Nga Besnik Bakiu
Muaji që sapo lamë pas duket se ishte më i mbrapshti në dhjetëvjeçarët e fundit për imigrantët që humbën jetën në thellësinë e ujrave të detit Mesdhe. Numrat janë aq të frikshëm, sa të vjen të ulërish, kur mëson për mijëra jetë të humbura. “Kaq shumë të vdekur dhe bota vetëm ri e shikon.” Pas tragjedive, tronditja fillestare ia lë vendin premtimeve klishe, pastaj vjen harresa, ushqyer nga mungesa e homazheve zyrtare dhe pamundësia për të mbajtur zi për jetët e humbura. Gjithçka i kthehet rutinës, indiferenca bëhet vrastare, duke marrë formën e pandjeshmërisë së qytetërimit.
Kjo bëhet edhe më e rendë kur konstaton se sot vlera e jetëve njerëzore qenka variabël i pasurisë që posedojnë viktimat. Për fat të keq, edhe këtë radhë ndodhi njëlloj. Kush ishte i pasur u përfill, të varfërit u mbytën në detin indiferencës. Mediat e bombarduan opinionin publik botëror jo me tragjedinë e 700 refugjatëve të mjerë, që humbën jetët në brigjet e Greqisë, por me fatkeqësinë e mbytjes së 5 personave kureshtarë për të parë mbetjet e “Titanikut”. A mos vallë nuk ishin të mjaftueshme kaq shumë viktima, për të merituar vëmendje mediatike? Cila ishte kureshtja e tyre? Ironi më vete përbën fakti se fjala “titan” vjen nga mitologjia greke dhe refugjatët kishin “kureshtje” të shihnin jo “Titanikun” e mbytur, por “titanen Europë”, që po mbytet nën peshën e indiferencës së vet. Ndaj me të drejtë ish Presidenti Obama e quajti këtë “hipokrizinë e medias perëndimore”.
Kur ndryshoi media!? Kujtoj vitin 2015, kur fotografia e trupit të pajetë të Alan Kurdit 2-vjeçar, që dergjej në brigjet turke, u shfaq si titull kryesor. “Kurrë më!” thirri media ndërkombëtare e indinjuar, pasi Kurdi dhe familja e tij siriane u mbytën në përpjekje për të ardhur në Evropë, për t’i shpëtuar tmerreve të luftës në vendin e tyre. Kurrë më, por tragjeditë vazhdojnë!
Këtë pandjeshmëri nuk e amniston as deklarata postragjedi e Kancelarit gjerman Olaf Scholz, kur u shpreh: “Mësuam për aksidentin dhe vdekjen e kaq shumë njerëzve që u mbytën në Mesdhe. Kjo është e trishtueshme. Ngjarja na bën thirrje edhe një herë që të bëjmë gjithçka në mënyrë që njerëzit të mos zgjedhin këtë rrugë të rrezikshme dhe ta arrijmë këtë përmes zhvillimit në Evropë të një sistemi të përbashkët dhe solidariteti për menaxhimin e situatës së refugjatëve”. Të paktën fjala “aksident” të mos ishte përdorur dhe as fjala “trishtim”, pasi ishte kuje, gjëmë jo vetëm për mbytjen e tyre, por për fundosjen e vlerave humane të njerëzimit.
Kësaj pandjeshmërie po u vë përballë, reagimin e mikut tim poetit, shkrimtarit dhe studiuesit të shquar Arian Lekës, i cili në librin “Hartë memece për të mbyturit” e ka përfytyruar Mesdheun si një varrezë detare dhe një kamp përqendrimi, një Auschwitz të këtij qytetërimi, ku viktimat nuk janë më hebrenjtë, por të pashpresët dhe të varfrit, siç e ka cilësuar kritika evropiane këtë vepër. Pra, nuk paskemi të bëjmë me raste të shkëputura, siç duan ta paraqesin disa, por me një “industri të vdekjes”, pasi ky imigracion ka teknologjinë e tij të mirëllogaritur dhe është kthyer në një destinacion të kohës së sotme. Ndaj në shekullin e XXI, deti Mesdhe, nga Mare Nostrum u shndërrua në Mare Mortum dhe Mare Monstrum. Këtë det prej nga lindën qytetërimet, kultura dhe besimet themeluese të vlerave evropiane, sot “vendet e BE-së e kanë kthyer në varrezë emigrantësh” – si e cilësoj Presidenti turk Z.Erdogan. Numri i imigrantëve, që kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të arritur në Evropë nga vitit 2014 është më shumë se 20.000 viktima, sipas António Vitorino-s, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare për Migracion.
Pyetjes se kush janë këta njerëz që rrezikojnë jetën ja ka dhënë përgjigjen burri i shtetit Kofi Annan, në Parlamentin Europian gjatë marrjes të çmimit Andrei Sakharov për lirinë e mendimit: “Shumica dërrmuese e emigranteve janë punetorë, kurajozë dhe të vendosur. Ata nuk duan të përrfitojne nga askush. Ata duan nje mundesi të drejtë. Ata nuk janë kriminele apo terroristë. Ata i binden ligjit. Ata nuk duan të jetojnë të veçuar. Ata duan të integrohen, duke e ruajtur identitetin e tyre “.
Ndërkohë që institucionet dhe shtetet e BE-së fajësojnë njëri-tjetrin, numri i mbytjeve të refugjatëve dhe migrantëve në Detin Mesdhe nuk bie. Por më i rëndë se vetë morti është reagimi i teknokracisë europiane (Amnesty International flet për “dështimin e politikave të Bashkimit Evropian”), që vazhdon me ngritjen e mureve e gardheve mijëra kilometra të gjatë, duke propozuar ndarjen si zgjidhje.
Ka shumë demagogji dhe plane veprimi (zëvendëspresidenti i KE-së Margaritis Schinas deklaroi se ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së kanë propozuar 20 plane veprimi për zgjidhje të qëndrueshme ndaj krizës së emigrantëve të parregullt në Mesdhe). Hartohen e miratohen Pakte të reja për Migrimin dhe Azilin, si Plani i Veprimit 2021-2025 i BE kundër kontrabandimit të migrantëve, i cili fokusohet në punën e përbashkët të EUROPOL, FRONTEX, EUROJUST, CEPOL etj, por me gjithë këto, emigrantët dhe refugjatët vazhdojnë të mbyten në Mare Nostrum (Detin Tonë).
Nga ana tjetër BE-ja mendon se fondet janë zgjidhja, ndaj nuk heziton të investojë shuma të mëdha për të frenuar flukset migratore. Ja faktet: 6.7 miliardë EU ka caktuar Komisioni për menaxhimin e kufijve nga viti 2021 deri në vitin 2027, por një pjesë e konsiderueshme e këtij buxheti shkon për pagesa për të ndërtuar muret e çelikut me tela me gjemba, për të siguruar kufijtë apo ngritur kampe ku strehohen këta fatkeq.
Komisionerja për Çështjet e Brendshme të BE, Ylva Johansson, u tha gazetarëve në Bruksel se “…trafikantët që i vendosën këta njerëz në këto varka nuk po i dërgojnë në Evropë, po i dërgojnë në vdekje. Është absolutisht e nevojshme të parandalohet kjo”. Po a janë fondet zgjidhja? A u pengua trafikimi në det? A ka më pak viktima?
Oponencën e kësaj politike burokrate e bëri Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët Filippo Grandi, kur u shpeh se “…shpëtimi i jetës njerëzore në det nuk është një opsion, jo një çështje politike, por një detyrim i përjetshëm” dhe se “…ne mund t’i japim fund këtyre tragjedive duke treguar guximin dhe vizionin që ne duhet të shikojmë më tej nga anija tjetër dhe nëse ne miratojmë një qasje afatgjatë të bazuar në bashkëpunimin rajonal me thelbin e jetës dhe dinjitetit njerëzor”.
Herë pas here ka edhe ndonjë politikan europian që propozon “strategji vetëmbrojtëse”! Vetëmbrojtje e të qytetëruarve ndaj barbarëve… Ku janë vlerat evropiane në qytetërimin global? Ku është modeli human, modeli social, përgjegjësia ndaj sfidave të mëdha? A u harrua historia, që tregon se në Evropë ka shtete që ishin më parë eksportues të emigracionit masiv e sot refuzojnë të pranojnë emigrant? Në fund të fundit cilët qekan këta “armiq” të rinj që po sulmojnë Evropën e ndërtuar në principet e solidaritetit, respektit për të drejtat e njeriut dhe dinjitetit njerëzor?
I shohim çdo ditë në ekranet e televizioneve këta “armiq”, turma njerëzish të dëshpëruar, të mjerë dhe pashpresë që luftojnë me dallgët vetëm e vetëm për t’iu larguar luftës, urisë, mjerimit, varfërisë, kaosit apo tragjizmit të vrasjeve të civilëve në vendet e tyre, për të cilat edhe Evropa me politikat e saj është përgjegjëse, ndërkohë që e sheh nga ekrani tragjedinë njëlloj siç dikur patricët ndiqnin shfaqjet nga shkallët e amfiteatrit në Romë.
Vetëmbrojtje e evropianëve nga..!? Prej vandalëve afrikanë, ballkanas, aziatikë!? Përveçse absurd, në kuadrin e globalizimit, ky qëndrim është edhe racist. Ndaj, me të dëgjuar këtë “vetëmbrojtje”, ne shqiptarëve na rivjen në kujtesë viti i mbrapshtë 1997. Na kujtohen bashkatdhetarët tanë, të cilët udhëtonin drejt Italisë së shpresave, L’Italia dei sogni me “Katrin e Radës”. Shpërblimi dihet: u goditën nga luftanija italiane “Sibila” dhe u mbytën.
Vetë Evropa dhe Bota e zhvilluar (e grupuar në G 7 apo G 20) janë përgjegjëse për thellimin e pabarazisë ekonomike mes Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës, veçanërisht të një kontinenti si Afrika, apo të gadishullit të Ballkanit. Kush tjetër veç “fuqive të mëdha” mund të jetë përgjegjëse, por edhe zgjidhësi i problemeve për konfliktet në Siri, Eritrea, Sudan, Ugandë, Etiopi, Irak, etj apo paqëndrueshmërinë në Libi, Afganistan, nga ku janë flukset më të larta të imigrantëve në kërkim të zonave më të sigurta? Janë përgjegjëse për indiferencën, madje për mbështetjen (në disa raste), që i kanë dhënë me paratë e ndihmave t¸ zhvillimit regjimeve diktatoriale në fillimet e tyre.
Por alarmet e organizatave së të drejtave të njeriut, mbi tragjeditë në dyert e Evropës, kanë ranë në veshët e shurdhër të zyrtarëve të BE-së, ndaj fatkeqësitë nuk kanë të ndalur. Numri i viktimave veçse rritet sa mund të thuhet pa e tepruar se “një shtet i madh viktimash joevropiane tani gjendet i mbytur nën det…” Me të drejtë ngihen pyetje-akuzë: “Çfarë duhet të ndodhë më shumë se kaq, që BE të ndryshojë politikën e vet të emigracionit dhe të refugjatëve? Sa jetë njerëzish duhet të humbasin ende në ujërat e Mesdheut, që politikanët evropianë të vihen n¸ lëvizje dhe të japin zgjidhje? Edhe sa ceremoni të përmortshme duhet të zhvillohen, derisa burokracia e Brukselit të reagojë?
Pas tragjedisë së re n¸ Mesdhe (qoftë e fundit), ngushëllimet e politikanëve evropianë tingëllojnë fyese, me fjalë të zbrazura nga ndjenja dhe kuptimet, që na tregojnë se jeta njerëzore për ta jeta e njerëzve që mbyten në det e që quhen refugjatë nuk ka të njëjtën vlerë me jetën e njerëzve nga “Evropa e bardhë”.
Çfarë bën Evropa (që të mos mendojmë kështu për të) për ta përballuar këtë situatë? Njerëzve u ka ardhur në majtë të hundës nga varfëria, lufta dhe kaosi politik, por Evropa e qytetruar vetëm shikon dhe konstaton. Konstaton lehtësisht edhe mbi një pabarazi në shpërndarjen e imigrantëve, në 28 vendet anëtare të BE-së, pasi mbingarkesa (quhet mbingarkesa, si të bëhej fjalë për mall) i është lënë mbi supe vetëm 3 vendeve të saj, Italisë, Spanjës dhe Greqisë dhe një vendi joanëtar si Turqia, të cilët janë edhe shtetet që gjeografikisht janë në linjën e parë.
Gjeografia e imigrimit dëshmon se takimi i parë me Evropën perëndimore i anijeve të mbingarkuara rrezikshëm, është në periferi të kontinentit. Janë ishujt e Mesdheut, Lampedusa dhe Malta, për ata që lundrojnë nga Afrika si dhe Greqia me Turqinë për ata që lundrojnë nga Pakistani, Afganistani, Siria e Iraku.
Teknikisht, shtetet anëtarë këtë e kanë të legalizuar me Marrëveshjen e Schengen-it, e cila përcakton përgjegjësinë e shteteve bregdetare. Po ashtu edhe Rregullorja e Dublinit thotë se vendet e para të BE-së, ku arrin imigranti, që i ka dhënë gjurmët e gishtërinjve ose e ka bërë një kërkesë për azil, janë përgjegjëse për kërkesën për azil.
Kushtëzimi se refugjatët që synojnë të drejtën e azilit duhet të aplikojnë në shtetin hyrës, ka shkaktuar vazhdimisht një fluks të lartë për vendet në kufirin evropian. Flukset e mëdha të emigrantëve janë të papërballueshme, për vende si Italia, Greqia dhe Spanja, të cilat sakrifikohen për vendet e tjera të BE-së. Shtetet anëtare refuzojnë gjithashtu një rishikim të këtij sistemi, për të mundësuar apo garantuar shpërndarje të drejtë të azilkërkuesve në të gjitha vendet e BE-së.
Por, kjo tragjedi, duket sikur më së fundi e ka rizgjuar Evropën drejt parimeve mbi të cilat ajo është ngritur, pasi përtej deklaratave rutinë gjithë keqardhje mbi tragjeditë njerëzore në portat e saj, duket se po kalohet në një plan-veprimi konkret. Presidentja e KE, Ursula Von der Lejen premtoi të “dyfishojë përpjekjet” kundër emigracionit të paligjshëm. Presidenti italian, Serxho Matarela, paralajmëroi se tragjedia nuk duhet të lërë “askënd indiferent”, dhe i bëri thirrje BE-së të marrë masa për shmangien e tragjedive të tilla në të ardhmen.
Planet që flenë në sirtarët e burokratëve evropianë mund të marrin jetë nëse zgjohemi nga pandjeshmëritë. Një plan afatshkurtër shpëtimi dhe emergjence n¸ detin Mesdhe, i financuar nga t¸ gjitha vendet anëtare të BE-s¸, do i hapte rrugën dhënies së mbrojtjes së përkohshme ligjore ndaj refugjatëve, në kohë konflikti apo krize në një vend të caktuar, njohjes së statusit të emigrantit p¸r arsye ekonomike, duke parë në të jo vetëm fakte fatkeqe, por duke zbatuar politika zhvillimi në vendet e origjinës e të pazhvilluara, emigracion të kontrolluar dhe goditje të trafikantëve në brigjet e vendeve nga nisen. Evropa që po plaket ka nevojë për fuqi punëtore.
Zgjidhja e krizës së migrimit në Mesdhe nuk qëndron te ndalimi, kontrolli i migracionit të paligjshëm, apo “lejimi’ i mbytjes së anijeve”, por perkundrazi te humanizmi dhe efiktiviteti i menaxhimit te migrimit të paligjshëm, te trajtimi i problemeve në rrënjë dhe te trajtimi i migranteve si njerëz dhe jo si probleme dhe numra. Megjithëse ky turp, ky sehir dhe kjo heshtje evropiane nuk do të harrohet lehtë. Këto viktima të pafajshme do të rëndojnë gjatë në ndërgjegjen e kontinentit që i mësoi botës liritë dhe të drejtat.
Po e mbyll këtë shkrim me thirrjen urgjente të Atit të Shenjtë Papa Françesku, i cili sinjalizon: “Më ka shkaktuar gjithnjë dhimbje gjendja e atyre, që janë objekt i formave të ndryshme të trafikut të njerëzve. Do të doja të dëgjohej britma e Zotit, i cili na pyet të gjithëve: ‘Ku është vëllai yt?… Ka shumë fajtorë. Pyetja është për të gjithë!” dhe se “nuk mund të dëgjohen fjalimet politike, që priren të akuzojnë emigrantët për të gjitha të këqiat dhe t’i privojnë të varfërit nga shpresa”.
Ne jemi ata që trashëgojmë kujtesën e paraardhësve tanë. Fëmijët do trashëgojnë kujtesën tonë. Çfarë do u themi atyre? Se njërin prej deteve më të bukur të botës, Mesdheun, këtë det kulture e bashkimi, ne e kthyem në sarkofag dhe det mortor? Po edhe nëse asgjë nuk do të shkruhet diku, në gazeta apo në libra apo asnjë pamje nuk shfaqet në kronika lajmesh, popujt dinë të “vetëmbrohen” dhe ta ruajnë kujtesën përmes këngës.