Kryeministri Edi Rama ka dërguar në Presidencë për dekretim emrat e 8 ministrave të rinj dhe zëvendëskryeministrit, Erion Braçe.
Burime pranë Presidencës konfirmojnë për “Panorama” se në zyrën e kreut të shtetit kanë mbërritur emrat e ministrave të rinj.
Procedura
Emërimi i ministrave të rinj dhe shkarkimi i të vjetërve duhet të presë datën 21 janar. Kjo, pasi Kuvendi ka mbyllur sesionin e vjeshtës dhe fillon punën në të hënën e tretë të muajit janar.
Në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, ku flitet për sesionet e punimeve të Kuvendit, sanksionohet se Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit.
Për rrjedhojë, deri në mbledhjen e Kuvendit, ministrat e rinj nuk mund të bëhen pjesë e kabinetit qeveritar si titullarë të institucioneve ku janë propozuar. Krahas kësaj, te neni 98 dhe 99 i Kushtetutës, sanksionohet procedura për emërimin dhe shkarkimin e ministrit.
Duke qenë se Kryeministri Rama ka shkarkuar publikisht 7 anëtarë të Këshillit të Ministrave, por jo zyrtarisht, ai duhet t’i paraqesë Presidentit Meta kërkesën për ndryshimet në kabinet, konform neneve 98 dhe 99 të Kushtetutës, ku theksohet se: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës”.
Ndryshimet
Ndryshimet në kabinetin e qeverisë, Kryeministri Rama nuk i ka të shpeshta, aq më shumë kur bëhet fjalë për zëvendësime në bllok. Deri më tani ka bërë 3 ndryshime, një përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, ku shkarkoi disa ministra me argumentin se do të kryesonin fushatën elektorale nëpër qarqe dhe tjetra pas marrëveshjes Rama-Basha, ku u krijuan edhe ministritë teknike.
Ndryshimet e bëra publikisht ditën e premte përkojnë dhe me zëvendësimet më të mëdha të ministrave të bëra deri më tani nga Kryeministri Rama në pesë vite të qeverisjes së tij. Por për zëvendësimin e ministrave, Rama duhet t’i drejtohet shkresërisht Metës, ku të paraqesë edhe argumentet e tij për shkarkimin nga detyra të ministrave.
Kjo, pasi ndryshe nga rasti më i fundit, ai i largimit të Fatmir Xhafajt, që kishte dorëheqje nga detyra dhe Meta e firmosi direkt, Rama duhet të paraqesë argumentet, sepse në këtë rast flitet për shkarkim nga detyra. Krahas kësaj, Kryeministri Rama duhet të presë maksimumi 10 ditë në mënyrë që ai të marrë pëlqimin e Metës për të gjitha propozimet e bëra për të marrë poste në ekzekutiv.
Ministrat e rinj
Erion Braçe, Zv.Kryeministër
Besa Shahini, ministre e re e Arsimit
Belinda Balluku, ministre e re e Infrastrukturës dhe Energjisë
Gent Caka, ministër i Punëve të Jashtme
Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë
Blendi Çuçi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Eduard Shalsi, Ministër i Sipërmarrjes dhe Biznesit
Elva Margariti, Ministre e Kulturës
Elisa Spiropali, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ministrat që u larguan
Senida Mesi, Zv.kryeministre
Arben Ahmetaj, Ministri i Financave
Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës dhe energjisë
Ditmir Bushati, Ministër i Jashtme
Lindita Nikolla, Ministrja e Arsimit
Niko Peleshi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Sonila Qato, ministre e Sipërmarrjes dhe Biznesit
Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturë










