Nga Mero Baze
Reagimi i parë i Fatmir Mediut pasi Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i komunikoi akuzat lidhur me përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ishte “çudia” se akuzat ishin të njëjtat me ato të vitit 2009. Dhe kjo sipas tij ishte skandal, pasi ai e quan atë akuzë të motivuar politikisht dhe se nuk është pyetur asnjëherë këto 15 vite për atë akuzë.
E kuptoj që nuk është një moment i lehtë në jetën e një ish zyrtari të lart përballja me akuzën e cila përmban brenda disa vite burg, dhe mund të mos jesh në gjendje të thuash gjëra të mençur anë atë moment. Për këtë arsye në praktikat e çdo procesi gjyqësor, çdo i akuzuar ka të drejt të mos bëj komente në raste të tilla. Edhe zoti Mediu e ka pas shansin të mos fliste pas akuzës.
Madje kreu i SPAK Altin Dumani, ka qenë një prej prokurorëve të kësaj çështje qysh më 2008, por që për shkak të trukeve procedurale të përdorura nuk e ballafaqoi dot çështjen në gjykatë.
Në atë proces janë gjykuar dhe dënuar vetëm pjesa e partnerëve në biznes me Ministrinë e Mbrojtjes, Mihal Delijorgji, zyrtarë të kompanisë së tij dhe Ylli Pinari si Drejtor i “Meico.” Ish shefi i Shtabit të Ushtrisë Luan Hoxha, i cili ka thuajse të njëjtën akuzë me Mediun, u largua për azil politik në SHBA, pasi sipas kabllogrameve të zbuluara të Departamentit të Shtetit, kishte rrëfyer në ambasadë se i biri i Sali Berishës qëndronte pas biznesit dhe ishte nën presionin e njerëzve të Berishës për të dështuar hetimet.
Fatmir Mediu, pas disa zvarritjesh të procesit, arriti ta mbyll atë në Shtator të vitit 2009, pasi mori mandatin si deputet i listës së PD, dhe Gjykata e Lart pushoi gjykimin për shkak të imunitetit.
Me këtë mandat të dhuruar rregullisht nga PD, për shkak të Berishës dhe implikimit të djalit të tij është mbrojtur deri më sot.
Po ku qëndron përgjegjësia penale e Fatmir Mediut?
Është shumë e qartë përgjegjësia e Fatmir Mediut si iniciator i këtij biznesi dhe këmbëngulës që ai të shkonte në duart e asaj kompanie pa garë, për të cilën ka lobuar djali i Sali Berishës.
Historia nis me përpjekjet e Mihal Delijorgjit i cili përmes lidhjes që kishte krijuar m Shkëlzen Berishën, donin të lidhnin një kontratë direkte me qeverinë shqiptare për demontimin e fishekëve të maskuar nën një shoqëri të përbashkët shqiptare me një kompani amerikane.
Pas 42 hyrje daljeve brenda muajit në zyrën e Fatmir Mediut, Shkëlzen Berisha e kishte bindur atë ta çonte në qeveri për VKM.
Në kulmin e fushatës elektorale të vitit 2007, në muajin shkurt, ndërsa PD ishte në përpjekje të dëshpëruara për të mundur Edi Ramën në garë me SOkol Olldashin, i biri i Sali Berishës shfrynte i nervozuar nëpër zyrat e PD, pasi dy vet po i pengonin projektin me “ca amerikanë”. Ishte fjala për Ritvan Boden dhe Ilir Rusmalin, të cilët po hezitonin ti jepnin dakordësinë për VKM që kërkonte.
Në mbledhjen e qeverisë të datës 17 shkurt 2007, shikohet qartë nga procesverbali se Fatmir Mediu është mbështetës i angazhuar me mish e shpirt që qeveria të miratoj një VKM që kjo kontratë ti shkoj direkt kësaj kompanie pa garë. Mediu thotë:
“…Kompania ka një muaj që ka ardhur dhe ka paraqitur ofertën, ka diskutime, dmth intensive me juristë të Këshillit të Ministrave, me juristët tanë për të gjetur zgjidhjen. Kjo është zgjidhja që na kanë ofruar të dyja palët. Ridvani bën juristin dhe financierin. Të kthej përgjigje me shkrim. Të bëhet ballafaqimi…”.
Pra Fatmir Mediu kishte bërë gati skemën që kjo kompani të fitonte kontratën direkt me VKM.
Sali Berisha i cili ishte tërësisht pro tij kërkonte ti nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve dhe ja “ngarkoi” këtë detyrë Ilir Rusmalit që të gjente zgjidhje.
Rusmali i përgjigjet aty për aty në mbledhje që kjo nuk bëhet, pasi qeveria nuk është komision tenderi. Nëse zotëria do ta bëj këtë gjë, le të bëj një vendim nga Ministria e tij dhe ta bëj me tender si gjithë të tjerët, i thotë Rusmali.
Berisha këmbëngul që Rusmali të gjej zgjidhje por ai ja pret shpresat.
Këtu dështon përpjekja e parë e Mediut për të kthyer qeverinë në komision tenderi për ti dhënë kontratën direkt kësaj kompanie.
Pas kësaj qeveria autorizon Ministrinë e Mbrojtjes, me vendimin nr. 138, që ta bëj këtë procedurë me tender dhe ai nxjerrë urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007, për ti hapur rrugë kësaj procedure.
Në fund kjo procedurë nxjerr prap fitues Delijorgjin me partnerët e tij fitkivë nga SHBA, Southern Anmmunition Company të cilët ndërkohë kishin autorizuar si përfaqësues të tyre në këtë biznes Rrahman Selmanllarin, shokun e ngushtë të Shkëlzenit. Pra ishin mbulesa e Shkelzenit.
Për ta bërë sa më praktike nisjen e punës në terren, Delijorgji kishte krijuar nderkohe edhe një kompani ndërtimi, ku kishte bërë aksioner Fari Balliun duke përdorur mizorisht emrin e vajzës së tij ende studente. Fitimi paradhënie ishte nje foristradë Q7 për Balliun. Punimet në Gërdec filluan praktikisht para se të mbaronin procedurat dhe ishte bërë fakt i kryer se ai shërbim do kryhej nga kompania e Delijorgjit pas së cilës qëndronte Shkëlzen Berisha.
Do të mjaftojnë telefonatat e pafundme të Delijorgjit me Shkëlzenin dhe Selmanllarin për gjatë gjithë vitit për të kuptuar se ata ishin pronarët e vërtet të atij biznesi.
Edhe pse ushtarakët e lart denoncuan prishjen e paligjshme të godinave para hartimit të kontratës Mediu nuk reagoi por i hapi rrugë paligjshmërisë.
Kjo është kolona e parë e abuzimit me detyrën e Fatmir Mediut, pasi ka fiksuar që do ti jap kontratën një kompanie dhe megjithëse ka dështuar në një procedurë ka zgjedhur një procedurë tjetër e cila ka dhënë të njëjtin rezultat. Pra kemi një fiksim të subjektit fitues për një biznes që e ka kërkuar vet ata dhe Mediu është përdorur si sekser me qeverinë.
Pjesa e dytë e paligjshmërisë ka të bëj me normat e fitimit me të cilin ka favorizuar kompaninë, dhe lehtësirat e tjera të krijuara si favore.
Kësaj historie ju bashkëngjit një histori e dytë korruptive, ajo e eksportimit të fishekve kinezë për ushtarët në Afgansitan përmes një kompanie amerikane.
Meqë shitja e municioneve kineze ishte e paligjshme, blerësit amerikan të kompanise AEY, kërkuan të ripaketohen në kuti kartoni që të zhduken shenjat kineze.
Tenderin për këtë amerikanët ja kishin dhënë biznesmenit Kosta Trebicka. Por pasi bëri partinë e parë të porosisë Trebicka u përballë me shantahzin e grupit të Shkëlzen Berishës për të hequr dorë nga ai biznes pasi do ta bënte vet grupi i Shëklzenit. Pra i njëjti grup, Delijorgji-Berisha u pëproq të merrte kontrollin dhe mbi ripaketimin duke fituar kështu disa fish, pasi nga kontrata e parë merrnin fishekë për ti demontuar dhe për tu paguar për demontim, ndërkohë që kishin plan që të mos i demontonin për ti shisnin në Afganistan. Pra të paguheshin një herë për demontim dhe një herë për shitje duke dhjetëfishuar fitimet.
Beteja e Kosta Trebickës kundër tyre u bë popullore dhe mbriti në zyrën e New York Times. Kur shefi i zyrës së New York Times në Moskë, në atë kohë, Chris Chivers më shkruajti për ta informuar për dijeninë që kisha rreth përzierjeve të djalit të Sali Berishës në këtë histori, unë nuk isha i qartë për të dy historitë por vetëm për atë të parën. Kur ja shpjegova me hollësi më ktheu përgjigje se kjo është një hsitori tjetër, ndërsa ai po interesohej për një histori paralele me këtë që ka të bëj me të njëjtët njerëz, pra me Delijorgjin e Shkelzen Beirshën dhe me të njëjtin vend, Gërdecin.
Këtu u bë e qartë se historia ishte më e rënd se sa dukej. Fatmir Mediu nxorri nga zyra të dërguarin e New York Times që i shkoi për intervistë në zyrë në vjeshtën e vitit 2007, dhe pastaj pas dy orësh shkoi duke qarë në ambasadën amerikane dhe dorëzoi kasetën që i sekuestroi, duke kërkuar ndjesë.
Historia vazhdoi kështu derisa Gërdeci shpërtheu më 15 Mars 2008, për shkak të arrogancës dhe injorimit të çdo rregulli të sigurmit teknik, për shkak të mbështetjes politike, duke varrosur të gjallë 26 vetë.
Tani Fatmir Mediu ngjan i çuditur që akuzat janë të njëjta me 2009 dhe se nuk ka fakte të reja. Akzuat nuk kanë pse ndryshojnë pasi nuk janë akuza të gjykuara.
Dhe të vdekurit nuk ndryshojnë janë ata që ishin më 15 Mars. I vetmi i vdekur i shtuar më pas është Kosta Trebicka, dhe disa pjesëtarë familjeve të viktimave të vetëvrarë nga depresioni.
Fatmir Mediu duhet të përballet me dinjitet në këtë gjyq, jo si “njeri i besës” së Shkëlzen Berishës por si një zyrtar që ka gabuar dhe që duhet të ndihmojë drejtësinë të vërë në vend dinjitetin e shtetit shqiptar.
Nga kjo varet shumë se si ai do mbetet në historinë e politikës shqiptare, si një qen besnik i një familje kriminale, apo si një zyrtar që ka gabuar dhe që diti të përballet me drejtësinë. Këtë gjë e ka vet në dorë. Kurse ndëshkimin e tij e ka në dorë drejtësia. Ajo mund ta fal apo ta ndëshkojë, por kjo nuk do mbahet mend. Ajo që do mbahet mend është nëse ky njeri do iki nga politika si qen besnik i atij që e ushqeu apo si njeri me dinjitet. Kaq ka në dorë.