Nga Prof. Aleko Miho*
Nuk kam asgjë ndaj ndërtimit të kullave në Tiranë dhe kudo gjetkë. As ndaj ndërtuesve dhe pushtetarëve që lejojnë ndërtimin. Në Frankfurt dhe Tokio vite më parë kam hipur dhe vizituar me një farë kërshërie ndonjërën prej tyre, edhe më të larta se këto që po ndërtohen në qendër të Tiranës. Madje kam bindjen se shumë qytetarë të tjerë i shohin me admirim, apo dhe njëfarë krenarie për fuqinë e investimeve të tilla, për garën e pushtimit të hapësirës …
Kullat janë vërtet investime që nuk mund të mos tërheqin vëmendje, jo shumë për nga bukuria, se sa madhështia, fuqia inxhinerike dhe arkitekturore. Ato janë një shfrytëzim i mirë i hapësirës, investime që hedhin në treg sasi të madhe parash, hapin vende pune gjatë ndërtimit dhe më pas gjatë shfrytëzimit të tyre. Jo vetëm kullat e larta, por edhe ndërtimet e tjera të larta mes lagjeve, që nuk kanë të sosur në gjithë qytetet e vendit mirëpriten, duartrokiten si nga subjektet ndërtuese dhe nga vetë pronarët e trojeve. Të dy palët kanë përfitimet përkatëse të drejtpërdrejta, dhe jo të vogla … Me keqardhje e shohim se askush prej tyre nuk mendon për hapësirat e blerta që po pakësohen për ditë e më shumë, për cilësinë e ajrit apo të ujit që përkeqësohet për ditë!!!
Le të përpiqet sa të dojë Qeveria dhe Bashkitë të argumentojnë për vlerat pozitive të këtij sektori, ky urbanizimin pa fre’, pa plane urbanistike të mirëmenduara, qoftë për zonat urbane , apo për zonat e tjera, sidomos ato bregdetare, nuk mund të quhet kurrësesi një mënyrë e mënçur zhvillimi. Mjafton të sjell si shembull që falë këtij zhvillimi, qendra urbane e Tiranës në 20 vite ka humbur rreth 40% të hapësirave të blerta, e cila do të thotë 40% më pak CO2 të kapur, dhe 40% më pak O2 të çliruar në atmosferë për qytetin. Pa folur për zvogëlimin e shërbimeve të tjera që ofron ekosistemi i blertë urban, në pastrim ajri, zbutje zhurme dhe klime, çlodhje etj. Bashkia me të dhënat e saj thotë se Tirana është qytet i pastër, por nga një vlerësim i thjeshtë që ne kemi bërë vite më parë, pikërisht ajo zonë ku ka filluar të ndërtohet Mali i Tiranës, dhe ku lartohen gjithë kullat e tjera, ka parametrat më të ulëta për cilësinë e ajrit, për grimcat në ajër, për gazet helmuese, dhe zhurmat. Kuptohet që një kullë më shumë këtë nuk mund ta përmirësojë, por përkundrazi …
Është e vërtetë që qytete të tjera të zhvilluara kanë ndjekur një zhvillim të tillë në lartësi. Ndër të tjera, shumë nga këto qytete nuk dallohen për një cilësi të mirë të ajrit dhe jetë të shëndetshme për banorët e tyre … Por shumë nga këto qytete, para se të ndjekin një zhvillim të tillë, ndërtojnë gjithë infrastrukturën e nevojshme që e mbështet këtë; ndërtojnë më parë rrugët, sigurimin me ujë të pijshëm dhe kolektorët mes tyre; ndërtojnë hekurudhën, metrotë shumëkatëshe mbi- dhe nëntokë, e deri te nevojat e tjera urbanistike; zbatojnë rregulla që hapësirat e blerta të mos dëmtohen, por përkundrazi ato të shtohen; që ujërat e zeza të përpunohen; etj. Tirana ende është Kryeqytet pa një sistem rrugor dhe kolektorë ujërash fuksionalë; jo vetëm Tirana, por shumica e vendit përdor ende Ujin e Pijshëm të fuçive, mbi taracë apo poshtë pallateve; vendi nuk ka Hekurudhë, dhe Tirana nuk ka një stacion Treni; stacioni i dikurshëm u zëvendësua me një lokomotivë të ndryshkur që i bën karshillëk qytetit! Nuk e di kush do jetë ai Burrë që do ta sjellë sërish Trenin në Tiranë! Tirana nuk ka sot as një Stacion Autobuzash që të funksionojë si duhet. As që bëhet fjalë që Tirana të ketë një Metro, që t’i japë frymë trafikut marramendës, vrastar, në qytet.
I gjithë ky zhvillim i Çalë i ekonomisë sonë urbane ka pasojat e veta në mjedis, në cilësinë e jetës dhe në shëndet. Përveç ajrit të tejndotur, Tirana përshkohet nga lumenj që nuk kanë shok në vendet e rajonit për nga shkalla e ndotjes. Me keqardhje mund të them se ujërat bregdetare të zonës së Orikum-Radhimë po përkeqësohen gjithnjë e më tej. E njëjta situatë duket se është për ujërat në zonën e shtrirë urbane të Vlorës, Durrësit dhe Shëngjinit, apo me ujërat bregliqenorë në Pogradec. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, nuk mundet që kjo të mos ndodhë në pak vite edhe për ujërat e kristalta të bregdetit jonik, nga Palasa në Kasmil.
Unë do t’i ftoja investitorët, bashkë me pushtetarët e sotëm, por dhe qytetarët, që të përpiqemi për një zhvillim ndryshe për jetën tonë, sot dhe për të ardhmen e brezave. Nuk mundet që gjithë kursimet nga biznesi privat të kanalizohen drejt sektorit të ndërtimit me vend dhe pa vend, për përfitime thjesht personale, apo të një grupi të kufizuar të shoqërisë. Duket shumë qesharake vetëmburrja për zhvillimin e sotëm të vendit! Një copë vend si Shqipëria nuk ka nevojë të ketë 5 aeroporte! Një Hekurudhë moderne do mundësonte që të shkohesh në Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Selanik për pak orë. Një hekurudhë e shpejtë mund të përmbushte shumë mirë nevojat për lëvizjet në rajon, njerëz, mallra, turistë dhe nevojtarë të tjerë. Do të krijohesh vërtet një Rajon i hapur për Shqipërinë. Metroja në Tiranë do lehtësonte që në rrugët e qytetit të mos kishte kaq shumë lëvizje mbytëse. Pse jo Tirana dhe qytetet e tjera meritojnë të kenë stacione Autobuzash modernë. Tirana dhe qytetet e tjera meritojnë të kenë Ujësjellësa hermetikë që punojnë 24 orë, Impiante Trajtimi Ujërash dhe Djegësa funksionalë. Pse të mos investojmë në ngritjen e një sistemi Fidanishtesh në gjithë vendin, për gjelbërimin tepër të vonuar të vendit dhe për eksport. Pse të mos zhvillojmë Turizmin e thjeshtë Familjar në vend të një pseudoturizmi masiv? Pa folur për zhvillimin e prapambetur, thuajse të braktisur të Bujqësisë, Blegtorisë, Agrobiznesit etj. Duken utopi të gjitha këto, po kur dëgjojmë për 100 milionë euro një investim për një kullë, shumë nga këto zgjidhen. Çfarë kanë patur më shumë vendet e rajonit që këto i kanë zgjidhur me kohë?!
*Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: al********@fs**.al
Ne nju jork ka 500 kulla pse nuk i dergon nje leter ambasadores Amerikane dhe ti thuash pse nderuat 500 kulla dhe nuk ndertuat parqe do kishit 5 fishuar metrone me kaq para dhe ajri nuk do ishte kaq shum i ndotur.por ti te pengon vetem 1 kull qe behet ne Tirane.Amerika paguan miliona dollare median Shqiptare te na mbushi mendjen ne se Shqiperia duhet te jete pa kulla pa aerodrome (ai i Vlores) pa ushtri pa fabrika pa bujqesi.PO TE VAZHDOJE ASHTU AMERIKA DO TA HUMBAS SHQIPERINE.nuk kontrollohet populli Shqiptare sepse ju kontrolloni median ne flasim 3 gjuhe dhe marim informacione dhe nga shtete te tjera.jeni budallenj po te kujtoni se ne do bejme cfare thone kanalet Shqiptare