Nga Pëllumb Xhufi
Për mbrojtjen e Korçës ishte krijuar një front i tërë që përfshinte banorët e qytetit e të rretheve, veprimtarët patriotë e grupet e armatosura shqiptare. Në fillim të muajit gusht, korçarët detyruan të largohej nga qyteti prefektin dhe komandantin ushtarak të Follorinës, që kishin ardhur për të koordinuar përgatitjet për marrjen e qytetit. Pikërisht në atë kohë, anëtarët e përfaqsisë së shqiptarëve të Turqisë në Konferencën e Paqes, ku bënte pjesë edhe Sulejman Delvina, i shkruanin kryesisë së delegacionit të SHBA se “do të ishte vepra më e padrejtë që të liheshin shqiptarët nën robërinë greke. Korçarët dhe gjithë shqiptarët, që nuk kanë harruar veprat kriminale dhe gjakderdhjet që shkaktuan grekët në vitin 1914 natyrisht nuk do të bien edhe njëherë të gjallë nën kthetrat e sundimit e të tiranisë së ushtrisë greke.
Ushtria greke nuk do mund të hyjë në Korçë pa shkelur mbi kufomat e shqiptarëve”. Në 31 gusht, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” i bënte thirrje popullit shqiptar të rendte në mbrojtje të Korçës e të Gjirokastrës. Në letrën për Delegacionin amerikan në Konferencën e Paqes, Komiteti deklaronte se “Korça, që është dhe do të mbetet Jeruzalemi i Shqipërisë së rilindur, nuk do ta durojë zgjedhën e turpshme dhe do të bëjë që të paguhet shumë shtrenjtë liria e saj. Ajo ka jetuar shqiptare, do të jetojë shqiptare dhe do të vdesë shqiptare”.
Rreziku i kalimit të Korçës në duart e grekëve galvanizoi qëndresën popullore. Në Skrapar, Berat, Elbasan e Mallakastër u organizuan manifestime popullore dhe u formuan Komitete për mbrojtjen e Korçës. Më 3 shtator, Komandanti i forcave franceze në Shqipëri, Reynar-Lespinasse raportonte se në zonën e Gjergjevicës ishte dukur Sali Butka me rreth 1500 njerëz të armatosur. Akoma më i detajuar ishte raporti i komandantit të xhendarmërisë lëvizëse, kapitenit Longin, i datës 7 shtator, bërë pas një inspektimi në trevën e Korçës. Sipas tij, në vend po përgatitej një kryengritje e përgjithshme dhe hyrja e trupave greke në Korçë do ndizte jo vetëm zonën e Korçës nën administrimin francez, po gjithë Toskërinë, së cilës do t’i bashkohej edhe Gegëria.
Me kryengritësit, që priheshin nga i mirënjohuri Sali Butka, do bashkoheshin edhe trupat e xhandarmërisë shqiptare, si të zonës franceze, ashtu edhe të zonës italiane të pushtimit, si dhe grupe vullnetarësh të ardhur së fundi nga Amerika. “E vërteta”, përfundonte raporti i Longin, “është se ideja e pavarësisë kombëtare ka depërtuar shumë thellë në zemrat e njerëzve e ne nuk jemi në gjendje ta ndalim këtë rrymë. Të gjitha grindjet e vjetra u shuan dhe ideja e atdheut i ka bashkuar të gjithë”. Në fillim të shtatorit, në Berat, në Skrapar e në Pogradec, me nismë të patriotëve Xhevdet Mehqemea, Neki Libohova, Zarif Haznedari, Ali Koprencka, Riza Cerova, Kasem Radovicka, Isuf Sulejmani, Kristian Kole etj., ishin krijuan “Komitete për Shpëtimin e Korçës” që filluan grumbullimin e vullnetarëve të armatosur.
Përtej kujdesit që kishin treguar autoritetet franceze për të mbajtur të fshehta përgatitjet për dorëzimin e Korçës në duart e ushtrisë greke, e pavarësisht përpjekjeve të peshkopit Jakov, me mijëra banorë të Korçës e të rrethinës fshatare të saj filluan të largohen. Tashmë komandanti francez Espinasse deklaronte se “çdo pushtim i papritur i kazasë së Korçës nga trupat greke do shkaktonte turbullira”.
Ndërkohë, lëvizja popullore mbarëkombëtare në mbrojtje të Korçës e shtyu edhe qeverinë e Durrësit në qëndrime më të vendosura. Më 25 shtator ajo urdhëronte dërgimin e një force të armatosur drejt Korçës, për të kundërshtuar me armë çdo tentative greke për të pushtuar atë trevë pas largimit të francezëve. Trupa ushtarake shqiptare prej 150 ushtarësh nën komandën e major Tatzatit, kishte mbërritur në afërsi të Korçës, në 9 tetor 1919, pavarësisht protestave të komandantit francez të Korçës, Reynar-Lespinasse, i cili kërcënonte ta konsideronte këtë akt si një gjest armiqësor ndaj Francës e si një “casus belli”. Sipas Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, marrja e Korçës nën autoritetin e qeverisë shqiptare, “do të elektrizonte e do ngjallte Shqipërinë nga fundi në krye”. Sipas tij, shpëtimi i Shkodrës dhe e Korçës, do përgatiste edhe largimin e italianëve nga Vlora.
Kthesa shqiptare dhe amerikane e janarit 1920
Përgatitjet e rretheve patriotike për qëndresë të armatosur në terren ndiqnin zhvillimet krejtësisht të pafavorshme që ndodhnin në Konferencën e Parisit. Në 9 dhjetor 1919, aty u arrit në një memorandum të përbashkët anglo-franko-amerikan mbi çështjen e Adriatikut, ku akreditoheshin më së miri kërkesat italiane në frymën e Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915. Shprehimisht në atë dokument thuhej se Italia do merrte nga Lidhja e Kombeve mandatin mbi Shqipërinë si dhe sovranitetin e plotë mbi Vlorën dhe hinterlandin e saj.
Memorandumi kënaqte edhe ambicjet e Athinës, nga momenti që linte hapur çështjen e kufirit të jugut, të cilën kjo e kishte rregulluar tashmë me anglo-francezët, si dhe me italianët me anë të marrëveshjes së fshehtë Tittoni-Venizellos të muajit korrik. Por nuk lihej pa gjë edhe Jugosllavia, së cilës memorandumi i njihte të drejtën e ndërtimit të rrugëve të transportit në Shqipërinë e Veriut për të dalë në Adriatik. Memorandumi përfaqësonte një nga zhvillimet më negative të Konferencës së Paqes në raport me çështjen shqiptare. Ndryshe nga dokumentet e tjera të diskutuara e të akorduara më herët, ky dokument rrezikonte të merrte formë përfundimtare, pasi veç firmës së francezit G. Clemenceau dhe anglezit E. Crowe, mbante edhe firmën e përfaqësuesit amerikan, Frank Polk.
Por, megjithë përpjekjen për ta bërë edhe Jugosllavinë pjesë të zgjidhjes së çështjes së Adriatikut, shteti i ri serbo-kroato-slloven e priti keq përmbajtjen e memorandumit të 9 dhjetorit. Në një notë të 8 janarit, delegacioni jugosllav e krahasonte mandatin italian mbi Shqipërinë me mandatin që iu dha Austro-Hungarisë mbi Bosnjë Hercegovinën, në 1908, që siç lihej të kuptohej, u bë shkak për agresionin kundër Serbisë dhe shpërthimin e Luftës I Botërore. “Rregullimi i mësipërm”, thuhej në notë, “i siguron Italisë një kufi nga i cili mund të ndërmerren sulme kundër shtetit tonë, që në këtë rast mbetet pa mjete mbrojtëse. Kësisoj krijohet, nga njera anë një epërsi sulmi, dhe nga ana tjetër një nënshtrim strategjik i plotë”.
Jugosllavia vazhdonte të konsideronte si më të përshtatshme zgjidhjen që do ta ruante Shqipërinë si një shtet i pavarur me një administratë autonome në kufijtë e dhënë në Londër më 1913. “Ne mendojmë se Shqipëria ka elemente të mjaftueshme për t’u vetëqeverisur dhe se do të dijë të administrohet në pikëpamje ekonomike e politike më mirë sesa po t’i nënshtrohej një administrimi të huaj çfarëdo”. Nota mbyllej me një ton kërcënues: “Po të jetë se kjo zgjidhje nuk pranohet dhe po qe se pjesa jugore e Shqipërisë u jepet shteteve të tjera, atëherë delegacioni ynë rivendikon pjesën veriore të Shqipërisë deri në Drin”.
Reagimi jugosllav prishte krejt skemën të ndërtuar me aq mund e për aq gjatë nga protagonistët anglo-francezë të Konferencës së Paqes, të cilët shpejt e shpejt, më 14 janar 1920, arritën në një marrëveshje të re që kësaj radhe pasqyronte më qartë rivendikimet jugosllave në Shqipërinë e Veriut, ndërsa shkoqur i jepeshin Greqisë krahinat e Korçës e Gjirokastrës. Ishte “ndarja perfekte”, që nuk kishte arritur ta parashikonte as Traktati i fshehtë i Londrës. Por bie në sy, që në hartimin e këtij dokumenti nuk mori pjesë kryesuesi i delegacionit të SHBA, F. Polk, i cili ishte thirrur urgjentisht në Uashington. Me sa duket, edhe në Uashington u kujtuan që pas largimit të Presidentit Wilson, delegacioni i SHBA në Konferencën e Parisit ishte implikuar në lëmshin e intrigave pa fund e pa moral të evropianëve.
Në fakt, më 21 janar, qëndrimi i qeverisë së SHBA shënon një kthesë të fortë. Me anë të një memorandumi të shkurtër e të prerë, ajo deklaronte se mbi çështjen e Adriatikut Presidenti Wilson ishte vënë përballë vendimeve të marra nga kolegët e tij, Lloyd George e G. Clemenceau, për sa kohë që në seancat përkatëse “nuk kishte qenë e mundur të delegohet asnjë funksionar amerikan që të kishte të njëjtin autoritet si kryeministrat në fjalë”. Për rrjedhojë, vazhdonte memorandumi, “SHBA po vihen në pozitën që çështjet të vendosen përpara se të shprehet pikëpamja amerikane meqënëse, siç duket, z. Clemenceau dhe z. Lloyd George kanë marrë parasysh vetëm pikëpamjet e qeverisë italiane dhe jugosllave përpara se të njihen me idetë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara”. Kjo shkundje e diplomacisë amerikane ngriu procesin e traktativave të fshehta. Në përgjigjen e gjatë të 22 janarit, që kryeministrat Lloyd George e Clemenceau i dërguan qeverisë amerikane, kërkohej të sigurohej kjo e fundit se “qeveritë franceze, britanike dhe italiane nuk kanë menduar asnjëherë të arrijnë në një rregullim përfundimtar pa marrë parasysh pikëpamjet e qeverisë amerikane”.
Por në notën e tij të 10 shkurtit, Presidenti Wilson ishte akoma më i prerë. “Memorandumi anglo-franko-italian”, shkruante ai, “e ndante popullsinë shqiptare, megjithë protestat e saj të fuqishme, midis tre fuqive të huaja. Këto dispozita dhe shumë të tjera, të negociuara pa dijeninë dhe pa miratimin e qeverisë amerikane, e ndryshojnë krejt aspektin e rregullimit të çështjes së Adriatikut”. Fraza që vijon shënonte kthimin e vendosur të SHBA në pozicionin e shprehur në 14 pikat e njohura të Presidentit: “Fakti që përfaqësuesit e Jugosllavisë, të venë përballë alternativës së Traktatit të Londrës, do mund të detyroheshin të pranonin një zgjidhje që më duket krejt e padrejtë në parim dhe e pazbatueshme në realitet, nuk do të ndryshonte aspak bindjen tonë, se ne nuk mund të japim pëlqimin tonë për një rregullim, e cili qoftë për termat e dispozitave apo për metodat e përdorura për ta imponuar atë, përbën një mohim absolut të parimeve për të cilat hyri në luftë Amerika”.
Wilson i kthehet më shkoqur çështjes së të drejtave të shqiptarëve edhe në notën e 25 shkurtit, në përgjigje të një letre “paqëtuese” të kryeministrave të Francës e të Britanisë së Madhe. “Presidenti”, thuhej aty, “merr shënim me kënaqësi se qeveritë britanike e franceze nuk do të lenë pas dore interesat e ardhshme dhe mirëqenien e popullit shqiptar. Qeveria amerikane kupton fare mirë se ndarja e Shqipërisë në tre pjesë, ashtu siç parashikohet nga marrëveshja anglo-franceze, mund të pranohej me gjithë qejf nga qeveria jugosllave, por ajo është vendosmërisht kundër që populli shqiptar të lëndohet për t’i bërë mirë Jugosllavisë, ashtu siç është kundër që populli jugosllav të lëndohet për t’i bërë favor Italisë. Ajo është e mendimit se vështirësitë midis të krishterëve dhe muslimanëve vetëm do të shtoheshin nëse veriu dhe jugu i vendit do të vihej nën kontrollin e kombeve që nuk kanë as gjuhë të përbashkët, as qeveri të njëjtë, as edhe potencial ekonomik të njëjtë”.
“Çështjet shqiptare”, nënvizonte Presidenti Wilson në një notë të fundit të 6 marsit 1920, “nuk duhet të futen në diskutimin që propozohet midis Italisë e Jugosllavisë dhe Presidenti detyrohet të deklarojë edhe njëherë se nuk do të miratonte asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompensim territorial në pjesën veriore të Shqipërisë, në vend të diçkaje që mund t’i shkëputet gjetiu”. Në të gjitha këto shkëmbime, Presidenti Wilson nuk mungon të denoncojë në mënyrë eksplicite Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, që po kushtëzonte punimet e Konferencës dhe që ishte gatuar pa vënë në dijeni Shtetet e Bashkuara. Justifikimit të dobët të kryeministrave të Britanisë së Madhe e të Francës, se përmbajtja e Traktatit nuk i ishte njoftuar Shteteve të Bashkuara për shkak të karakterit të tij sekret, Wilson iu përgjegj jo pa ironi, se këtu nuk bëhej fjalë për të informuar “armikun”, por një vend aleat si SHBA, “i cili u rreshtua në një front të përbashkët me nënshkruesit e Traktatit për t’i bërë ballë detyrës vigane të mbrojtjes së lirisë dhe prej të cilit u kërkuan nga aleatët ndihma e fonde të pallogaritshme”.
Kthesa e madhe e 21 janarit 1920 e qeverisë amerikane në frymën e 14 pikave të Presidentit Wilson, koincidoi me ngjarjen po aq vendimtare që ndodhi në Shqipëri po në 21 janar të atij viti, me mbledhjen e Kongresit të Lushnjës e me krijimin e qeverisë kombëtare shqiptare. Patriotë korçarë të organizuar në “Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Korçës” u orientuan menjëherë drejt qeverisë së Sulejman Delvinës, tek e cila prisnin mbështetjen kryesore për shpëtimin e Korçës nga aneksimi grek. Në 3 prill 1920, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotir Kota dhe anëtarët e Këshillit bashkiak i kërkonin komandantit francez De Fourtou bashkimin e Korçës e të trevës së saj me pjesën tjetër të territorit shqiptar dhe kalimin e tyre nën administrimin e qeverisë së Tiranës, ashtu siç kishte ndodhur para pak ditësh, më 13 mars, me Shkodrën, kur i njëjti De Fourtou, atëherë komandant i misionit ndëraleat të Shkodrës, dëgjoi t’ua dorëzojë qytetin forcave të qeverisë së Tiranës.
Në një raport të gjatë të tij, 11 prill 1920, De Fourtou informonte se Përmeti, Leskoviku dhe Kolonja ishin zënë nga xhandarmëria e qeverisë së Tiranës. Për momentin, dukej se forcat shqiptare nuk kishin ndërmend të futeshin edhe në Korçë. “Por”, precizonte De Fourtou, “këto zhvillime tregojnë në mënyrë të qartë fuqizimin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe vullnetin e shqiptarëve të luftojnë me armë në dorë për pavarësinë e vendit të tyre”. Ideja kombëtare në trevën e Korçës, konstatonte de Fourtou, ishte edhe më e fortë se sa në Shkodër. “Është për t’u habitur, që feja këtu ka kaluar në plan të dytë, Atdheu padyshim zë vendin e parë”. Me mjaft mprehtësi për një të huaj, gjenerali francez shprehej, se “individualiteti i fuqishëm që shqiptarët kanë ruajtur me kaq xhelozi, ishte një garanci e sigurtë, se ata do ta fitonin ndjenjën e tyre kombëtare ditën që do të kishin përpara tyre kushtet materiale dhe morale që do t’ua lejonin ta bënin këtë, dhe kjo ditë erdhi: nuk duhet të habitemi, pra, nga rëndësia dhe forca reale e lëvizjes aktuale”. Më tej, ai informonte se qysh në gusht 1919 ishte përgatitur nga Sali Butka dhe veprimtarët e tjerë një plan për mbrojtjen e Korçës nga grekët, për të cilin plan ai jep detaje interesante.
Në një përplasje eventuale me ushtrinë greke, kjo do duhej të përballej me gjithë popullin e kazasë, madje edhe me banorët e fshatrave maqedone të zonës së Prespës që nuk e ndanin veten nga shqiptarët. Sa për përkrahësit e kauzës greke, këta ishin të pallogaritshëm e përfaqësoheshin nga më pak se 100 familje grekomane, kryesisht të ardhura në Korçë nga jashtë. Në këto kushte, De Fourtou paralajmëronte në mënyrë kuptimplotë: “Është, pra, rasti të parashikohet e ardhmja duke marrë në konsideratë ngjarjet që mund të ndodhin”. Dhe nga ana e tij sugjeronte, që në rast se do të merrej vendim për t’ia kaluar Korçën grekëve, kontigjenti francez bënte mirë të largohej para se shqiptarët ta merrnin vesh një vendim të tillë: përndryshe ai do të gjendej mes dy zjarresh. Madje, shtonte ai, francezët mund të tëhiqeshin që tani, pa patur frikë se rendi dhe qetësia në qytetin e krahinën e Korçës do prishej. “Siguria e rajonit”, përfundonte ai, “nuk do të ishte në rrezik për shkak të tërheqjes tonë, pasi xhandarmëria shqiptare, e ndihmuar edhe nga banorët, do të mjaftonte për të mbajtur qetësinë”.
Opsioni i mbështetur fort nga gjenerali De Fourtou për largimin pa vonesë të trupave franceze nga Korça, u bë ide sunduese si në Ministrinë e Luftës, ashtu edhe në atë të Jashtme të Francës. Në 10 maj, Kryeministri e Ministër i Jashtëm, Mitterand, urdhëronte Ministrinë e Luftës të përgatiste tërheqjen nga Korça. Ky hap nuk mund të shtyhej më tej, siç vazhdonte të lutej kryeministri grek Venizellos, i cili shpresonte në një marrëveshje të orës së fundit me italianët. “Mendoj se nuk mund të plotësojmë dëshirën e z. Venizellos mbi këtë pikë; ne e kemi vonuar disa herë tërheqjen e trupave tona nga Korça, por asnjëherë deri më sot nuk kemi parë të zbatohet ndonjë marrëveshje mes Italianëve e Grekëve lidhur me zëvendësimin e trupave franceze”. Evakuimi duhet të ndodhte brenda datës 18 maj, por pikërisht atë ditë kolonelit Crétin i erdhi urdhëri ta vononte edhe 10 ditë të tjera nisjen.
Siç dukej, Venizellos i kishte mbushur mendjen edhe njëherë Parisit, se shumë shpejt do merrte miratimin e italianëve për të kaluar në zbatimin e marrëveshjes Tittoni-Venizellos të një viti më parë. Interesant është, që kjo “shtyrje” e re iu njoftua kolonelit francez, jo nga Parisi, por nga Athina, nga Ministri i Jashtëm grek, Politis, i cili siguronte se ishte i autorizuar ta bënte këtë nga qeveria franceze “për të fituar kohë”. Por, koloneli Crétin ishte më i vëmendshëm ndaj presioneve që i vinin nga mjedisi shqiptar, se sa nga mesazhet e qeverisë së tij të përcjellura nëpërmjet Athinës. Në 24 maj atij i erdhi një paralajmërim i ri i përfaqësisë së Korçës, ku shprehej vendosmëria për t’i rezistuar me çdo mjet, “edhe me mjetet më të këqija”, ardhjes së trupave greke.
Pikërisht dy ditë para se të skadonte afati i fundit i 28 majit për kalimin e stafetës franko-greke të pushtetit në Korçë, në ndërtesën e Bashkisë u mblodh një Asamble Kombëtare që shpalli bashkimin e Korçës me qeverinë kombëtare të Tiranës. Shpallja, e nënshkruar nga Jorgaq Raci, Haki Mborja, Niko Joangjeli, Efthim Marko, Qani Dishnica, Kristo Kosturi, Dhosi Havjari, Tefik Rushiti, Emin Menkulasi, Neki Frashëri e të tjerë, iu përcoll komandës franceze të njëjtën ditë. Duke ia përcjellë Parisit këtë fakt të ri, koloneli Crétin sqaronte se “vendimi për rezistencë nuk i detyrohet aq nxitjes së disa individëve mbi popullin e ekzaltuar, por është një vendim i marrë pa gjaknxehtësi nga vetë populli, i cili në qetësi të plotë u dikton drejtuesve vendimet që duhen marrë, duke deklaruar më parë vullnetin e vet për të rezistuar deri në frymën e fundit”.
Ai informonte gjithashtu, se një ditë më parë, banorët e fshatrave myslimane e të krishtera ishin grumbulluar rreth qytetit dhe të nesërmen, që në orët e para të mëngjesit filluan hyrjen në qytet, pa zhurmë e pa bujë. Pasdreke, në orën 17.00, demonstruesit, rreth dhjetë mijë vetë, ku nuk mungonin gratë myslimane e të krishtera të Korçës si dhe vajzat e shkollave, u grumbulluan përpara Bashkisë. Në ballkon u ngritën flamuri shqiptar dhe ai francez dhe u shfaqën drejtuesit e qytetit, si edhe Eshref Frashëri, Zëvendës Kryeministri i qeverisë së Tiranës. U mbajtën fjalime, ku ndërsa deklarohej vendosmëria për mbrojtjen e Korçës nga çdo përpjekje për t’ia kaluar atë Greqisë, nuk mungonin edhe shprehjet e konsideratës për Francën dhe autoritetet ushtarake franceze të qytetit. Koloneli Crétin e përmbyllte raportin e tij, me protestën që i kishte paraqitur përfaqësuesit të qeverisë së Tiranës, Eshref Frashërit për hapin e ndërmarrë të bashkimit të Korçës me qeverinë e Tiranës.
Por, ishte një protestë krejtësisht formale. Siç shkruante ai vetë, pas atij vendimi qëndronte vullneti i një populli të tërë. Dhe ai vetë s’mund të bënte gjë tjetër, veç “të merrte shënim për aktin e kryer”. Siç ishte urdhëruar, në 28 maj koloneli Crétin urdhëroi largimin e trupave të fundit franceze nga Korça. Po atë ditë, Këshilli Bashkiak i Korçës u mblodh nën kryesinë e përfaqësuesit të qeverisë së Tiranës, Eshref Frashëri, vendosi të dërgojë në Kapshticë një delegacion për bisedime me palën greke. Takimi i Kapshticës rezultoi në një marrëveshje të nënshkruar nga guvernatori i Maqedonisë Perëndimore S. Iliaqis e nga Gjen. N. Trikupis, për palën greke, dhe nga Eshref Frashëri, Jorgji Raci, Pandeli Cali, Qemal Dishnica, N. Zoi e kap. Selahedin Blloshmi, nga pala shqiptare. Marrëveshja njihte gjendjen aktuale, në pritje të vendimit përfundimtar të Konferencës së Paqes. Por tashmë për të gjithë ishte e qartë se fati i Korçës ishte shkruar.