Nga Sokol Balla
Tirana ishte e shkretë mbrëmjen e të dielës në orët e vona. Para Kryeministrisë vetëm policë dhe makina të medias. Një vajzë që çan pa dashje rrethimin me biçikletë, policët shpejtojnë ta largojnë. Po ashtu edhe një çift mbi 50 vjeç. Por policët nuk shpëtojnë nga të sharat e zonjës bionde: “Përse i paguajmë taksat, që të mos të na lini të bëjmë xhiro me biçikletë në Bulevard”?
Në fakt sheshin të dielën pasdite e mori Opozita. Siç ka bërë që nga 16 shkurti. Policët kanë qenë të pafuqishëm të garantojnë jetë normale për qytetarët. Ata në këmbë në bulevard apo shoferë me makina në Astir. Policët janë të zënë. Me sigurinë e qeverisë, institucioneve dhe të protestuesve që i dhunojnë në çdo protestë.
Tirana ishte e zymtë të dielën në mbrëmje. Në rrugicat gjysëm të errëta të Bllokut shëtisin përzishëm protestues që i vidhen protestës, agjentë civilë, që i largohen sheshit me dëshirën më të madhe për të mos u kthyer më aty. Në sfond dëgjohen shashkat dhe në celular vijnë njoftimet për të lënduarit e parë. Policia në orën 23, e ka zyrtare shifrën: janë shtatë. Edhe protestat janë shtatë. Nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Të njëjtat fjalë, i njëjti skenar dhe i njëjti përfundim. Por Lulzim Basha thotë se herës tjetër do jetë ndryshe. Rreth orës 22, një njoftim i ambasadës britanike, e largon atë dhe mbështetësit e tij drejt Selisë Blu. Atje i njëjti fjalim, por me dy ndryshime thelbësore: duke kopjuar fjalë për fjalë një fjalim të Edi Ramës në të gdhirën e 22 janarit 2011, kur pasi Artan Hoxha transmetoi pamjet e vrasjes së Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, ai përdori fjalët Horr, për policët vrasës. Edhe Basha quan horra policët dhe Sandër Lleshajn. Policët e Lleshajt që ndryshe nga ata të Bashës ato ditë, nuk kanë qëlluar ende asnjëherë në këto pesë muaj. Bile dhe përleshjet trup me trup nuk kanë ndodhur asnjëherë. Një taktikë e re që ka shmangur viktimat. Por për Bashën të dielën ka të plagosur rëndë në kokë e trup te protestuesit. Mero Baze tek Tema, nuk ia kursen mërzinë në fytyrën e tij. Ai thotë se Basha është i mërzitur se nuk ka të vdekur. Ndërkohë mediat transmetojnë një protestues të plagosur nga fishekzjarret (“Keshtu, tha Lleshaj, “jane plagosur te gjithe”), por mediat pranë opozitës thonë se kanë prova për të kundërtën. Protestës në fund iu bashkua dhe Berisha. Eshtë i vetmi që qesh. Qesh pa fund dhe ngrë dy gishtat lart. Tek tuk i vijnë komplimentet nga protestues, që janë më pak se bodigardët që e shoqërojnë. Më të shumtët protestues, ndjekin Bashën.
Ndryshe nga Berisha, Basha duket që nuk ka humor të mjaftueshëm për t’u marrë me Të. Nga Selia Blu, në fund të protestës për herë të parë pa Monika Kryemadhin, ai lëshoi paralajmërimin se herës tjetër do flasë Sovrani. Tingëllon si kërcënim nga goja e njeriut dikur më të moderuar, më të dashur e të mikluar nga ndërkombëtarët. Të cilët sot i ka kundër, por që ende shpresojnë sadopak tek ai dhe arsyeja e tij. Arsye që reagon vetëm kur në celular i vijnë sms të rëndësishme. Ashtu si në mars kur në Oborrin e Selise blu u shfaqën për herë të parë shishet Molotov, por që atë ditë nuk u përdorën kurrë, nga një sms që erdhi nga Rruga e Elbasanit. Por u përdorën më vonë. Vetëm një herë. Të dielën ama pati vetëm shashka. Shashka dhe zhurmë. Si për të zbehur së paku tonin e zërit te Shtoltenbergut, shefit të NATO-s dhe deklaratës së tij të “tmerrshme”, që ngjan si kërcënimi më serioz ndaj aksionit të opozitës: ajo nuk mund t’i prishë zgjedhjet. Shtoltenberg që në minutë të fundit vendosi të përfshijë në agjendë edhe takimin me një përfaqesues të opozitës: Ilir Metën. I vetmi lider “opozitar” që foli të dielën për qetësi dhe për stabilitet dhe gruaja e tij që foli me mungesën e saj në protestë. (Ah po në mbrëmje foli dhe Petrit Vasili.) Mu direkt pas tij folën dhe amerikanët. Ndoshta rastësisht por fati nuk e ndihmon numrin dy të LSI këto kohë me ta. Vasili e quajti Ramën kriminel, ndërsa amerikanët protestën antidemokratike. Vasili thotë s’ka zgjedhje, por Shtoltenberg tha qe t’i mbajnë duart larg prej atyre ata që duan t’i prishin.
Por ata i kanë prishur tashmë. Opozita me bojkotin i ka kthyer zgjedhjet në 30 qershor në një referendum. Mes atyre që duan ruajtjen e statu kuosë dhe atyre që duan rrëmujë. Mes atyre që nuk duan Ramën, por duan Shqipërinë, një vend të qetë dhe pa trazira. Që duan Tiranën një qytet të qeshur dhe jo të bërë kaps nga protesta e mitingje pa fund. Ku ca hedhin shashka e të tjerë bëjnë sikur shpalosin programe. Më në fund edhe ndërkombëtarët janë dorëzuar tek e keqja më e vogël. Ashtu duken edhe shqiptarët. Basha kërcënoi të djelën se nuk flet më. Por në tre të mëngjesit niset për Berlin, atje ku do kërkojë sërish që gjermanët të flasin. Pikërisht me atë që ai thotë nuk do ta takojë e flasë: Edi Ramën. Arsyeja dhe jo logjika shtyjnë liderin (sa fjalë e madhe) të opozitës të kërkojë sërish e sërish e sërish atë që zemra nuk ia do kurrë: zgjidhjen politike të ëndrrës së tij: që t’i garantojë atij ardhjen në pushtet. Një ëndërr e pamundur që ia kërkoi Ramës në maj 2017, pastaj gjithë të tjerëve e përfundoi ta kërkojë edhe në rrugë. Deri tani pa sukses. Nuk ka patur numrat e mjaftueshëm, humorin e shqiptarëve dhe ndërkombëtarët me vete. Ndryshe do ta kishte bërë pa asnjë hezitim. Tashmë vetë demokratët e kanë të qartë se Edi Ramën më mirë të kishin pritur ta rrëzonin me vonë me votë. Tashmë edhe Sali Berisha që e gjen mënyrën të çojë përtej Oqeanit mesazhin se është i mërzitur me zgjedhjen e tij ereditare. Tashmë të shpëtojë ç‘të shpëtojë nga shtëpia dikur e madhe që ishte PD. Ambasadori Italian Cutillo, dikur mbrojtësi i tij më i flaktë, tashmë e tha publikisht: “Kriza erdhi nga opozita. Zgjidhja duhet të vijë nga brenda saj. Në vende me demokraci të konsoliduar këto zgjidhje vijnë nga demokracia e brendshme e partive. Por këtu tek ju…” Po Bashën çfarë mund ta shpëtojë vallë? Basha ik? Ndoshta dhe ajo do ishte një zgjidhje për PD, por jo për krizën ku është vendi. Dhe vendi duhet shpëtuar. Ndaj ndërkombëtarët duan zgjedhje, edhe në formë votimi të njëanshëm. Shqipëria nuk mund të rrezikohet. Shqipëria nuk mund të rrezikojë të tjerët.
Në orën 23 PD thotë se protesta e radhës do jetë në 8 qershor. Do jetë finale thotë Basha. Por thellë thellë dobësia e protestës është shpresa e vetme që dhe ai ka. Që të shpëtojë. Të shpëtojë nga presioni i atyre që e futën në këtë rrugë atë dhe vendin. Që në fund të thotë: “Nuk e bëra dot”.
Ashtu si te ai filmi i viteve 80, kur Beqir Aga kthehet si diversant tek ish shërbyesit e tij dhe kërkon të shpërndajnë trakte ku të thuhet: “populli është me ne”. Dhe i kërkon të vendosin zjarr në kullën e barit në qendër të fshatit. Ish shërbyesit besnikë që nuk shohin edhe ata komunistët me sy, e dinë ama se “popullin nuk e kanë me vete”. Dhe gruaja e shërbyesit (Drita Pelingu), që në mënyrë dramatike i afrohet kameras dhe thotë: “Jo Beqir Aga jo. Nuk jemi aq budallenj sa na pandeh ti. Kulla e barit, nuk do të digjet!” (Dhe këtu dalin titrat finale).
Ndërkohë në ora 11 të natës një ish deputet i PD Bardh Spahia përballet në spital me ministrin Lleshaj. Secili ka ardhur për të plagosurit e vet. Askush nuk flet për të plagosurit e shumtë shpirtërorë që e kanë ndjekur me ankth e pa dëshirë, këtë farsë dramatike për kullën e barit, por që asnjëri nuk ka as çelësat e saj të kashtës. Kështu do presim takimin “historik” te 8 qershorit. Edhe ata që ruajnë kullën e barit dhe ata që bëjnë sikur duan ta djegin atë. Ajo nuk do digjet dhe të dielën këtë e kuptuan të gjithë.
Basha tha një të vërtetë: ora po numëron mbrapsht. Se kujt do ta marrim vesh shpejt. Ai nuk përmendi më prishjen e zgjedhjeve. Kulla e barit nuk është e tij. Do t’i duhet sërish ta shohë nga larg për një kohë të gjatë. Ndoshta një ditë do ta ëndërrojë sërish. Por pas 30 qershorit ndoshta. Tani secili është në pozicione që nuk ndryshojnë. Edhe nëse duan. Edhe nëse në vend të fjalëve, më 8 qershor do hedhë sërish shishe Molotov. Si në 2017, Ai arriti sërish me sukses të zgjasë jetën e një qeverie që flinte prej dy vjetësh e zgjohej vetëm kur prokuroria sulmonte Saimir Tahirin. Kësaj radhe duke e lënë të fitojë vetëm një palë zgjedhje parodike. Për më keq për të, me bekimin e një koalicioni të ri. Jo pro Ramës, por kundër Tij. Ndërkombëtarët. Ata, pronarët e vërtetë të Kullës së barit./Realstory.al