• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, November 26, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në TranzicionArtikujt dhe intervistat e mësipërme janë pjesë e serisë së refleksioneve rreth rolit të medias në tri dekadat e tranzicionit postkomunist, një projekt i JavaNews në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikës Çeke. Pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit. Çdo portal / gazetë që do t’i ripublikojë këto materiale duhet t’i referohet burimit fillestar.
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Kryeproblemi

by Skënder Minxhozi
26/11/2026 13:18
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Skënder Minxhozi/

 

“It’s the economy, stupid” (Eshtë ekonomia, budalla)! Kjo frazë ka bërë shkollë më vete mendimi në Amerikë qysh në vitet ’90 kur James Carville, këshilltari i Bill Klinton, e hodhi në fushatën presidenciale të këtij të fundit me presidentin e kohës Xhorxh H.W Bush. Natyrisht pesha e ekonomisë në jetën e një vendi ka qenë vendimtare shumë kohë para se fjalia e mësipërme të përdoret si gjetje elektorale.

Është realiteti ekonomik që e ktheu edhe Teksasin blu në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Donald Trump pa t’i përmbysej pushteti legjislativ kryesisht për shkak të çmimeve të karburantit dhe mallrave të konsumit. Ekonomia dhe kriza e saj ka përflakur rrugët e mbarë qendrave të mëdha urbane e industriale të Evropës. Digjet Franca për krizën e çmimeve të konsumit të përditshëm, ndizet Spanja për krizën e çmimeve të strehimit, arsimit e shëndetësisë. E njëjta gjë edhe në një gjysëm dyzine vendesh të tjera.

Nuk themi asgjë të re nëse edhe këtë që po ndodh sot në Shqipëri me protestat disamujore, nuk e lexojmë vetëm si një diversion të huaj apo si një maraz patologjik të një pjese të popullit kundër qeverisë së vet, por edhe si një simptomë të ndjesisë që shkakton kriza endemike ekonomike e sociale, pamundësia për një jetë normale, kostoja e lartë e shumë mallrave e shërbimeve që përbëjnë boshtin e përditshmërisë së shqiptarit të zakonshëm.

Si përherë Shqipëria prodhon shumë dramë televizive. Sherre brenda PS me Spiropalin e pak të tjerë, sherre mes qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale (shkurtim bashkish, konflikt me bashkinë e Tiranës), konflikt politik shumëvjeçar mes shumicës dhe opozitave në zyra apo në rrugë, protesta me tymin e zjarrin që solli me vete – të gjitha këto janë të mjaftueshme për të zënë të gjithë kohën e imagjinueshme të një dite të zakonshme shqiptare, por jo domosdoshmërisht edhe për të prekur thelbin e vetë krizës tonë reale.

Edhe sot, teksa endemi me telekomandë në dorë mes sherreve të brendshme të maxhorancës, teksa kërkojmë me ngulm një flamengo “me emër e mbiemër” që të ketë një plan për Shqipërinë e nesërme, apo mundohemi të kuptojmë se kush do e fitojë Tiranën në maj – pas gjithë këtyre përçapjeve që përtej peshës e rëndësisë shmangin në fakt thelbin e problemit, të gjithë ne vijmë e mblidhemi në vatrat tona familjare dhe aty është momenti më i mirë i ditës për të kuptuar se ajo që kemi parë, dëgjuar e përjetuar ka qenë në thelb pjesë e kryeproblemit, por jo vetë kryeproblemi.

Politika nuk është një lojë në vakuum, as një sport imagjinar ku të gjithë vrapojnë apo zvarriten ndërsa rezultati është iluziv. Menaxhimi  i punëve të shtetit, në pozitë a opozitë qoftë sipas rolit dhe pozicionit, është një angazhim që krijon impakt të prekshëm e të drejtëpërdrejtë në jetët tona. I cili mund të jetë pozitiv ose negativ sipas rastit.

Një verifikim i publikuar në tetor 2026 për tregun e Korçës dhe Kosturit dëshmonte se një listë prej 12 produktesh bazë ushqimore kushtonte 1,567 lekë në Greqi, kundrejt 1,714 lekëve në Shqipëri. Rreth 8.5% më lirë. Kjo diferencë bëhet edhe më e dukshme tek karburantet. Në të njëjtin moment nafta në Shqipëri shitej me 213 lekë për litër, kurse në Kostur ajo tregëtohej me rreth 186.8 lekë. Një diferencë prej 12.3%. E njëjtë është situata edhe në Veri dhe në Lindje të Shqipërisë, ku kuksianë, shkodranë apo pogradecarë psonisin rregullisht në dyqanet e Ohrit, Ulqinit apo Prizrenit.

Ky hendek çmimesh i mallrave të nevojës së parë e ka kthyer udhëtimin në këto shtete jo më në një shetitje turistike, por në një udhëtim furnizimi ushqimor. Shkojmë tek fqinjët jo vetëm për t’u larë, shetitur apo për të pushuar, por shkojmë edhe me makinë llogaritëse në dorë për të zbutur buxhetet mujore!

Në këtë aspekt qëndron një nga problemet më serioze për ekonominë shqiptare: paratë që familjet mund të shpenzonin në biznesin vendas e për produkte shqiptare po transferohen në ekonomitë e vendeve fqinje. Në thelb kjo do të thotë më pak xhiro për supermarketet shqiptare, më pak konsum në tregun vendas dhe më pak të ardhura  për shtetin. Shqipëria po përjeton një nga paradokset më shqetësuese të ekonomisë së saj: çmimet e produkteve ushqimore janë në nivele shumë të larta, ndërkohë që të ardhurat e qytetarëve mbeten dukshëm më të ulëta se ato të vendeve të Bashkimit Europian dhe të një pjese të mirë të rajonit.

Nuk përbën asnjë zbulim apo gjetje të vështirë që të konstatosh sot se e gjitha kjo tablo faktesh të vogla ose të mëdha, paradoksesh e krizash që prekin jetën e përditshme dhe vetë egzistencën e shqiptarit, është problemi kryesor që ka vendi. Ai afekton të gjitha aspektet e tjera të jetës shoqërore e politike. Ai po zbraz ngadalë qytete e fshatra ku puna ofrohet e gjendet por ku jetesa është sërish e vështirë. Ai po bën të dalin njerëz ne sheshe dhe shumë më tepër të tjerë të zhurmojnë mbytur pakënaqësinë e tyre në vendet ku banojnë apo punojnë nga mëngjesi në darkë. Ky është hopi i munguar i Shqipërisë evropiane, ky është zinxhiri që ende na mban fatalisht lidhur me tranzicionin 35 vjeçar.

Kjo është një Shqipëri e pakënaqur sepse vazhdon të jetë prej vitesh një Shqipëri në krizë të thellë ekonomike e sociale. Mbi të gjitha është një Shqipëri që nuk di sesi të dalë nga katër muret ku ka mbetur e mbyllur dhe për pasojë është edhe një Shqipëri që pret me ngulm nga politika që të gjejë një shteg për ta ndryshuar këtë gjendje impasi dhe klaustrofobie.

Në çdo vend politika ka dialektikën e vet të bazuar tek zhurma, konfliktet dhe sherret. Po të shohësh Amerikën e sotme të ndarë mes republikanëve e demokratëve kujton se ky vend do të rrëmbejë armët nga çasti në çast. E njëjta gjë me Francën, Italinë e Gjermaninë apo vende të tjera të zhvilluara. E megjithatë ka një kohë për dramën politike dhe një tjetër kohë për të menduar në mënyrë racionale për problemet që ka vendi. Forma s’mund të fitojë përjetësisht mbi përmbajtjen.

Këtu tek ne duket sikur rregullisht konsumohet vetëm teatër dhe tym, në vend që të listohen problemet e të zgjidhen drejt e pa hile. Breza të tërë shqiptarësh lindën e po rriten nën fatalitetin e frazave “ky vend nuk bëhet” ose “në këtë vend nuk prodhohet asgjë”. Dhe s’kanë sesi të mos kenë të drejtë. Manifaktura në rënie, bujqësia gjithashtu. Sektorë të tjerë me peshë që enden si balona pa terezi nga një buxhet në tjetrin.

Më pak instagram dhe më shumë punë konkrete, më pak sherre dhe më shumë zgjidhje, më pak llotari meskine emrash dhe më shumë garë idesh e vizionesh. Kjo është prej vitesh sfida e Shqipërisë ku plazhet, baret e restorantet e mbushura apo pista e Rinasit plot avionë, janë vetëm një pjesë e historisë. Pjesa tjetër zakonisht mbetet në hije, pas perdes së trashë të harresës politike e mediatike. E megjithatë ajo pjesë krizash, sfidash e problemesh të mbetura pezull e pa zot egziston dhe vazhdon të kërkojë në heshtje një zgjidhje. Sepse ky mozaik krizash është në fakt kryeproblemi që ne ende s’kemi mundur ta zgjidhim megjithëse po hapim e po mbyllim kapitujt drejt Bashkimit Evropian. Një Unioni ku puna e jo llafet janë produkti final.

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Cili do ta fitojë i pari luftën, Bordi i Paqes apo Bordi i Transparencës?!

Kryeproblemi

November 26, 2026
Iluzioni i pushtetit që vjen nga lart

SPAK dërgon për gjykim 10 të pandehur për pastrim parash nga trafiku i lëndëve narkotike

November 26, 2026
Një javë më parë u lirua nga qelia, rikthehen telashet për Vincens Pirolin, Policia e akuzon për vrasjen e Frrok Lleshajt

Një javë më parë u lirua nga qelia, rikthehen telashet për Vincens Pirolin, Policia e akuzon për vrasjen e Frrok Lleshajt

November 26, 2026

Mallkimi i dyshit në PS, internim, burg e garë

November 26, 2026
Tiranë, qarkullonte me armë zjarri në makinë, arrestohet 27-vjeçari

Tiranë, qarkullonte me armë zjarri në makinë, arrestohet 27-vjeçari

November 26, 2026
ODIHR kërkon sqarime për afatin e “Zgjedhores”, zbardhet letra për Gjiknurin e Bylykbashin

ODIHR kërkon sqarime për afatin e “Zgjedhores”, zbardhet letra për Gjiknurin e Bylykbashin

November 26, 2026
Horoskopi ditor për nesër, e enjte 18 korrik 2024

Horoskopi ditor për nesër, e Premte 27 Nëntor 2026

November 26, 2026
Shuhet në moshën 76-vjeçare mjeku Ylli Ziçishti, ish-deputet i PS në 2013-2017

Shuhet në moshën 76-vjeçare mjeku Ylli Ziçishti, ish-deputet i PS në 2013-2017

November 26, 2026
Ndryshojnë dëshmitë për rastin e kryebashkiakut Shkreli/ SPAK: Dy dëshmitarë mohuan në gjyq presionin për vota

Korrupsion në zgjedhje, GJKKO dënon me punë në komunitet kryebashkiakun e Vaut të Dejës

November 26, 2026
Tirana përkujton 114-vjetorin e ngritjes së flamurit, Vorpsi: Paraardhësit tanë patën kurajën për të ndryshuar rrjedhën e historisë

Tirana përkujton 114-vjetorin e ngritjes së flamurit, Vorpsi: Paraardhësit tanë patën kurajën për të ndryshuar rrjedhën e historisë

November 26, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In