Nga Mimoza Dervishi
Fevziut iu desh shumë të gjente një moment të mirë të marrëdhënieve të Amerikës me Sali Berishën. Gërrmoi dhe na coi në vitin e largët 1992, periudhën kur amerikanët po përkrahnin fuqimisht, presidentin e parë të një vendi të sapo dalë nga komunizmi nga zgjedhjet e para të lira. Ishte koha, kur amerikanët nuk e njihnin Sali Berishën. Ishte koha, kur në Washington, Berishën e njihte vetëm Elez Biberaj.
Dhe kështu nisi rrugën edhe fatkeqësia jonë kombëtare e 30 viteve të fundit. Dorëzani i Berishës, Biberaj, edhe pas 30 vitesh, nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga berishizmi klasik. Turpërisht, Biberaj, i bëri shërbimin e fundit Berishës, kur u angazhua në fushatën elektorale, duke keqpërdorur dhe abuzuar me institucionin amerikan ku punon, i vetëdijshëm se në Tiranë, qëndrimet e tij personale do të trajtoheshin, si ato të shtetit amerikan. Sic edhe ndodhi.
Por, nuk vonoi dhe zëri i vërtetë i Amerikës, foli. Në 18 Maj, ambasadorja amerikane i tha Fevziut, se Biberaj nuk përfaqëson Amerikën, duke shtuar me habi dhe tallje, se ai përfaqëson vetëm veten. Në 19 Maj, sekretari amerikan i shtetit, nxorri shpalljen për Berishën si një person të padëshiruar për SHBA-në, të korruptuar dhe të dëmshëm për popullin shqiptar.
Dhe këtu mbyllet cikli 30 vjecar, jo vetëm i mëkatarit më të madh të Shqipërisë post komuniste, por mbyllet cikli i tërheqjes zvarrë të një kombi, që nuk ka parë një ditë të bardhë, për shkak se nuk ka mundur të ndëshkojë kurrë, ata që, pasi vrasin e presin, mbretërojnë të lirë.
Kori televiziv i mbrëmjes së 19 majit, 2021, ishte tejet i rënduar emocionalisht dhe psikologjikisht. Dhe me të drejtë! Shumë prej tyre, ende nuk e kanë marrë veten nga humbja e zgjedhjeve, s’dinë c’të bëjnë me Lulëzim Bashën, u ka humbur nga sytë Meta-trimi, Monika, ndoshta për herë të fundit, bredh pa kuptim rrugëve të LA, aty ku adoleshentët shkojnë të këndojnë dhe bëjnë prova për jetën.
Dhe tani së fundmi, u iku dhe Berisha, burimi i frymëzimit të tyre radikal. Nëpër studio dukej sikur po qanin xhenazenë dhe e gjitha vërtitej rreth traditës mortore, se për të vdekurin, nuk flitet keq. Por, kur nuk ke c’të thuash për mirë, brockullat rrjedhin lumë.
Dikush u përbetua, se vetë Sali Berisha, me dorën e vet, nuk ka marrë kokërr leku. Ishte i mirë i shkreti! Eshtë njësoj si të thuash, Enver Hoxha, me dorën e vet, nu ka vrarë asnjë njeri! U quajt gati krim pse disa socialistë u shprehën publikisht. Në fakt , kjo ishte dita, kur jo vetëm socialistët, por sidomos demokratët, duhet të kishin nisur festën. E kemi qarë njëherë si komb, me oi Enverin!
U shpreh habia pse tani ky vendim, u analizua përcart pse s’ka prova. Dhe si gjithmonë, nuk u fol për ato që të gjithë i dinë, i shohin, i kanë provuar. S’ka njeri që nuk e di në Shqipëri, që Berisha urdhëroi të vriteshin 4 protestues dhe më pas fshiu provat, që i biri bëri Gerdecin dhe babai kaloi gjithë vitet e pushtetit duke mbyllur cështjet e tij.
Dhe kur në rrugë e sipër i doli edhe Meta, duke ndarë hesapet në video, e mbylli dhe atë cështje. Askush s’i ka harruar, aferat e të bijës me fazllicërat, dhe është një gjeneratë e tërë akoma gjallë, që nuk mund të harrojë ’96-ën, ’97-ën, ’98-ën.
E megjithatë, ambasadorja amerikane i qetësoi të gjithë, kur deklaroi, që dosjet kanë shkuar në prokurori. Amerika foli, Shqipëria duhet të veprojë.
Për sa i përket kohës dhe pse tani ky vendim për Berishën, duhet kuptuar thelbi i drejtësisë amerikane. Nocioni kohë në Amerikë, kur vjen fjala për drejtësinë, nuk njeh kohë. Amerika është një shtet i ngritur mbi filozofinë se, nuk ka rëndësi se kush je dhe sa kohë kalon, drejtësisë nuk i shpëton dot kurrë. Prandaj kanë shtet!
Por për meraklinjtë e kohës, ka dhe një shpjegim tjetër. Tani, në këtë moment që flasim, SHBA-ja beson tek drejtësia shqiptare për të cilën ka investuar fuqishëm me paratë e taksapaguesve amerikanë, që në shumicë dërrmuese, nuk e kanë idenë ku bie Shqipëria në hartë. SHBA-ja po sheh dhe monitoron përditë frytet e punës së saj me peshq të të gjitha llojeve dhe peshkun e parë të madh, sapo ia dhanë shqiptarëve në tigan.
Dhjetë a njëzet vjet më parë, e dinin që Shqipëria e kishte te pamundur të ndëshkonte krijuesit e sistemit të plepave. Provat kanë qënë dhe janë aty, dhe shqiptarët vec fërkonin sytë si në ëndërr, kur u thuhej nga gjykatat, që zjarri që shkrumboi Gërdecin, është aksident industrial dhe kryeministri, as kunatin nuk e njeh; që duke shitur tanga në bllok bëhesh mënjëherë milioner; që kur futet krahu megjithë shpatull në kutitë e votimit, nuk quhet vjedhje; që kur vriten të pafajshëm, të paarmatosur, quhet vetëmbrojtje; që kur pjellat e hajdutëve në pushtet vrasin kohën “për studime” jashtë vendit, është mëse normale që banjot e shtëpive u mbeten maceve; që kur gjobit miliona euro cilindo që kërkon të bëjë një punë në Shqipëri, është taksa “legjitime” e pushtetit të babait; që kur zapton prona nga jugu ne veri, je gjithashtu në pronat a babait, pavarësisht se babai la një kasolle në Tropojë dhe kur i hyri politikës, kishte vetëm një apartament komunist në Tiranë. Provat ulërijnë nga të katra anët!
Të tronditurit nga mbështetja e Amerikës për Edi Ramën, dhe në përpjekje për të minimizuar rëndësinë e mandatës që erdhi nga Amerika, flasin për lobingje dhe teori konspirative. Eshtë e njejta metodë, që i bën të gjithë të korruptuar, të gjithë njëlloj. Jo, Amerika nuk është njëlloj.
Shteti amerikan nuk funksionon me para nën dorë. Në Amerikë nuk ka lobingje për të shpallur dikë të korruptuar, ose armik. Përndryshe, në listën e zezë, ku sapo hyri Bersiha, do ishte sot gjysma e botës. Këto nuk janë nga ato vendime, që shteti amerikan i merr shpejt dhe lehtë. Nuk është gjithashtu një ceshtje vizash, që berishët kanë kohë që s’i marrin.
Amerika e mbështet Edi Ramën. Arsyet janë të atij lloji, që nuk blihen me para. Shikoni raportet e Ramës me ambasadorët. Nuk do gjeni asnjë konflikt, si kur ishte në opozitë, si në pushtet. Pse? Sepse Rama, nuk ka asnjë konflikt, me atë që amerikanët duan, krijimin e një shteti serioz shqiptar.
Po, është vërtetë, amerikanët janë të lumtur sot, që më në fund kanë gjetur një partner në Shqipëri, me të cilin bien dakord në parime dhe në praktikë. Nuk është e vërtetë që ata mbështesin këdo që është në pushtet. Rasti që provon të kundërtën, është Berisha vetë. E kanë bërë dalje që në ’96-ën. Amerikanët janë të detyruar të punojnë me cdo lloj qeverie, por, ka një ndryshim thelbësor mes detyrimit dhe dëshirës.
19 Maji 2021, ështe një ditë e mirë për Shqipërinë, që më në fund po clirohet nga një njeri që e tërhoqi zvarrë dhe e coi në greminë në 1997-ën, dhe që prej asaj kohe, nuk ka pushuar asnjë ditë për ti bërë gropën sërish.
19 Maji 2021, është një ditë e mirë për lirinë e fjalës, ku i klasifikuari si armik i shtypit, më në fund mori atë që meritonte. Ky është një shpagim, për të gjithë ata gazetarë, që vitet e jetës dhe të punës, ja kushtuan përballjes me regjimin tiranik të Sali Berishës dhe cmimi që paguan, u ka ndryshuar jetën dhe në ndonjë rast, u ka marrë jetën.
S’ka pasur asgjë më dëshpëruese, kur shihje se ky njeri deri më sot, ja kishte hedhur me të gjitha, me vrasje, vjedhje, deformim institucionesh, devijim deri në tragjedi të rrugës normale që duhet të kishte ndjekur Shqiperia, dhe vazhdonte me gjithë pjellat dhe klanin e tij, pa i hyrë gjemb në këmbë.
Dhe s’ka asgjë më cliruese, të marrësh vesh se i erdhi fundi, nga ai lloj fundi, që atë biologjik, e bën të duket lule!