Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zhvilloi një takim me mjekë dhe specialistë të Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor në Durrës, ku në fokus ishte problematikat e shëndetit mendor në të gjitha grupmoshat.
Përmes një reagimi në rrjetin e saj social, ministrja bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua edhe për nevojën e rivlerësimit të kritereve dhe protokolleve që ndiqen nga Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor për kategori të veçanta të personave që përballen me vështirësi të shëndetit mendor.
Sipas Spahiut, bashkëpunimi me profesionistët e fushës dhe përmirësimi i vazhdueshëm i praktikave të kujdesit janë thelbësore për ofrimin e shërbimeve të përshtatura me nevojat e çdo individi, duke garantuar më shumë mbështetje, përkujdesje dhe dinjitet.
“Shëndeti mendor, një prioritet që kërkon vëmendje dhe kujdes të vazhdueshëm! Me mjekë dhe specialistë të Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor në Durrës, diskutuam mbi problematikat e shëndetit mendor në të gjitha grupmoshat, si dhe mbi nevojën për rivlerësimin e kritereve dhe protokolleve të ndjekura nga QKSHM për kategori të veçanta të personave që përballen me vështirësi të shëndetit mendor.
Bashkëpunimi me profesionistët e fushës dhe përmirësimi i vazhdueshëm i praktikave të kujdesit janë thelbësore për të garantuar shërbime më të përshtatura me nevojat e çdo individi, me më shumë mbështetje, përkujdesje dhe dinjitet”, shkruan ministrja.

