I pari i Ministrisë për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, tha se Kosova dhe Shqipëria do t’i kthejnë dy ndalesat në kufi, ngase kjo ka qenë kërkesë e Komisionit Evropian për parandalimin e krimit ndërkufitar. “Ka qenë kërkesë eksplicite që me Shqipërinë duhet t’i kemi dy ndalesa (kufitare), jo vetëm një, kjo për shkak të parandalimit të krimit ndërkufitar”, tha ministri Çollaku në raportimin para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane.
Ai tha se liberalizimi i vizave është proces tashmë teknik, ndërsa ratifikimi, siç u shpreh ai, ishte jetik. Çollaku përsëriti qëndrimin e tij që rekomandimi për liberalizmin e vizave do të ndodh në fund të këtij viti, ose më së largu në muajin e parë të vitit tjetër. Çollaku po ashtu tha që nga dita e djeshme asgjë më nuk është e njëjtë mes Kosovës dhe BE-së.