Nga Ardi Stefa
Ai, nëpërmjet të tjerëve ju thotë (ka 35 vjet që ua thotë): “Nuk ju duam në partinë tonë (time) personale.”
Ju shpallin të përjashtuar, madje edhe “të vetëpërjashtuar”, sepse keni bërë gabimin fatal: keni menduar ndryshe. Ngaqë në atë parti, mendimi ndryshe nuk është alternativë, por tradhti e lartë.
Ju doni të kandidoni për kryetar jo në partinë politike, por në atë që është privatizuar si një kioskë lagjeje, ku mendimi ndryshe me ata që e artikulojnë trajtohen si armiq.
Secili nga ju thotë: “Do kandidoj për kryetar partie.”
Këtu fillon tragjikomedia.
Ku do kandidoni?
Në një parti ku nuk ekzistoni më?
Në një parti ku kryetari aktual nuk ka rivalë, pavarësisht humbjeve kronike?
Në një listë anëtarësie ku emri juaj është fshirë?
Në një sistem ku vota juaj peshon zero dhe e drejta për të votuar është vetëm për besnikët?
Ironia është që nuk ju kanë përjashtuar thjesht nga partia.
Ju kanë përjashtuar nga iluzioni se ajo është ende një parti.
Sepse një parti ku nuk ke të drejtë vote, nuk është më organizatë politike.
Është pronë private. Dhe në pronën private nuk kandidohet. Në pronën private ose bindesh, ose largohesh.
Si do kandidoni?
Me çfarë mekanizmi? Me çfarë statuti? Me çfarë garancie?
Dhe, le të themi, për hir të humorit politik, se arrini të “kandidoni”.
Si do fitoni? Kundër kujt? Kundër një rezultati që është shkruar para se të hapet gara?
Kundër një strukture që ju ka përjashtuar?
Kundër një procesi ku fituesi dihet dhe alternativë tjetër s’ka?
Apo kundër vetë realitetit?
Pyetja që kam për ju nuk është: “Si do kandidoni? Si do fitoni?”
Pyetja e vërtetë është: “Pse vazhdoni të kërkoni demokraci në një parti që nuk ka ndërmend të ndryshojë kurrë dhe ku demokracia e brendshme është shpallur zyrtarisht e panevojshme?”











