Nga Ferdinand Dervishi
– Doktoreshë, më bën mua ai syri yt i majtë?
E paralizuar nga pyetja, që shoqërohej nga vështrimi i akullt i Altin Dardhës, okulistja më e njohur në qytet, zgjedh të heshtë. Për disa çaste tmerrësisht të zgjatura mendja e saj nuk e ndante dot nëse klienti e kishte me shaka apo seriozisht.
Altin Dardha duket e vuante së tepërmi humbjen e njërit sy. Por tashmë kohërat kishin ndryshuar. Atij i kishte ardhur radha. Tashmë ai nuk fshihej ferrave prej policisë. Tashmë ai ishte praktikisht Mbreti i Beratit.
Duket, në të tilla situata, mendjes njerëzore i shpëton ndonjë ëndërr drejt mundësisë së realizimit. Dhe, duket, kryeëndrra e lejuar e Altin Dardhës ishte që ai të kishte sërish syrin e humbur. Nuk është çudi që ai të ketë dëgjuar diku për transplantimin e kornesë. Nuk është çudi që dikush ti ketë thënë se duhej gjetur një dhurues.
Sigurisht që dhuruesin Altin Dardha do kërkonte ta gjente sipas mënyrës së vet. Ishin kohëra kur ai po kalonte nëpër duar “pjesë këmbimi” njerëzore me shumicë, që në këtë rast mund të hynin në punë. E gjitha kjo ka një bazë të vërtetë, pasi në Berat ka bollshëm dëshmi që thonë se ai u ndalte Cadillac-un te këmbët udhëtarëve të ndryshëm duke i parë në kokërr të syrit e duke i marrë në pyetje:
– Ore, ngjan ky syri yt me timin?
Ishte një sjellje, vijimin e së cilës, në këto kohëra, shumëkush ja linte imagjinatës. Një imagjinatë që u thoshte se Altini, me të gjetur njeriun që do të kishte sy të ngjashëm me të tijtë, do ta vriste dhe me majën e një thike do ja gërryente, me qëllim transplantimin. Kulmin historia e arrin kur Altin Dardha pyet, për ngjashmërinë e syrit, edhe okulisten tek e cila kryente vizitat periodike.
Edhe pse deri këtu gjithçka mund të ketë pasur për synim vetëm zbavitjen, historia thotë se Altin Dardha e ka vrarë një njeri për syrin e humbur. Ngjarja la shenjë në kohë më 8 qershor 1997.
Atë ditë spiunët e shumtë ja kishin bërë zgjimin herët. Në tregun e Beratit, kishin zbritur, që pa gdhirë, djemtë e atij fshatarit nga Plashniku, i cili dy vite më parë, në janar 1995, e kishte qëlluar me një armë gjahu duke e plagosur. Altin Dardha bëhet keq. Dy vëllezërit i gjen ende në treg, duke u munduar të shisnin ca perime të stinës. Gjatë muajve pa shtet të vitit 1997, uria detyroi shumëkënd të dilte nga “shtrofulla” për të siguruar jetesën, qoftë duke rrezikuar jetën.
Nën kërcënimin e kallashnikovit Altini i merr të dy vëllezërit në makinë dhe, pa u thënë asnjë fjalë, i çon në ullishtën përmbi varrezat e Burdulliasit. Këtu ai i zbret dhe u shpjegon përse i ka marrë. Në fund u thotë:
– Vetëm njëri nga ju do ta paguajë. Zgjidheni me njëri – tjetrin se cili do vazhdojë të jetojë.
Pak më tej, dy vëllezërit mblidhen kokë më kokë. Ata duhej të bënin një bisedë të fundit. Një bisedë nga ku duhet të dilte një vendim i vështirë. Një bisedë, rezultati i së cilës duhet të ishte vendimi i përbashkët për të dënuar me vdekje njërin prej tyre…
Për habi biseda mes të dyve nuk zgjat shumë. Mbase vetë rrethanat, Altin Dardha që u dukej nervoz në pritjen e tij, kishin diktuar marrjen e një vendimi të shpejtë. Vëllezërit kishin rënë dakord: duhet të jetonte ai më i vogli në moshë. Kështu edhe bëhet. Altini heq mënjanë dhe vret vetëm Pëllumb Çaushin, djalin 34-vjeçar të Gani Çaushit, fshatarit nga Plashniku, i cili dy vite më parë guxoi të qëllonte mbi grabitësit që nuk i njihte.
* * *
Ishin kohëra kur banditët e Beratit po e shijonin sa të mundnin dhe si të mundnin lirinë e munguar. Një nga zbavitjet e zakonshme rrëfehet qitja me pistoletë. Thuhet se në këtë lloj sporti Altini ishte i pathyeshëm. Por ndonjëherë sporti bëhej i rëndë. Sot e kësaj dite, në Berat, rrëfejnë se si në një rast, teksa i afroheshin Beratit me makinë, Altini dhe disa të tjerë, vënë re një plak të hipur mbi gomar, që ecte paralel me rrugën automobilistike. Banditët ndalen dhe vënë bast 50 mijë lekë (të rinj) për fituesin që do të rrëzonte plakun nga gomari duke e qëlluar me pistoletë.
Asokohe, banditët e Beratit, së shumti në duar kishin pistoleta të fuqishme, si TT sovjetike, por edhe pistoleta të prodhim- it perëndimor, që funksiononin me fishekë 9 mm. Pra, në largësinë ku gjendej plaku, nëse plumbi do e kapte, sigurisht që do i merrte jetën.
Altin Dardha dhe të tjerët e qëllojnë me radhë plakun, që zhvendosej ngadalë mbi gomar, pa e kuptuar se ishte shndërruar në tabelë qitjeje. Fatmirësisht asnjë nga plumbat nuk godet në shenjë. Dikush, durimhumbur, mbush kallashnikovin për ta rrëzuar, por një tjetër e ndalon duke i thënë se plaku meritonte respekt, sepse ishte jetëgjatë. Ashtu edhe bëhet. Kur plaku mbërrin rrugën automobilistike, një nga banditët del nga makina dhe, pa dhënë asnjë shpjegim, i rras në xhep 50 mijë lekë…/Pasazh nga libri “Altin Dardha”, i gazetarit të mirënjohur Ferdinand Dervishi
Po si mundet të bëhet një libër për një kriminel ordiner..?! Nuk e kam kuptuar kurrë këtë Ferdinand Dervishin dhe kur e dëgjoja një natë në TV që fliste për këtë libër.. Ai ishte thjeshtë një kapak kriminel që nuk bëri asgjë tjetër përveç se vrau disa njerëz. Sepse kapak ka qenë dhe Ali Pashë Tepelena, por u shkruan libra dhe biografi për atë sepse arriti majat e një posti politik për kohën. Kurse ky Altin Dardha, mori famë thjeshtë si kriminel ordiner dhe nuk bëri asgjë më tepër që të meritojë të flitet për të, dhe aq më keq të shkruhet dhe një libër.. Mund të kishte shumë figura të tjera Ferdinand Dervishi, por zgjodhi këtë pa lidhje komplet..