Ilir Meta sot bëri thirrje për t’u ngritur ndaj oligarkëve e shporrur nga pushteti, duke nënkuptuar largimin e Ramës dhe qeverisë së tij. Deklaratë kjo e bërë pikërisht në ditën e konferencës së Pezës, e cila për vetë historikun e saj në themel ka përbashkimin.
“Pezë do të thotë Shqipëria mbi të gjitha! Pezë do të thotë bashkim, kushtrim dhe qëndresë, pa dallim feje, krahine dhe ideje në mbrojtje të interesit kombëtar.
Mesazhet që përcjell edhe sot, pas 78 vitesh, Konferenca e Pezës janë më aktuale se kurrë për të lënë mënjanë ndasitë e interesat afatshkurtra, dhe për t’u bashkuar kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane”, shkruan Meta.
Ndërsa një ditë më parë Presidenti i Republikës ka kërkuar që mazhoranca të mbështesë opozitën për ekspertin e ODIHR për reformën zgjedhore, duke qënë në të njejtën “korsi” me dy partitë më të mëdha të opozitës PD-LSI për zvarritjen e procesit.
Dhe për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese për listat e hapura dhe koalicionet. Pasi me sa duket llogaritë u kanë dalë gabim!
Por Ilir Meta ka një marrëdhenie të vështirë me votën. Nuk e ka marrëdhënie normale të mbështetjes së alternativës së LSI apo të lidershipit të saj nga qytetarët, por thjeshtë një marrëdhënie financiare. Madje mund të cilësohet si “babai” i klientelizmit postkomunist.
Ish ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u keqkuptua në kohën kur deklaroi se ishte i habitur nga skema e shumëfishimit dhe përfitimit të votës nga ana e drejtuesve të LSI.
Deklarata e tij u kuptua si një vlerësim për skenarët e përdorur nga Meta dhe Monika Kryemadhi për të shumëfishuar votat, por në të vërtetë Arvizu ka shprehur habinë e tij se si një forcë politike e cila s’ka asnjë mbështetje e alternativë, prodhonte një rezultat të tillë befasues në fund të herës.
Skemën e përfitimit të votës nga ana e Metës dhe LSI e ka denoncuar fort dhe ish kryeministri dhe ish kryetari i PD Sali Berisha. I cili ndan një qëndrim të prerë për këtë fakt: Ilir Meta i blen votat përmes njerëzve të krimit dhe të oligarkëve. Pikërisht atyre që sulmoi Meta sot.
Aleati i sotëm i Ilir Metës, ish kryeministri Berisha ka marrë si “etalon” për të shpjeguar se si blihen votat në favor të LSI nga njerëzit e krimit, fitoren në zgjedhjet e vitit 2015 të bashkisë së Delvinës nga ana e përfaqësuesit të LSI. E cila nuk kishte asnjë mbështetje në këtë bashki!
Delvina mund të fitohej fare lehtë nga PD, PS dhe nga PDIU që përfaqëson komunitetin çam. Por në të vërtetë fitoi kandidati për kryetar bashkie i LSI, Rigers Balili.
Për dijeninë e atyre që nuk e dinë Rigers Balili, njeriu që drejtoi bashkinë e Delvinës për 4 vite me radhë, është djali i vëllait të Klemend Balilit, i dënuar për trafik droge dhe i mbiquajturi “Eskobari i Ballkanit” nga mediat greke.
Dhe Berisha sulmon pikërisht në pikën më të dobët të Ilir Metës, lidhjen me trafikantin e drogës Klemend Balili, duke i kujtuar ish kreut të LSI se në zgjedhjet për pushtetin vendor më 2015, pikërisht me paratë e drogës bleu bashkinë e Delvinës.
Arrestimi dhe dënimi i supertrafikantit të drogës Klemend Balili, ngritja e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, një investim i drejtëpërdrejtë i SHBA dhe BE, ka bërë që në momente të caktuara dhe miqtë më të mirë të shesin njëri tjetrin.
Aq më tepër që Berisha dhe Meta kanë qënë dhe janë mjeshtër të vërtetë në artin e “lehtë” por dhe të vështirë të “shitjes” në politikë!
Teka ishte krijuar ngërçi mes Presidencës dhe kryeministrisë për dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, Berisha u acarua shumë që Meta dekretoi Edi Ramën si kreun e diplomacisë.
Madje deklaroi se Ilir Meta u gjunjëzua nga presioni i Ramës duke e firmosur dekretimin e tij si Ministër i Jashtëm, gjunjëzim që ka ardhur sipas tij nga frika e dëshmive të Klemend Balilit të vetëdorëzuar në prokurori. Ndaj ish kryeministri Berisha vendosi të sulmojë Presidentin Meta.
Ai i ka kujtuar ish kreut të LSI se në zgjedhjet për pushtetin vendor të pranverës së vitit 2015, pikërisht me paratë e drogës bleu bashkinë e Delvinës.
Berisha që deri në atë kohë kishte deklaruar se Klemend Balili është i socialistëve, për herë të parë ia faturon Ilir Metës supertrafikantin e drogës në Ballkan, duke e akuzuar se bleu votat për nipin e tij kryetar bashkie në Delvinë, si përfaqësues direkt i LSI.
Përmes blerjes së votës, PD kaloi nga parti e parë në parti e katërt. Ish kryeministri akuzoi se Klement Balili ka paguar para dhe ka shpërndarë patenta, që nipi i tij, kandidati i LSI-së Rigers Balili, të fitonte Bashkinë e Delvinës.
“Ja pronat e Eskobarit të Ballkanit që avokati zyrtar dhe dy avoketërit e tij të Partise e nxorën mbrëmë të varfër! Qytetari dixhital denoncon: Pronat e Balilit dhe mashtrimin e tij dhe te tre avoketerve te tij se klienti i tyre nuk ka prona: Blerjen e votave me 3000 patenta nga Eskobari. Lexoni mesazhin e tij. sb
Doktor mirëmbrëma! Mbrëmë në darkë që po ndiqja emisionin e Blendi Fevziut që flitej për Klement Balilin nga tre avoketrit e tij se nuk ka prona në emrin e tij, të gjitha pronat që kanë qenë në emër të Klement Balilit dhe “Santa” dhe lokali që ka në Butrint, e shumë pasuri të tjera dëgjova dhe për zgjedhjet e 2015 që thuhej që doli forcë e parë në qytetin e Delvinës.
U shpërndanë lekë pa hesap nga vetë Klement Balili dhe 3000 patenta se Klement Balili qe drejtori i Transporteve në Sarande si përfaqësues i LSI dhe kështu humbi PD në Delvinë. Të lutem emrin anonim!”, shkruan Berisha në rrjetin social, teksa poston “qytetarin dixhital”.
Kështu akuzonte Ilir Metën më shumë se një vit më parë Sali Berisha, duke i kujtuar se votat i ka marrë duke i blerë me paratë e drogës. Rasti i Delvinës për të është ilustrimi më i mirë i lidhjes sipas tij të “baronëve të drogës me politikën”.
Nuk po përmendim shërbimet e ndërsjella me dhënien e mijëra hektarëve kullota në jug të vendit për Balilët nga ministri i Bujqësisë i LSI apo bashkëpunime të tjera deri tek dhënie dhuratë të banesave në Sarandë për eksponentët e LSI. Me këto merret SPAK, nëse guxon!
Ndërsa sot janë në të njejtën “llogore” kundër Edi Ramës. Madje dhe në lajmet që shpërndajnë vetë në median afër tyre, “paraqiten” si një binom i pandashëm në një qeverisje të mundshme të opozitës pas 25 prillit të vitit të ardhshëm. Janë vetëemëruar Meta kryeministër dhe Berisha president.
Ndërsa në mes kanë një akuzë për bashkëpunim me trafikantët më të mëdhenj të drogës për blerje votash, sot akuzojnë Edi Ramën se bashkëpunon me oligarkët dhe duhet larguar nga pushtet, duke bashkuar të gjithë forcat./M.Nikaj-TemA