Një shtetase braziliane dhe një 40-vjeçar janë arrestuar në Shkodër në kuadër të operacionit të koduar “Rent home 10”, pas dyshimeve se një apartament i marrë me qira në lagjen “Ahmet Haxhia” ishte vënë në dispozicion të veprimtarive kriminale.
Në pranga ka rënë shtetasja braziliane 29 vjeçe, e cila dyshohet se kishte marrë me qira apartamentin dhe e kishte përshtatur atë për ushtrimin e prostitucionit dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë ndërhyrjes në ambient, efektivët kanë arrestuar edhe shtetasin 40 vjeç, banues në Shkodër, i cili dyshohet se ka përfituar nga këto veprimtari.
Gjithashtu policia sekuestroi sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe një shumë parash në euro dhe lekë.
Operacioni u finalizua pas disa ditësh hetimesh nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, me qëllim dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal që zhvillohej në apartament.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.











