Nga Mira Kazhani/
Me një xhiro në Facebook kupton se vala e këtyre ditëve/orëve është bërë e frikshme në këtë vend. Liderë, politikanë, stafe pranë tyre, gazetarë të shitur, të tjerë që janë shitur, por e mbajnë si faqe Facebook-u fals veten dhe moralin, të çajnë veshët me shqetësime për drejtshkrimin, për fustanin e Elvanës ose për pusetat dhe palmat idiote në autostradë më shumë sesa për Reformën në Drejtësi.
Nuk e bëjnë se janë të papërgatitur, përkundrazi, kemi të bëjmë me mjeshtra të zanatit. Ka një dorë të pacipësh në gazetari, por edhe fansa të tyre, që pandehin se me faqe anonime në Facebook mund të bëjnë sadopak për të çuar këtë vend në greminë.
Vetëm një Atdhe pa shtet, pa rregulla, pa ligje, pa institucione i jep kësaj dore mundësinë e një jete të qetë; atje kjo dorë është e sigurt ‘safe’ dhe në këtë pikë kanë shumë të drejtë që luftojnë me dhe pa brekë (edhe kur i kanë dhuratë). Janë tipa që pacipësinë e kanë kthyer në profesion.
Killera me pagesë, që po vrasin çdo ditë pak e nga pak mundësinë e vetme që ka Shqipëria për të qenë shtet; dhe shtetin e bën drejtësia nuk e bën as Edi Rama, as Ilir Meta, as Lul Basha, as Ben Blushi, as Saimiri me Ditmirin, as Lali Eri, as Majlinda me Mesilën dhe Mirelën, ç’ti thuash Koços që PD për të vrarë Edi Ramën punoi të vriste Koçon më parë dhe tani pas takimit pyetja lind.
– Është larë Koço apo qelbet PD-ja?! Unë që shkruaj kështu jo e jo, as nuk deliroj, as nuk shpresoj. Unë thjesht kam frikë! Kam të drejtë të kem, edhe shumë madje! Por mirëpres që këto rreshta të mi nxjerrin me talent nga konteksti dhe i kam në sy titujt dhe shakatorët komentues se si do keqinterpretojnë duke ngritur sulme dhe akuza: “U bë kjo… po këtë kush e sponsorizon këtë, ku e merr rrogën kjo …etj etj”.
Aq më bën! Frika juaj e ha të gjallë frikën time. Aq e madhe është e juaja, se veç një Shqipëri në kaos ju bën derman. Dhe po punoni fort e bindshëm për hir të së vërtetës!
Shqipëria nuk është assesi e të pacipëve e pacipave, e një pjese (aspak të sëmurë do thoja) të shoqërisë aktive, më shumë se gjithë pjesa tjetër që hesht. Janë ata që shkruajnë më shumë statuse kundër qeseve plastike sesa kundër Shullazëve dhe Balilëve, kundër padrejtësive të vogla e të mëdha nëpër media online, rrjetet sociale, fjalime në foltore dhe çadër.
Ata që janë të shqetësuar për botën e krimit, por që nuk e duan Reformën në Drejtësi duke nxjerrë yçkla herë pas here. Killerat e Vettingut si një bandë solidare janë rreshtuar duke sulmuar neveritshëm shpresën për shtet.
Të bëjnë edhe të qeshësh kur thonë që e votojnë, po ja ashtu kanë një punë. Si ai humori i Jul Dedës dikur në “Portokalli”, që linte takime nga qelia e burgut me të dashurën imagjinare dhe i thoshte që nuk shkonte në takim se kish punë!
Hallin e kanë vetëm tek drejtësia këta të Dorës. Jo se këta kanë këllqe të bëjnë krime që të kuptohemi, a korrupsion galopant, janë më keq se kaq: të varur në nevojë për mbijetesën me dhuratat dhe shpërblimet që marrin nga ata që nuk ju intereson një Shqipëri-shtet, që mund t’i plasë në burg si ketra të zënë në çark.
Nuk e duan një Shqipëri me rregulla europiane. Dhe normal që nuk shkruajnë direkt ata, për shembull imagjinoni që Emiljano Shullazi apo Klement Balili, (ka edhe shembuj të tjerë po meqë këta janë më të famshëm) të kujdeseshin për PR e tyre?! Ka plot që mund ta bëjnë këtë punë. (Unë njoh plot Liza në botën e çudirave që e bëjnë mirë!) Nuk do i bëjnë të gjitha punët vetë se ç‘u pa pastaj! Rritet edhe papunësia në vend. Këtë e kanë marr përsipër killerat e Vettingut, që i sheh në rrugë, në Parlament, në Qeveri, në media, në Facebook, në portale, në çadër, ku ta kenë…!
Pse kaq shumë shqetësim në shpirtin e këtyre që na shfaqen me atidudin se janë më të mirë sesa pjesa tjetër e shqiptarëve, më të lëçitur, më të përmbajtur, më modestë, këta që i dinë të gjitha dhe nuk kanë nevojë për atë drejtësinë e Edi Ramës, ngaqë nuk janë me Edi Ramën jo se nuk e duan drejtësinë teorikisht! Gjoja se nuk ju plas fare. Këta janë nga ata ketra që e provojnë me të gjithë dhe i jepen korierit më të parë. Në këto vite paraja e fituar lehtë, e dhënë për PR është moda e fundit e të pasuruarit pa punuar, sidomos në media.
Sot është e hënë dhe në mbrëmje pasi të keni lexuar këtë shkrim (nëse do e keni marrë mundimin) do më kujtoni kur të shihni si do rreshtohen të paktën mbi 30 burra në studio televizive, ndoshta dhe ndonjë e gjinisë time, po gjithmonë në pakicë! Çfarë do ndodhë nesër? Dikush mund të kujtohet se 11 Prilli është dita që vdiq Enveri, dhe marrin më shumë kohë me lidhjen a thua e la me qëllim Iliri këtë datë? A do ikin ministrat dhe zv/ministrat e tij nga qeveria?
Po Edi Rama ku do mbytet? Po Lul Basha ku do pijë ujë? Të gjitha palët kanë linjën e tyre. Thjesht do ju fryjnë kokën shqiptarëve, që kanë nevojë vetëm të jetojnë në hall të vet. Shumica as nuk ka shans t’i takojë ata që flasin në ekrane dhe rrjete sociale.
As nuk humbin dhe as fitojnë nga kjo. Shqiptarët fitojnë vetëm nga Reforma në Drejtësi. Për momentin drejtësia dhe shteti është për atë Dorën që përmenda më lart. Jo se e them unë, por edhe ata të Dorës e thonë vetë, ky vend koti që se bëri as Edi Rama. He pra, bëni presion që ky vend të mos varet nga kryeministrat plotësisht. Shihni Amerikën.
Atje ka fituar një President që erdh si gjysmë-fyerje për Amerikanët. Por siç edhe duket asgjë në dorë nuk ka një President, qoftë ai edhe amerikan, që të bëjë ç’të dojë me fatin e qytetarëve të tij, sepse në një vend ku sundon shteti, çdo politikan është shërbëtor në rastin më të mirë dhe jep llogari një ditë në rastin më të keq.
Po Shqipëria sot është një vend i shprishur. Nuk ka më gjatë këtyre kohëve as burra, as gra, as miq madje as armiq. Këta të fundit nuk dihet si e kanë fytyrën.
Por e kam një ide; të gjithë kanë fytyrën e Anti-vettingut ose kundër Shqipërisë (kush ka lexuar Ismail Kadare veprën “Mosmarrëveshja” e kupton). Kjo është fija që i bashkon të gjithë servilët, lëpirësit, nevojtarët, të kapurit, sofistët e lulishteve, ajo “Dora” në përgjithësi.
Kush është Anti-vetting do kuptohet nesër në Parlament dhe kush e do një shans vërtetë për Shqipërinë, jo për partinë, as për LSI-në, jo për Rilindjen dhe Libran dhe gjithë vëllazërinë brenda dhe jashtë Çadrës.
Nuk themi bëjeni për fëmijët tuaj, se në qoftë kështu Gremina Country, as atyre gjemb në këmbë nuk do ju hyjë edhe 50 vjet më vonë. Reforma në Drejtësi është për jetën e një shqiptari normal, që jeton në Shtoj të ri në Shkodër, në Selenicë të Vlorës, tek Ali Demi, tek rruga e Durrësit. Për shqiptarët që marrin një rrogë, me të cilën nuk dinë ç’të blejnë më parë.
… Ah si the ti atje? -Po mua kush qelbësirë më pagoi ta bëj këtë shkrim?
– Atëherë që ta dish: nuk ka të paguar urrejtja dhe forca e anti-vettingasve. Për asnjë çmim nuk do e shkruaja se kam frikë nga komentet e “Dorës”. E bëra se jam ende pak e çmendur!
Në fund po e mbyll me një histori të bukur:
Një mik imi shkoi tek një Psikoterapist. Kishte ankth, mendime të çuditshme dhe se kish filluar të besonte se ishte i çmendur. Ishte gati të kurohej për këtë dhe i tha me lutje: “Doktor jam çmendur, dua të shërohem”.
Doktori ju përgjigj: “I dashur X, Shqipërinë vetëm i çmendur mund ta përballosh. Mos u shëro!”