• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, October 9, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Kumanova midis simbolikës të së shkuarës dhe sfidave të së tashmes

by Skënder Asani
04/08/2025 19:30
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kumanova është dëshmi se historia nuk është thjesht e shkuara, ajo është projekt që rishfaqet në forma të ndryshme, sa herë që mungon vullneti për ta mbyllur me drejtësi. Për shqiptarët, kjo është koha për të kaluar nga retorika në organizim, nga pasiviteti në veprim të matur dhe nga ndjeshmëria ndaj simbolikës, në ndërtimin e një arkitekture të re politike, e cila i jep fund ciklit të përsëritjeve

Prof.dr. Skënder ASANI

Në historinë e Ballkanit ka qytete që, më shumë sesa hapësira gjeografike, përfaqësojnë gjendje shpirtërore, momente të kthesës dhe projeksione afatgjata politike. Kumanova është një prej tyre. Nuk është thjesht një qytet në kufirin ndërmjet realiteteve etnike dhe politike është një kod simbolik, i mbushur me kujtesë, tensione dhe projeksione. Në tetorin e vitit 1912, ky qytet u shndërrua në skenën e një projekti gjeopolitik që synonte rikonfigurimin e rendit rajonal, përmes një paradigme të dhunshme, ku shqiptarët dhe komunitete të tjera u shtynë në margjinat e ekzistencës institucionale dhe historike.

Më shumë se një shekull më vonë, në një epokë kur duhej të dominonte fryma e barazisë dhe e bashkëjetesës demokratike, duket se në të njëjtat rrugë të këtij qyteti po zhvillohet një episod i ngjashëm, me mjete të tjera, por me qëllime të njohura. Fjalori i urrejtjes, retorika përjashtuese dhe mesazhet alarmante të dëgjuara në ambientet sportive të Kumanovës nuk mund të trajtohen si episode të izoluara. Ato përfaqësojnë simptomat e një kulture politike që është toleruar në heshtje, e që tani duket se po del në sipërfaqe me vetëbesim të rrezikshëm.

Gjatë një viti të qeverisjes së re, Kumanova është shndërruar në skenën ku janë mbajtur një sërë manifestimesh institucionale që, në vend se të promovonin bashkëjetesën, kanë amplifikuar simbolikën e botës serbe dhe narrativat e saj hegjemone. Kulmi i kësaj qasjeje u pa në manifestimin në Zebrënjak, ku në mënyrë të organizuar dhe zyrtare u ringjall simbolika triumfaliste e vitit 1912, përmes një diskursi që afirmon hegjemoninë dhe dominimin e një bote që e lexon historinë si justifikim për ekskluzionin e tjetrit. Parakalimi i figurave të larta politike, si Ivica Daçiq, në mënyrë demonstrative, bashkë me shumë ngjarje të tjera të ngjashme, nuk ishin veprime spontane, por pjesë e një mesazhi të drejtpërdrejtë politik që synon të bindë votuesin serb se projekti i “botës serbe” po realizohet me sukses edhe në nivel lokal. Në këtë kontekst, ngjarja e fundit në sallën sportive të Kumanovës nuk është e izoluar apo e rastësishme, por një akt i mirëkoordinuar, që synon të konsolidojë këtë narrativë përmes heshtjes së strukturave shtetërore të pranishme në vendngjarje. Kjo heshtje nuk është vetëm mungesë reagimi ajo është pjesë e kalkuluar e një strategjie legjitimimi të retorikës përjashtuese, që nga një manifestim i skajshëm po rrezikon të zë vend në qendrën e politikës institucionale.

Reagimi ose më saktë, mungesa e reagimit nga instancat më të larta shtetërore, përfshirë Kryeministrin, i cili zgjodhi të qëndrojë pasiv përballë një diskursi që minon themelet e bashkëjetesës, dërgon një sinjal politik të fortë: se gjuha përjashtuese nuk përbën më përjashtim nga normalja. Kjo heshtje e qëllimshme, e cila përsëritet në raste të tjera ku figurat publike artikulojnë qëndrime fyese ndaj shqiptarëve, shndërrohet në një politikë të tërthortë të legjitimitetit të përjashtimit.

Për më tepër, qeveria aktuale, e dalë nga zgjedhjet me një retorikë për rikthimin e shtetit, shumë shpejt e ka orientuar diskursin dhe veprimin e saj drejt ngushtimit të të drejtave të garantuara nga Marrëveshja e Ohrit, me tendenca të qarta për ripozicionim strategjik të vendit drejt boshtit BRIKS, duke sfiduar kësisoj orientimin euroatlantik që është ndërtuar përmes përpjekjes së përbashkët të të gjitha komuniteteve. Ky realitet nuk mund të lexohet jashtë një kuadri më të gjerë rajonal, ku projektet alternative ndaj Perëndimit po kërkojnë hapësira të reja ndikimi, shpesh përmes rehabilitimit të narracioneve të vjetra.

Ngjarja në Kumanovë, pra, nuk është një incident periferik, por një kujtesë e qartë historike. Në fund të viteve ’80, një ndeshje sportive u bë katalizator për shpërbërjen e Jugosllavisë, duke dëshmuar se sporti, në shoqëritë e polarizuara, rrallë është vetëm sport. Kur në tribuna artikulohen slogane me konotacione etnike, kur institucionet heshtin dhe kur heshtja ngatërron vendosmërinë me neutralitetin, krijohet një klimë ku polarizimi merr fuqi dhe bashkëjetesa dobësohet.

Në këtë kontekst, paralajmërimi i kryeministrit Hristijan Mickovski për mbështetje ndaj kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet lokale nuk mund të shkëputet nga pyetja e madhe që shtrohet: çfarë kërkohet në këmbim? Nëse kjo mbështetje do të përkthehet në kërkesë për heshtje, për nënshtrim apo për konformizëm, atëherë nuk kemi të bëjmë me një bashkëpunim të sinqertë, por me një pakt të heshtur për status quo-në, që nuk e sheh shqiptarësinë si partneritet, por si pengesë për një projekt tjetër politik.

Reagimet e subjekteve politike shqiptare, në vend që të ishin të sinkronizuara dhe të fuqishme, shpesh u paraqitën të fragmentuara dhe të zbehta, të përqendruara më shumë në menaxhimin e imazhit sesa në ndërtimin e një strategjie afatgjatë. Ajo që kërkohet sot nuk është vetëm reagim emocional apo deklarativ është nevoja për një platformë të qartë politike, për një vetëdije të re shqiptare që njeh historinë, lexon të tashmen dhe përgatit të ardhmen me mjete demokratike, institucionale dhe me partnerë të besueshëm.

Sepse sfidat e tanishme nuk mund të adresohen me logjikën e viktimizimit të përhershëm. Duhet kapërcyer paradigma e përgjigjes reaktive dhe ndërtuar një prani aktive, e cila nuk kërkon privilegje, por garanton barazi. Nuk mjafton më të dënohet një fjalë, një gjest apo një ngjarje duhet ndërtuar një kornizë që parandalon riciklimin e këtyre fenomeneve dhe garanton bashkëjetesë reale.

Kumanova është dëshmi se historia nuk është thjesht e shkuara, ajo është projekt që rishfaqet në forma të ndryshme, sa herë që mungon vullneti për ta mbyllur me drejtësi. Për shqiptarët, kjo është koha për të kaluar nga retorika në organizim, nga pasiviteti në veprim të matur dhe nga ndjeshmëria ndaj simbolikës, në ndërtimin e një arkitekture të re politike, e cila i jep fund ciklit të përsëritjeve.

Sepse e ardhmja nuk i përket atyre që kujtojnë të kaluarën si alibi, por atyre që e kuptojnë atë si mësim për të mos lejuar që e njëjta histori të shkruhet sërish me mjete të reja, por me pasoja të njëjta.

Shkup, 04 gusht 2025

 

 

 

 

Next Post
Tesla vë “bast miliardash” për të mos humbur Elon Musk

Tesla vë “bast miliardash” për të mos humbur Elon Musk

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Mes Diellës dhe Skënderbeut: politika virtuale dhe Shqipëria reale

“PROTESTA – Shënimet e një gazetari”

October 9, 2026
“Këta që kanë mbetur janë zogjtë e një klloçke plakë”, deputetja e PS: Protesta është e lidhur me Berishën

Sali, Shqipëria do të bëhet!

October 9, 2026
Tentuan t’i arratiseshin Policisë, prangoset çifti shqiptar në Selanik, iu gjenden kokainë dhe armë në makinë!

Tentuan t’i arratiseshin Policisë, prangoset çifti shqiptar në Selanik, iu gjenden kokainë dhe armë në makinë!

October 9, 2026
Një ditë para takimit me ministrat e drejtuesit politikë, Rama mbledh qeverinë

“Shqipëria mbyll kapitullin e katërt”- Integrimi dhe anëtarësimi në BE, reagon kryeministri Rama: Nis numërimi mbrapsht i kohës drejt objektivit historik

October 9, 2026
Operacion antidrogë në Janinë, 3 shqiptarët kapen duke trafikuar 36 kg marijuanë!

Operacion antidrogë në Janinë, 3 shqiptarët kapen duke trafikuar 36 kg marijuanë!

October 9, 2026
VIDEO/ Çmendet një person në Greqi, sulmon kryebashkiakun e Agrinjos në zyrë dhe kafshon punonjësin që tentoi ta ndalonte!

E rëndë në Greqi/ Ra nga skela teksa po punonte, humb jetën 49-vjeçari shqiptar në Selanik

October 9, 2026
FOTO+EMRI/ Shpërthimi tragjik i rafinerisë së naftës në Greqi, ky është shqiptari që humbi jetën në punë! Baba i dy fëmijëve të mitur

FOTO+EMRI/ Shpërthimi tragjik i rafinerisë së naftës në Greqi, ky është shqiptari që humbi jetën në punë! Baba i dy fëmijëve të mitur

October 9, 2026
VIDEO/ Aksident në aksin Pogradec-Lin, përplasen “kokë më kokë” dy automjete! Një person i plagosur dërgohet në spital

VIDEO/ Aksident në aksin Pogradec-Lin, përplasen “kokë më kokë” dy automjete! Një person i plagosur dërgohet në spital

October 9, 2026
Europa e të ardhmes, do ta çoj këtë me vete në Bruksel!

Europa e të ardhmes, do ta çoj këtë me vete në Bruksel!

October 9, 2026
Hita në Maqedoninë e Veriut, apel për zgjerimin e Task-Forcës rajonale kundër emigracionit: Bashkëpunimi është çelësi kundër krimit

Hita në Maqedoninë e Veriut, apel për zgjerimin e Task-Forcës rajonale kundër emigracionit: Bashkëpunimi është çelësi kundër krimit

October 9, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com