Duke komentuar deklaratat e prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka lansuar akuza për prokurorin i cili publikoi një letër të gjatë ku arsyeton dorëheqjen e tij me pretendimet për presione.
Lumezi ka mohuar që Blakaj e Millaku kishin një marrëveshje mos ta njoftonin atë për rrjedhën e hetimeve për veteranët pas diskutimit rreth intervistimit të Kadri Veselit.“Elezaj ka ardhë tek unë dhe më ka dhënë informacione për rastin e veteranëve edhe pas takimit që kemi pasur për çështjen e Kadri Veselit”, ka thënë Lumezi për KALLXO.com.Ai ka thënë se nuk e di cili është qëllimi i Elezajt por ka shumë pikëpyetje për profesionalizmin e tij.
“Unë nuk e di cili është qëllimi i Elez Blakajt. Ai po don me u bo prokuror hero por deri sot asnjë rast të rëndë në karrierën e tij nuk e ka ngritë. Një rast të rëndë ia kemi dhanë me e provu, i ka marrë 72 mijë euro rroga dhe një aktakuzë të mirë nuk e ka ngritë. Çfarë profesionisti është ai?”, ka thënë Lumezi.
Ai ka shtuar se prokurori Blakaj kishte ngritur aktakuzën ndaj Shefqet Krasniqit por aktakuza kishte dështuar në gjykatë. “A është sukses apo mossukses kjo?”, ka pyetur Lumezi.
Kryeprokurori e ka quajtur dobësi veprimin e Elezajt.
“Është një dobësi e një prokurori që e ka lënë një lëndë në gjysmë dhe e ka njollosë edhe sistemin prokurorial e edhe prokurorinë e shtetit, e edhe shtetin e Kosovës. Në kohën kur EULEX-i është largu me thanë qe çfarë prokuror kemi na. A munden prokurorët me kry një lëndë qysh duhet, a është ky prokuror me dinjitet”, ka thënë Lumezi.
Në bisedë për KALLXO.com, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka shpjeguar takimin me prokurorin Blakaj ku është diskutuar aktakuza për aktorët e “Pronto”-s. Në bisedë Lumezi ka pranuar se ka folur me Besim Beqajn rreth aktakuzës në një takim që e ka pasur me këtë të fundit.
“Tek pjesa e Prontos, ai ka qenë një prej prokurorëve të cilin unë e kam iniciuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe e kam formuar një ekip të prokurorëve për hetimin e këtij rasti, ka qenë: Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani.
Mbasi që është ngritur aktakuza unë i kam thirrur në zyrën time me ma shpjegu se cilat janë provat dhe faktet që e kanë mbështetur dyshimin e bazuar për me ngritë aktakuzën. Në këtë takim kanë folë me rend prokurorët dhe kur ka ardh rendi tek Elez Blakaj, ky ka thënë që unë nuk e kam ndërmarrë asnjë veprim e as nuk e kam lexuar aktakuzën, por unë e mbështes Drita Hajdarin në tërësi”, ka thënë Lumezi.
Ai ka shtuar se ka pasur një mospajtim me prokurorin për shkak se ai nuk e kishte lexuar aktakuzën, përgatiti Koha. (b.an)










