Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka shpallur fajtor me formë të prerë Florian Taçin, ish-drejtorin e Kadastrës së Gjirokastrës, por duke bërë një ndryshim nga shkalla e parë, teksa i ka zbritur dy vite dënim.
Nga 6 vite burg që ishte dhënë nga Gjykata e Gjirokastrës, ish-zyrtari është dënuar me 4 vite për dy vepra penale, atë të mashtrimit dhe falsifikimit.
Kryesuesja e seancës gjyqësore Valdete Hoxha ka vendosur lënien në fuqi të vendimit për dënimin e zyrtarit socialist Florian Taçit, duke ndryshuar vetëm masën e dënimit që kishte dhënë kohë më parë Gjykata e Faktit në Gjirokastër, e cila i kishte akorduar 6 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, pasi Taçi pranoi që kishte konsumuar veprat penale dhe shkaktuar në dëm të qytetarëve dhe shtetit. Apeli ka dhënë 4 vite burg.
Dhe duke parë se Taçi pati kërkuar gjykim të shkurtuar, do të vuajë dënimin me 2.8 vjet. Prej kësaj zbritet dhe koha e vuajtur në shtëpi të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës, ku i mbetet më shumë se 1 vit e gjysmë që të vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Pritet nga momenti në moment urdhër-ekzekutimi nga prokurori i çështjes që Florian Taç të vuajë dënimin e ngelur.
Ndërsa u la në fuqi dënimi për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë në aferat e paligjshme Alban Memisha me 4 vite burg, por që do të vuajë 2.5 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa lihet i lirë nga akuzat Julian Nakuçi, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër kishte dhënë vendimin për detyrim paraqitje me 8 muaj.
Florian Taçi, ish-kreu i Kadastrës në Gjirokastër dhe Alban Memisha punonjës në këtë institucion, u arrestuan në flagrancë në një aksion blic më 28 Shkurt të vitit 2024 pasi u gjetën duke përpiluar tapi të falsifikuara në zyrën e ish-zyrtarit socialist, pranë Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Taçi kishte akses të plotë në serverin qëndror të Kadastrës së Shqipërisë, nga ku penetronte me dëshmitë e pronësive duke u dhënë prona me vula dixhitale personave të tjerë.
Taçi akuzohet për falsifikim, mashtrim dhe shpërdorim i detyrës, ndërsa u arrestua më 28 Shkurt të këtij viti dhe më pas u la në arrest shtëpiak nga Apeli në muajin Mars, ku qëndroi sipas vendimit që tashmë do i llogaritet pas formës së prerë. Shkalla e parë dha verdiktin më 4 dhjetor 2024, ndërsa tani pritet ekzekutimi i tij.











