Nga Albatros Rexhaj
I dashur Edi Rama,
Po filloj të dyshoj se na kanë gënjyer për ty. Jo ata që të mbrojnë, por ata që prej vitesh na tregojnë se kush je. Nëse u besoj, ti ke nën komandë të gjitha bandat e Shqipërisë, i kontrollon mediat deri te kronika e motit dhe ke ngritur një diktaturë ku njerëzit kanë frikë të hapin gojën. Unë, si njeri që i marr seriozisht akuzat, kam pritur të shoh të paktën ndonjë provë të këtij pushteti të tmerrshëm.
Tirana po digjet, Edi Rama, kurse ti nuk po bën asgjë.
Ku i ke bandat, o burrë?
Na kanë thënë se nuk ka lagje ku nuk sundojnë njerëzit e tu, se i ke në dispozicion sa herë të duhen dhe se me një telefonatë mund të mobilizosh gjysmën e botës së krimit. E tani, kur në mes të kryeqytetit dalin njerëz që hedhin molotovë mbi institucione, thyejnë e shkatërrojnë, askush nuk del t’ua qërojë hesapet. Nuk po të kërkoj t’i nxjerrësh, por të paktën na trego ku janë, se edhe ne duam të dimë çfarë ndodhi me gjithë atë ushtri që na kanë thënë se ke në dispozicion.
Pastaj janë mediat.
Këtu zhgënjimi im është edhe më i madh. Unë e kisha besuar se nuk ka televizion që merr frymë pa lejen tënde. Se pronarët, drejtorët, gazetarët dhe analistët i ke rreshtuar si ushtarë dhe ua dikton edhe mendimet. Por prej disa ditësh, sa herë ndez televizorin, dëgjoj njerëz që të shajnë, të mallkojnë, kërkojnë largimin tënd dhe, për ta bërë më interesante, gjejnë justifikime edhe për ata që po i vënë flakën qytetit.
Dikush thotë se popullit nuk po i mban më pilafi. Një tjetër se je arrogant dhe njerëzit nuk kanë rrugë tjetër. Dëgjoj të flitet për shkatërrimin e institucioneve me një mirëkuptim që nuk e gjen as për njeriun që vonon të paguajë faturën e dritave.
Dhe nuk po gjej dot një prezantues që t’i thotë të ftuarit se urrejtja ndaj një kryeministri është e drejtë e tij, por djegia e pronës së tjetrit nuk është qëndrim që televizioni e mbështet.
Ti, që i kontrollon të gjitha këto media, a nuk ke mundësi të kontrollosh të paktën një fjali?
Me diktaturën tënde punët janë edhe më të çuditshme. Në diktaturat që njoh unë njerëzit kanë frikë nga policia. Në Shqipëri, përkundrazi, polici duhet të ketë frikë nga të gjithë. Nga ai që i hedh gurin, nga ai që e filmon kur përpiqet ta arrestojë dhe nga analisti që, pasi e ka parë skenën nga kolltuku, del në televizor për të shpjeguar se polici e ka tepruar.
Po të ishte polici aq i zgjuar sa analisti, ndoshta do ta priste molotovin me duar dhe do ta kthente mbrapsht me një buzëqeshje.
Nuk po të them se Shqipëria nuk ka probleme. Ka korrupsion, padrejtësi, varfëri dhe institucione që shumë herë sillen sikur qytetarit po i bëjnë nder që ekzistojnë. Ti ke qeverisur mjaftueshëm për të mos ia lënë të gjitha fajet historisë. Por ke nisur edhe një rrugë që, po të përfundojë siç duhet, do ta detyrojë këtë vend të ndryshojë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një flamur tjetër mbi ndërtesat e shtetit. Është detyrimi që ligji të zbatohet edhe kur nuk i pëlqen kryeministrit, opozitës, biznesmenit apo gazetarit.
Plagët e Enverit nuk na u shëruan me rrëzimin e bustit të tij. Saliu na la mjaft plagë të tjera, disa prej të cilave vazhdojmë t’i mbajmë si të ishin medalje. Nuk e di sa kohë do të duhet të çlirohemi nga kjo trashëgimi, por e di se nuk mund të bëhemi Evropë duke kërkuar ligj për kundërshtarin dhe përjashtim për veten.
Ka diçka te ne që më habit prej kohësh.
Shkojmë në Vjenë, admirojmë pastërtinë dhe rregullin, bëjmë fotografi në rrugë ku askush nuk guxon të hedhë as një bisht cigareje, pastaj kthehemi në Shqipëri dhe e trajtojmë çdo rregull si fyerje personale. Na pëlqen policia gjermane sepse nuk bën kompromis me ligjin, ndërsa policin tonë e quajmë kriminel sa herë guxon të prekë dikë që nuk pranon t’i bindet.
Na mahnitin kullat e Dubait dhe ndërtesat e qyteteve evropiane. Përpara tyre bëjmë selfie, i tregojmë në rrjete sociale dhe ankohemi se Shqipëria është ende në mesjetë. Kur ndërtohet diçka në Tiranë, fillojmë të vajtojmë për qytetin që po ndryshon. Natyrisht, ka ndërtime që duhen kundërshtuar, ka beton që ka zënë vendin e gjelbërimit dhe ka leje që meritojnë hetim. Por te ne shpesh nuk ka rëndësi çfarë ndërtohet. Rëndësi ka kush e ndërton dhe cilën parti urrejmë atë ditë.
Edhe me turistët e kemi një marrëdhënie të çuditshme. Kur shkojmë jashtë dhe shpenzojmë paratë tona, jemi qytetarë të botës. Kur vijnë të huajt e shpenzojnë paratë e tyre këtu, dëgjojmë njerëz që flasin sikur Shqipërisë po i bëhet ndonjë padrejtësi.
Por askush nuk ma ka shpjeguar ende një fenomen tjetër shqiptar.
Si ka mundësi që njerëzit më të zëshëm për hallet e fukarenjve janë kaq shpesh ata që jetojnë mes një luksi që fukaraja nuk mund as ta imagjinojë?
Blogerë, personazhe televizive, këngëtarë, njerëz që kanë bërë miliona, me vila, makina të shtrenjta dhe pushime që kushtojnë sa paga disa vjeçare e një mësuesi, dalin para kamerave dhe na shpjegojnë se sa shumë u dhemb shpirti për të varfrit. Nuk kam asgjë kundër pasurisë. Përkundrazi, do të doja që shqiptarët të pasuroheshin sa më shumë. Por do të doja të dija edhe sa prej këtyre milionave janë deklaruar, sa taksa janë paguar dhe si ka mundësi që disa njerëz që nuk kanë pasur kurrë ndonjë biznes të njohur jetojnë sikur të zotëronin gjysmën e ekonomisë.
Pastaj janë analistët. Këta që çdo natë qortojnë qeverinë për mungesë transparence, ndërsa për të ardhurat e tyre duhet të besojmë në Zot. Flasin për moralin, për drejtësinë, për të varfrit dhe për të ardhmen e vendit, por nuk është e vështirë të dallosh se disa prej tyre e trajtojnë ekranin si zyrë ndërmjetësimi për favore, tenderë dhe punë shteti.
Sa do të doja që një ditë dikush t’i pyeste nga u vijnë paratë. Jo ti, Edi Rama. Institucionet që duhet ta bëjnë këtë pa pyetur askënd. Të njëjtat institucione që duhet të shohin edhe si financohen televizione që harxhojnë më shumë sesa fitojnë. Sepse nëse një media mbijeton prej vitesh duke shpenzuar para që nuk dihet nga vijnë, pyetja nuk është vetëm kush e kontrollon. Është edhe kush e paguan.
Por e di që kjo punë është e ndërlikuar. Madje, sapo të fillonin kontrollet, do të dëgjonim se diktatura po godet fjalën e lirë. Dhe do të dilnin në mbrojtje të saj pikërisht ata që sot na thonë se fjala e lirë nuk ekziston.
Dëgjova se kishe nxjerrë RENEAN në rrugët e Tiranës.
Mos, Edi Rama. Shumë gabim.
Pse duhet ta prishësh gjithë këtë shfaqje? Njerëzit kanë dalë të protestojnë, disa kanë marrë me vete edhe molotovë, por nuk mund t’i kërkosh qytetarit të mendojë për gjithçka përpara se të dalë nga shtëpia. Dikush merr një pankartë, dikush një shishe benzine. Secili e shpreh zemërimin sipas mundësive që ka.
Policia le të qëndrojë në vend. Le t’i durojë gurët, le të ruhet nga zjarri dhe, nëse dikush ia djeg makinën, të mos reagojë me nerva. Në fund të fundit, policët paguhen nga taksat tona dhe ne, si taksapagues, paskemi të drejtë të vendosim edhe sa gurë duhet të hanë në kokë.
Nëse digjet një ministri, do ta rindërtojmë. Nëse shkatërrohet një biznes privat, pronari le të bëjë durim. Nëse ndonjë polic përfundon në spital, do të gjejmë një analist që të na shpjegojë se gjithçka mund të ishte shmangur po të kishte treguar pak më shumë profesionalizëm.
Vetëm mos guxo të përdorësh forcën që ligji ia njeh policisë për të ndalur dhunën, se pastaj do të kemi prova të reja për diktaturën tënde.
Dhe kur gjithë kjo të marrë fund, kur rrugët të jenë pastruar, xhamat të jenë zëvendësuar dhe faturat e dëmeve t’i paguajnë njerëzit që nuk kanë hedhur asnjë gur, do të fillojë emisioni i radhës.
Do të flasim për varfërinë. Për mungesën e investimeve. Për turistët që nuk duhet të vijnë. Për kullat që nuk duhet të ndërtohen. Për Evropën që nuk po na pranon aq shpejt sa duam. Dhe, natyrisht, për ty, që nuk po e bën Shqipërinë.
Nuk e di nëse do ta bësh. As nuk e di sa nga premtimet e tua do t’i mbash deri në fund. Për këtë do të japësh llogari, siç duhet të japë çdo njeri që merr përsipër të qeverisë.
Por për një gjë po bindem gjithnjë e më shumë. Në Shqipëri ka njerëz që nuk do të jenë kurrë të kënaqur me një vend që bëhet. Sepse në një vend që bëhet duhet të respektosh ligjin, të paguash taksat, të justifikosh pasurinë, të pranosh se edhe kundërshtari ka të drejta dhe se vota nuk mund të zëvendësohet me një shishe benzine.
Dhe kjo kërkon shumë më tepër mund sesa të dalësh në televizor e të shpjegosh pse Shqipëria nuk bëhet.
Prandaj lëri, Edi Rama. Lëri.
Sa herë që ky vend është përpjekur ta ngrejë kokën, është gjendur dikush që ka dashur ta kthejë me krye në hi.
Dhe ata që i kanë vënë flakën kanë qenë gjithmonë të parët që janë ankuar se po u mbetet hiri në duar.

