• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, March 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Ku gabon shkollëshumi Vasili ndaj shkollëpaktit Rama!

by Shpëtim Nazarko
20/08/2017 09:08
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Shpëtim Nazarko

Në një postim të sotëm, opozitari i ri Vasili i LSI-së, duke e quajtur shkollëpaktë kryeministrin aktual Rama, i tregonte me shifra se po bëhej shkaktar i një drame të madhe. Bankat që veprojnë në Shqipëri kanë vendosur t’i investojnë paratë tona jashtë. Me të dhëna preçize, natyrisht të marra nga burime të sigurta, Vasili thoshte se rreth 3 milardë kanë shkuar tanimë jashtë dhe nuk mund të përdoren për investime këtu. Kjo arratisje parash është, sipas tij, produkt i asfiksimit të biznesit vendës nga ana e qeverisë. Se si bëhet ky asfiksim, mund edhe ta kuptojmë indirekt, nisur nga taksat apo kushtet që i vihen biznesit, etj.

Tema është shumë më e rëndësishme se etiketimi që Vasili i bën kryeministrit si shkollëpaktë. Nuk e di sa vlen krahasimi për shkollën e shumtë të zotit Vasili dhe të paktë të zotit Rama. Vetë mendoj se nëse do të përdornim krahasimin i shkolluar, por i palexuar, kjo do të na shpinte në ngatërresa të mëdha, jo vetëm ne, por dhe zotin Vasili. Vetë mendoj, duke i dëgjuar kur flasin të dy, se Rama është nga më të lexuarit në këtë vend. Në punë shkolle besoj që të dy i kanë punët keq me ata që kanë marrë a përlarë këto njëzet e pesë vjet në universitetet e Domosdovës dhe Rrogozhinës nga tri a katër diploma. Në këtë pikë reference, të dy janë të pashkolluar… Gjithsesi, ajo është çështje që nuk na hyn shumë në punë në krahasim me temën që po diskutojmë.

Si është e mundur që bankat që veprojnë këtu kanë vendosur të transferojnë gjithnjë e më shumë paratë e shqiptarëve jashtë? Dhe pse ato janë dorështrënguara për të kredituar individin, apo qeverinë në investimet që duan të bëjnë?

Mbi ca arsye historike.

Deri në vitin 2002 shqiptarët kreditoheshin nga xhepat e tyre, përgjithësisht, dhe shumë pak nga bankat e nivelit të dytë: si ato greke, italiane etj. Shifra e përgjithshme e këtyre kreditimeve nuk i kalonte 1 miliard euro. Në vitet 2002 -2004 filloi privatizimi i dy bankave të mëdha të Shqipërisë, asaj të kursimeve dhe asaj Agrare. Ato quhen sot Raiffeisen dhe BKT. Këto dy banka pritën ndërrimin e qeverive në vitin 2005 dhe në vitin 2006, kreditimi filloi të rrjedhë në trajtën e lumit. Shifrat kaluan në pesëfishin e vitit 2002, pra arritën rreth 5 miliardë euro. Po ç’u bë me këto para?

Një sasi kolosale kafenesh, restorantesh, pikash karburanti, agjenci turistike, pafundësi pallatesh etj., loloçka iu shtuan vendit. Vitet 2006 -2008 mbahen ende mend edhe nga mjaft analistë si vite begatie dhe qeverisje të mirë të Berishës. Taksat mblidheshin dhe qeveria po propagandonte një sukses të padëgjuar, që për shaka na rendiste në propagandën zyrtare deri edhe pas Gjermanisë.

Në një bisedë të lirë me Berishën nga viti 2007, i thashë në prani të disa ministrave gjysmë me shaka dhe gjysmë seriozisht se Piramida që po ndërtonte kësaj radhe do të ishte më e madhe se e vitit 1997. Kjo sepse nuk po humbnin paratë e individëve në investime të çmendura, por tani në lojë ishin edhe bankat. Të gjithë qeshën me të madhe në këtë bisedë ku nuk munguan as notat tallëse, por jo bankat.

Pas vitit 2008 bankat e panë se bizneset e ngritura që përmendëm më lart nuk prodhonin dot paranë. Dhe fiks për këtë arsye filluan të kreditonin qeverinë më shumë se individin. Dukej një politikë më e sigurt, por dhe kjo joafatgjatë. Qeveria i përdori këto para për të bërë rrugë nga të gjitha anët, duke tentuar të mbajë ritmin e rritjes së ekonomisë. Po aty nga viti 2009-2010 u kuptua, me gjithë manovrat alla Ritvan, se kishim hyrë në qorrsokakun e madh, që për mua ishte dhe më i rëndë se ai i vitit ’97. Mjafton të shikosh rritjen e kredive të këqija, që në 2005-2006 ishte e rendit tre për qind, u tetëfishua duke vajtur në 24 -25 për qind. Gojët e liga thonë se është shumë më tepër, po le t’i besojmë të dhënave të qeverive. Dhe vetë besoj që kur të qërohen mirë llogaritë, Shqipëria do të kuptojë se ajo që duket si klasë pasanikësh, realisht është një klasë e mjerë, origjina e së cilës e ka fillimin pikërisht nga kjo kohë e çmendur që përmendëm.

Vitet pas 2010-2011 janë vite të një lëngate të lemerishme. Qeveria e vitit 2013 kishte falmentuar me të gjitha. Dhe këtu nuk është puna e atyre 700 milionëve që deklaroi Rama kur mori qeverinë. Ekonomia shqiptare nuk është e zonja të investojë asgjëkundi realisht, sepse i mungojnë të tëra ato kushte që bëjnë një investitor normal të investojë. Janë ca kushte që thjesht mund t’i renditim kështu. Prona dhe garancia e saj. Uji, energjia, garancia në konflikte gjyqësore dhe së fundi, por jo nga rëndësia, krahu profesional i punës. Asnjë nga këto kushte Shqipëria nuk i plotëson normalisht dhe kjo jo vetëm për investitorët e huaj, por edhe vendës. E thënë thjesht, edhe sikur ajo t’i bëjë taksat zero, përsëri do të ketë vështirësi kolosale me elementet që përmendëm më lart. Këto elemente që studiohen më së pari nga vetë bankat bënë që këto të fundit të tentojnë të sigurojnë rrugë të tjera për të mbajtur në rregull, apo të siguruara, paratë e shqiptarëve. Në të të vërtetë është një lëvizje thuajse e detyruar e tyre.

Si t’ia bëjmë?

Për t’i dhënë të drejtë Vasilit, partia e të cilit ishte tetë vjet në qeveri dhe nuk kuptoi asgjë nga këto histori, ndoshta duhet të mendojmë ndryshe. Pra të pranojmë dramën, por si të mendojmë të dalim nga ajo?

Që qeveria Rama të plotësojë kushtet që paratë të mos venë jashtë, por të mbeten këtu, ajo duhet të sigurojë ato elementet që përmendëm më sipër, pronën, ujin, energjinë, forcën e ligjit dhe veçanërisht krahun e kualifikuar të punës. Ndryshe të gjitha sa thotë jo Vasili, por edhe të tjerë me të, janë thjesht demagogjira pa asnjë vlerë.

Mendoj se nëse Ramës i bëhen kritika në këto elemente që nuk i ka shpikur autori i shkrimit, atëhere duhet t’i dëgjojmë me vëmendje Vasilin apo Vasilët e tjerë të Shqipërisë.
Qeveria e Ramës tentoi të vërë rregull në lidhje me pronën këto katër vjet, por jo me ndonjë efikasitet të madh. Ideja e saj për të bashkuar në një të vetme disa agjenci në favor të garantimit të pronës duhet përkrahur me forcë, pavarësisht se duhej bërë kohë më parë. Po ashtu, edhe përpjekjet për të frenuar ndërtimet e paligjshme në fshat, apo qytet. Kjo thjesht për të mos varrosur paratë në ca vende që do të kërkonin energji dhe ujë pafund, për shkak të shpërndarjes pa kriter të ndërtimeve. Kritikat të cilat do t’i bëheshin atij për forcimin e arsimit profesional do të ishin akoma më të mira. Dhe më në fund, forcimi i sistemit gjyqësor.

Në këtë sens do të ishin të drejta dhe kritikat e Vasilit, që, duke i përmendur shkollën Ramës, nuk i tejkalon shakarat banale. Pavarësisht gabimeve, Rama ndoshta është i vetmi në këto njëzet e pesë vjet që ka vënë gishtin mbi këto plagë të tmerrshme që përmendëm më lart.

Besoj që pa u rregulluar apo përmirësuar elementet e mësipërme, të gjithë bëjmë propagandë. Bankat do të vazhdojnë me të drejtë strategjinë e tyre të shpien paratë jashtë. Ato nuk bëjnë politika, por janë thjesht mekanizma që ndihmojnë politikat e mira të qeverisë apo individëve.

Arsyetimet e mësipërme kanë gjithsesi vlerë teorike. Ajo që duhet pranuar është që gjendja me elementet e treguara duhet të shkundë qeverinë.

Në praktikën e njohur, situata të tilla zakonisht zgjidhen duke hapur punë publike pafund. Në praktikën e Ramës, që kritikohet nga shumica e opozitës, ideja e tij për rilindjen urbane mund të shihet si pozitive nëse do të besonim realisht se në këto punë publike u mobilizuan rreth 50 000 njerëz. Kjo pavarësisht qëllimit të Ramës apo idesë nga u nis ai, të kujton politikën e Rusveltit të viteve 1930, të shekullit të kaluar. Pavarësisht se ky i fundit u nis nga motive të tjera për të hapur punë publike pafund.

Rama, që në rastin më të mirë e ka ngritur makinerinë e shkatërruar të shtetit nga humnera në sipërfaqe, besoj që duhet të mos marrë shembullin e grandomanisë së viteve 2006-2010. Ndryshe, për mendjen time të varfër, do të shtrëngonte lakun akoma më shumë në qafën e Shqipërisë.

Sa më shumë të interesohet ai për të ndrequr ato elementet që përmendëm sipër, si garancia për pronën, ujin, energjinë, forcën e ligjit dhe arsimin profesional, aq më tepër laku i Shqipërisë do të lirohet. Krahas tyre vijnë ato rregullat elementare me të cilat prosperon çdo shtet që ndërtohet mbi moderinizimin e resurseve që i kanë lënë të parët në pozicionin gjeografik që ata jetuan.

Të tjerat do të ishin propagandë dhe nuk besoj të ndihmojnë as zotin Vasili, që do të bëjë opozitën me shkollë shumë ndaj pozitës me shkollë pak të Ramës. Ky i fundit besoj që vetëm qesh nga këto kritika, tanimë që vetë ka shumë kohë që e njeh Shqipërinë ashtu si dhe zoti Vasili…/konica.al/

 

Next Post
VIDEO/ Makinat luksoze shqiptare çudisin Frankfurtin

VIDEO/ Makinat luksoze shqiptare çudisin Frankfurtin

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Bilanc i rëndë nga përplasja me Iranin, 7 trupa amerikane të vrarë dhe 140 të plagosur

Bilanc i rëndë nga përplasja me Iranin, 7 trupa amerikane të vrarë dhe 140 të plagosur

March 10, 2026
Debate të forta mes Selin dhe Mirit, përplaset me Juelën pas deklaratës së fortë

Debate të forta mes Selin dhe Mirit, përplaset me Juelën pas deklaratës së fortë

March 10, 2026
Si u shkatërrua kultivimi i duhanti në Shqipëri për interes të importuesve

Çështja “Balluku”, Kikia: Mazhoranca, në të drejtën e saj të mos e votojë kërkesën për të rënduar masën e sigurisë

March 10, 2026
DETAJE / SHBA mund të dërgojë forca në Iran për të siguruar rezervat bërthamore

DETAJE / SHBA mund të dërgojë forca në Iran për të siguruar rezervat bërthamore

March 10, 2026
Vangjeli: PS mori vendimin e duhur për Ballukun, por në kohën e gabuar

Vangjeli: PS mori vendimin e duhur për Ballukun, por në kohën e gabuar

March 10, 2026
VIDEO / Rritja e çmimit të naftës, Braçe: Ndaleni këtë poshtërsi! Na kanë imponuar një skemë banale që…

VIDEO / Rritja e çmimit të naftës, Braçe: Ndaleni këtë poshtërsi! Na kanë imponuar një skemë banale që…

March 10, 2026
“Deklaratat e kongresmenit amerikan për drejtësinë, të vërteta”/ Ish-Prokurori: Kur bie gjyqësori, qytetarët nuk marrin të drejtën e tyre!

Mbipopullimi i burgjeve, ish-prokurori Karanxha: Ndërhyrja e Gjykatës së Lartë duhet përgëzuar!

March 10, 2026
Ministrja e Shëndetësisë nga Londra: Inteligjenca artificiale, arma jonë për “super-diagnostikën”

“Barazia gjinore” prezantohet në OKB, Sala: Drejt përfaqësimit 50% për secilën gjini në vendimmarrje

March 10, 2026
Kush është gardisti që goditi Flamur Noka? Ilir Kulla: Ik rrih oligarkët, jo kampionin e volejbollit dhe…

Kush është gardisti që goditi Flamur Noka? Ilir Kulla: Ik rrih oligarkët, jo kampionin e volejbollit dhe…

March 10, 2026

Ekspertët ngrenë alarmin: Biletat e avionëve do të arrijnë nivele rekord

March 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In