Nga Alfred Peza
Kryeministri Edi Rama është munduar të japi dy mesazhe të rëndësishme këtë fundjave, me turin e takimeve të tij dhe ministrave të kabinetit që e shoqëronin, në verilindje të Shqipërisë. E para, se ky mandat ndryshe nga i pari që ishte i referomave të thella, do të jetë katër vjeçari i veprave të reja konkrete, të vogla a të mëdha qofshin, në shërbim të qytetarëve kudo që ata jetojnë nëpër Shqipëri. E dyta, për ta realizuar më shpejt dhe më mirë këtë për të mirën e përbashkët, lypset një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, duke mos harruar përsëri si në të gjitha rastet e daljeve publike të javëve e ditëve të fundit, që të thumbojë për këtë mediat.
“Nëse bashkëpunojnë demokratët dhe socialistët, bëjnë gjëra të mëdha për punë reale”,- dëgjohet në një video të postuar Kryeministri, gjatë takimit me një grup të rinjsh me sa duket mbështetës të PD, gjatë turit të inspektimeve që po bënte në Klos, në disa prej kantiereve të Rilindjes Urbane të qytetit të vogël. Ky mesazh i dhënë në një vend ku pushteti lokal drejtohet nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, sigurisht që ka jo vetëm sens por edhe një impakt përtej një rrethi me 20 mijë banorë. Kryetari i Bashkisë atje, Basir Çupa pjesë e një gjenerate dhe mentaliteti të ri me sa e njoh nga distanca, duket se ia ka dalë që të shohë përtej teserës blu dhe gardhit të partisë, duke bashkëpunuar edhe me qeverisjen qëndrore të PS dhe Edi Ramës, për financimin e disa projekte shumë jetike për komunitetin.
Ky është një shembull fantastik i bashkëpunimit mes qeverisjes qëndrore dhe lokale, kur përfaqësuesit e saj janë nga dy kampet e kundërta politike. Ky është një model jo vetëm bashkëpunimi, qytetarie, kulture të re politike në Shqipëri por edhe një shembull për tu shtrirë në mënyrë kapilare, në të gjitha nivelet e pushtetit të zgjedhur. Një shembull që për fat të keq, nuk funksionon praktikisht në të gjitha bashkitë e vendit të cilat qeverisen nga përfaqësues të PD ose LSI. Një shembull i kundërt me Klosin, është konsideruar Shkodra, ku vullnetit të qeverisjes qëndrore për të investuar në vepra transformuese për qytetin, nuk i është përgjigjur me sa duket, i njëjti vullnet bashkëpunimi real nga drejtuesit lokalë që përfaqësojnë PD.
Shembujt e bashkëpunimit qeveri- bashki dhe mes drejtuesve të PS- PD në të dyja nivelet, nuk kanë lindur sot, nuk kanë lindur në Klos dhe nuk është se do të mbesin këtu, sigurisht. Një nga shembujt e parë të kësaj kulture moderne politike, e ka dhënë Bashkim Fino kur ishte Kryetar I Bashkisë së Gjirokastrës, duke pritur atë kohë Presidentin Sali Berisha, pavarësisht se kryetari I PS Fatos Nano ndodhej në burg politik pak kilometra më tutje, në Bënçë të Tepelenës. Një gjest që e ndihmoi jo pak që kandidatura e tij, të pranohej më pas nga PD për të qenë Kryeministri i Pajtimit Kombëtar në vitin e tmerrshëm 1997. Një shembull ky që me siguri ka inkurajuar edhe shumë shembuj të tjerë më pas, derisa shumë vite kanë kaluar, shumë ujëra kanë rrjedhur dhe shumë e shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë edhe në këtë drejtim.
Pavarësisht nëse Edi Rama mund të ketë qenë i sinqertë në mesazhin e tij, pavarësisht se për këtë atë e ndihmon edhe fakti i çeljes së derës për mbështetje me investime kujtdo (edhe Kryeministri Berisha tregojnë që e bënte këtë me Kryetarë socialistë bashkish) që i ka trokitur në derë me projekte të bëra gati, pavarësisht se Rilindja Urbane dhe investimet kanë trokitur kudo ku ka qenë e mundur nga ana financiare, ai ka gabuar sot. Ka gabuar jo se i dha të rinjve demokratë një mesazh fantastik politik në teori, jo se e artikuloi atë në Klos dhe jo në metropol, jo se ai brenda vetes nuk është një lider shqiptar tek e fundit, që nëpërmjet këtyre mesazheve, xhesteve dhe investimeve nuk dëshiron që në zgjedhjet e ardhëshme të fitojë Partia Socialiste. Jo.
Gabimi i Edi Ramës sot, ai i Sali Berishës dje dhe i kryeministrave të tjerë në raportet e tyre me të zgjedhurit vendorë të partive opozitare në Shqipëri, qëndron diku tjetër. Ai duhet kërkuar gjetkë, për të na çuar më pas, tek rrënjët e këtij problemi. Ai duhet kërkuar tek ajo rrugë që të çon tek gjetja e formulës për ta shëruar atë, e për të na bërë edhe ne si komb, si popull e si shoqëri, që të mos e shohim më si deri më sot, tjetrin që është i ndryshëm nga ne si armik, si kundërhstar për jetë a vdekje. Si e keqja e vetme ose më e madh dhe veten, ta shohim si të mirën e kulluar. Rrënjët e problemit duhet të na çojnë tek kultura jonë, për ta parë të mirën tonë, karrierën tonë, të ardhmen tonë, zhvillimin tonë, mbrothësinë tonë, rehatinë tonë personale tek investimi, tek meritokracia, tek rruga e punës dhe e realizimit nëpërmjet profesionalizmit, konkurencës dhe projektimit të prespektivës, mbi pozitivitetin.
Liderët tanë politikë, nëpërmjet modelit të qeverisjes, duhet të dekurajojnë një kulturë të përhapur gjerësisht e që është bërë mënyrë jetese duke fituar qytetarinë, e cila funksionon sipas filozofisë së ndërtimit të së ardhmes së secilit mbi fatkeqësinë e tjetrit. Mbi negativitetin. Mbi stërkëmbëshin, agresimin, denigrimin dhe bazuar tek një luftë të paprinciptë verbale dhe jo vetëm, sipas një kulture neotomane të thashethemit, intrigës, shpifjes dhe dhunës gjithfarësh. Inkurajimi dhe promovimi i modeleve pozitive dhe dekurajimi i modelit negativ të mbijetesës dhe triumfit të më vulgares, sipas një strategjie të qartë, të hapur, kombëtare dhe të instaluar njëherë e përgjithmonë, do të ishte prova e parë, shenja e parë, sinjali i parë i ndryshimit njëherë e përgjithmonë të kulturës së bashkëjetesës dhe bashkëqeverisjes mes kundërshtarësh dhe opozitarësh në Shqipëri.
Vetëm pas kësaj, çdokush do ta kuptojë se jo morali I forcës, por forca e moralit do të triumfojnë edhe në këtë vend. Jo analfabetizmi funksional por kultura e shëndoshë dhe e thellë, investimi tek rritja cilësore dhe konkuruese e individit dhe inkurajimi i modeleve pozitive që nuk do të jenë më përjashtime nga rasti, por rasti vetë ,do të na bëjnë që të mos e shohim njëri tjetrin nga teserat, nga ngjyrat, nga flamujtë dhe nga selitë e partive. Këtë nuk e garanton thjeshtë dhe vetëm vullneti edhe ashtu “divine” I liderit, por një sistem i instaluar dhe i garantuar nga vullnete jashtë palëve politike.
Sigurisht që Edi Rama, nuk është lideri politik i epokës post komunsite që e ka kultivuar duke e shndërruar në art dhe mënyrë qeverisje këtë kulturë të të funksionuarit të gjërave sot në Shqipëri. Por, ai ka shansin dhe mundësinë, që bashkë me rilindjen urbane të qyteteve, fshatrave dhe periferive të Shqipërisë, të zbatojë edhe një projekt strategjik për rilindjen shpirtërore e mentale të njerëzve në këtë vend. Përndryshe, as rrugët, as urat, as by passet që ndërtohen, as kanalet që pastrohen dhe as fasadat, sheshet dhe lungomaret që shkelqejnë, nuk do të kenë vlerën e merituar.
Rilindja Europiane këtu e pesë a më shumë shekuj më parë, ishte një rilindje kulturore, shpirtërore dhe mentale. Sikundër edhe Rilindja jonë Kombëtare që i parapriu dhe shoqëroi aktin e shpalljes së pavarësisë dhe të ndërtimit të shtetit tonë të ri, ishte një lëvizje shkronjash, alfabeti, librash, vjershash, pikturash, idesh, ëndrrash, shpresash dhe besimi. Duke sjellë më pas shtetin, institucionet, arkitekturën, ligjet modrne dhe përpjekjet shtëterore për një vend mes kombeve të qytetëruara./AlpeNews.al