drejtat e kompetencat e drejtësisë së re. Bazuar në çfarë ka ndodhur në vitet që kanë kaluar nga ajo verë e nxehtë e 2016 kur 140 deputetë inicuan një kompakt reforme, ku sot shohim sesi një prokuror merr nën përgjim gjykatësin që merr ndonjë vendim që atij s’i pëlqen, e plot deformime të tjera që dëmtojnë më së pari vetë drejtësinë e re dhe imazhin e saj tek shqiptarët.
Që të lënë në baltë amerikanët, këtë e pamë me afganistanin dhe afganasit që na i pruri USA në derë në Shëngjin ku nja 400 e kusur sojesh janë edhe sot e kësajë dite aty, të braktisur e në mëshirë të fatit nga po këta amerikanët e Dumanit.
Paradoks.
Edhe kjo reformë në drejtësi.
Ka shumë dritë hije, ka shumë pikë pyetje e pikë çuditëse.
Ndonjë tip Fatmir Xhafe, si autor (me hu pas qafe) i kësaje kodosh reforme në drejtësi, duhet të japë një sqarim shterues, në lidhje me gjithë këtë kaos juridik të krijuar në dhe për SPAK-un, me terma të lodhshëm dhe të koklavitur, ku çdo gjë lexohet si para ashtu dhe prapç në mënyra të ndryshme.
Por kësajë që po ndodhin në SPAK këto ditët e fundit, sidomos me Velinë, është mbushja e kupës duke krijuar derdhje jashtë duke e,bërë të pakthyeshëm ndeshkimin, që mendoj se nuk do të vonojë.
Arben Kraja, si shkodran i vjeter, ti shpjegojë prokuror Altin Dumanit, se çfarë kuptimi ka në Shkodër, shprehja “ Të dhjefsha Dumanin”….
Nuk është shprehje e dalë sot. Është në qarkullim, qysh se Shkodra mbahet mënd.
Por për Altin Dumanin, kjo shprehje sikur është e dedikuar.