Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta, që ktheu për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për Vetingun në Polici, Gardë e SHÇBA, e argumentin se favorionte drejtuesit dhe ishte i varur nga politika.
I pranishëm në Komisionin e Sigurisë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka shqyrtuar aktin, duke iu përgjigjur Metës me kundër-argumente, duke thënë mes të tjerash se Kreu i Shtetit ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit.
“Është shqetësuese në fakt se Presidenti shquan nuanca elektorale. Këtu duhet vërtet fantazi e tepruar, e jashtëzakonshme për të parë ndonjë lidhje midis zgjatjes së afatit ose vënies në funksion të procesit të Vetingut në Polici me zgjedhjet elektorale. Kjo është diçka që del jashtë fuqive përfytyruese tona dhe i mbetet Presidentit, që të thotë se ku i sheh ai rreziqet elektorale nga Vetingu në polici”, thekson ministri Lleshaj.
Sqarimi i plotë i ministrit:
Presidenti ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit për arsye se ai e konsideron Vetingun si instrument presioni. Në fakt “si një forcë ndëshkuese e mekanizmit të vlerësimit kalimtar” pra vetingu, e citova këtë nga dokumenti i ardhur nga Presidenti, pra e konsideron një forcë ndëshkuese.
Tani kemi një problem thelbësor këtu, dhe problemi është ky, vetingu në Policinë e Shtetit nuk është ndonjë gjë e re. Në fakt edhe ligji flet për vlerësimin kalimtar, por edhe periodik të punonjësve të PSH, të Gardës, apo të SHÇBA-së, për arsye se këto struktura ligjzbatuese në Shqipëri dhe në çdo vend të botës, duhet që të jenë përherë në një proces verifikimi, në një proces Vetingu nëqoftëse do.
Nëqoftëse duam ta konsiderojmë presion, le ta konsiderojmë presion. Është një instrument presioni pozitiv ndaj kujtdo të merr përsipër të shërbejë në strukturat ligjzbatuese. Në Shqipëri dhe në çdo vend normal të këtij planeti. Çdokush që shërben në këto struktura e ka pranuar vetë do t’i nënshtrohet një verifikimi të përhershëm. Do të jetë përherë në një proces verifikimi, për arsye se risku i kompromentimit të një personi të caktuar gjatë karrierës është prezent.
Pra, Vetingu është një proces i përhershëm, jeta në Polici dhe në Gardë dhe në shumë struktura ligjzbatuese është në një proces Vetingu të pafund, të përhershëm dhe këtu nuk ka asgjë të re. E kundërta do të ishte sinjali i gabuar, nëse themi ne e bëjmë Vetingun një herë dhe pastaj imunizohemi prej tij dhe nuk kemi më asnjë kontroll, asnjë proces verifikimi në jetë. Jo, është një proces i vazhdueshëm dhe ligji i bërë që në 2018 e ka këtë frymë flet për vlerësim periodik.
Dhe nëqoftëse flasim për një vlerësim periodik atëherë automatikisht duhet të heqim dorë nga konkluzioni i nxituar, do të thosha shumë i nxituar, për ta konsideruar këtë instrument si një instrument presioni. Nëqoftëse do ta konsiderojmë instrument presioni, pra një instrument të dëmshëm ndaj Policisë, atëherë e njëjta logjikë do të vlente edhe për gjyqësorin. Le ta konsiderojmë edhe këtë një instrument presioni për gjyqësorin dhe të heqim dorë prej tij, se po i bëjmë dëm sistemit. Në fakt përmes këtij instrumenti ‘presioni’ ne besojmë që i është bërë mirë sistemit gjyqësor dhe po i bën mirë, dhe do të t’i bëjë mirë sistemit tjetër që mbështet gjyqësorin që është sistemi i agjencive ligjzbatuese, ku Policia e Shtetit ka një rol të madh dhe ky ka qenë edhe intencioni fillestar kur ka nisur procesi. Meqënëse Policia dhe sistemi i drejtësisë, Prokuroria punojnë së bashku në hetimin penal dhe në luftën ndaj krimit, do të plotësojnë të njëjtat standarde sa i përket kritereve të integritetit të personelit që përfshihet në këto struktura.
Është për të ardhur keq që Presidenti ka shquar edhe disa nuanca elektorale tek ligji i miratuar. Në thelb çfarë ndryshimesh sjell ky ligj? Vetëm një element. Ligji rifut në funksion Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit (KJV), i cili ka mbyllur aktivitetin për shkak se ligji i ka vënë një afat qershorin e këtij viti. Aktualisht KJV është pezulluar, i ngrirë, për arsye se i ka ikur afati ligjor për të ushtruar mandatin. Çfarë kërkojmë? Parlamenti tashmë ka kërkuar që ky Komision të vazhdojë ta mbyllë misionin e tij. Nuk i kemi vënë një afat pikërisht për të shmangur një nevojë për të ardhur prapë në Kuvend.
S’i kemi vënë një afat kohor, por ama ka një mandat të qartë, sepse ka një numër të kufizuar, të qartë drejtuesish të Policisë, Gardës dhe të SHÇBA për të kryer procesin. Janë rreth 250 persona, të cilët do t’i nënshtrohen këtij procesi me parimin e fundit automatikisht mbyllet edhe procesi i Vetingut nga Komisioni i Jashtëm. Pastaj procesi i vlerësimit të përhershëm ose vlerësimit periodik, do të kryhet nga SHÇBA, ashtu siç do të kryhet ky proces edhe për pjesën e mbetur, të pjesës së poshtme të hierarkisë.
Është shqetësuese në fakt se Presidenti shquan nuanca elektorale. Këtu duhet vërtet fantazi e tepruar, e jashtëzakonshme për të parë ndonjë lidhje midis zgjatjes së afatit ose vënies në funksion të procesit të Vetingut në Polici me zgjedhjet elektorale. Kjo është diçka që del jashtë fuqive përfytyruese tona dhe i mbetet Presidentit, që të thotë se ku i sheh ai rreziqet elektorale nga Vetingu në polici. Ne, përkundrazi, besojmë që sa më e pastër të bëhet Policia, Garda dhe SHÇBA, aq më të mira bëhen kushtet që këto institucione të kryejnë me integritet dhe përgjegjësi ligjore punën e tyre.
Është për të ardhur keq gjithashtu që Presidenti në shumë pasazhe të dokumentit që ka sjellë, përdor termin “ngjan me”, “duket se”, “ka mundësi që”. Janë shprehje të një karakteri shumë evaziv, që në gjykimin tim nuk e kanë vendin në një dokument të këtij niveli presidencial. “Ngjan me”… edhe unë mund të ngjaj me dikë tjetër, por nuk jam ai tjetri. Ndërkohë që këtu përdoren si argumente.
Vijmë te një çështje tjetër, që ka të bëjë me shqetësimin e Presidentit për kontrollin politik ndaj SHÇBA-së. Është e vërtetë që Policia, SHÇBA, Garda, përgjithësisht institucionet ligjzbatuese në vend, i gjithë aparati ekzekutiv shtetëror, është në varësi politike, është në varësi të qeverisë, por kjo është gjëja më normale në një sistem demokratik, ky qytetarët zgjedhin parlamentin dhe parlamenti zgjedh një qeveri.
Qeveria në fakt ushtron mandat politik në emër të qytetarëve. Dhe institucionet duhet të jenë dhe janë në varësi të qeverive. Ky është thelbi i demokracisë. Unë nuk kuptoj se në varësi të kujt duhet të ishin, nëqoftëse nuk do të jenë në varësi të Ministrit, apo në varësi të qeverisë?! Nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër, kështu që shqetësime të kësaj natyre duken vërtet të pakuptueshme dhe të papranueshme. Sepse edhe krijimi apo tentativa për të krijuar një ide që varësia e institucioneve ligjzbatuese te qeveria qenka problemi është shumë e rrezikshme, sepse kjo është A-ja e shtetit.
Nëqoftëse ekzistojnë dyshime për një ministër të caktuar, apo një qeveri të caktuar, dyshimi nuk kthehet kundër sistemit. Në qoftë se paska rrezik që një ministër i caktuar po themi, mund t’i përdorë politikisht, ose keqpërdori politikisht kompetencat që i janë dhënë, çështja shtrohet ndaj individit, por jo ndaj sistemit. Nuk mund të pretendojmë ne dhe s’mund të guxojmë të mendojmë që të ndërtojmë një sistem ku institucionet nuk janë në varësi të qeverisë, e cila jep llogari te qytetarët. Nuk mund të mendojmë të krijojmë një sistem burokratik me institucione, të cilat janë jashtë kontrollit demokratik, i cili ushtrohet nga parlamenti dhe nga qeveria në emër të qytetarëve.
Kështu që tentativa për të krijuar imazhe pavarësie jashtë institucioneve është një tentativë, e cila i bën dëm të madh vetë demokracisë. Është e rëndësishme të kuptojmë gjithmonë që pavarësia e institucioneve është pavarësia e vendimmarrjes së tyre, e cila duhet bazuar në ligj, dhe jo shkëputje e tyre nga sistemi. Nuk mund t’i bëjmë institucionet e pavarura duke i shkëputur nga sistemi. Por, institucionet bëhen të pavarura kur atyre u jepet mbrojtje ligjore në ushtrimin e detyrës së tyre dhe ju kërkohet që ta ushtrojnë detyrën dhe përgjegjësinë të bazuar në ligj, kjo është pavarësia. Jo kur vendosen strukturalisht, ku i marrin pagat, dhe ku japin llogari për realizimin e objektivave dhe prioriteteve të tyre.
Në përgjithësi unë do të thosha që nuk kemi asnjë mundësi për t’i mirëkuptuar arsyet e Presidentit për kthimin e këtij ligji mbrapsht. Nëqoftëse ne do ta pranonim kthimin e ligjit mbrapsht, ky do të kishte vetëm një pasojë, do të ndërpriste përfundimisht procesin e Vetingut në PSH, duke i dhënë goditje të madhe gjithë përpjekjes për të kryer një proces verifikimi të integritetit të gjithë sistemit të drejtësisë dhe sistemit të agjencive ligjzbatuese që e mbështesin atë, që është kryesisht PSH.
Ju ftoj të nderuar deputetë të rrëzohet dekreti i Presidentit, sepse përmes këtij vendimi ne i japim udhë vijimit të procesit të Vetingut në PSH. Proces, i cili duhet të bëhet për shumë arsye, por edhe për një arsye fare të thjeshtë, sepse ai ka filluar tashmë. I ka dhënë efektet e para dhe nuk mund të krijojmë pra një situatë pabarazie, disa kanë kaluar procesin disa të tjerëve jua anulojmë për një arsye që nuk mbështetet asgjëkundi. Ju falënderoj për vëmendjen!
/a.r