Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur në lidhje me peticionin e opozitës për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë, por ndër të tjera ka pranuar se pjesa veriore e Kosovës është e ndarë dhe është nën ndikimin e plotë të Serbisë. Kreu i ekzekutivit thotë se çështje tjetër është se a është dashur të ndodhë Asociacioni apo jo. “Ai nuk do të ndodhte sikur të arrinim t’i integrojmë me kohë serbët e Kosovës dhe sikur, me fajin tonë, por edhe të disave nga bashkësia ndërkombëtare të mos mbetet e ndarë pjesa veriore e vendit, nën ndikimin e plotë të Serbisë. Tani, kjo është zgjidhja që përkrahet nga miqtë tanë, të cilët na ndihmuan ta çlirojmë vendin, ta shpallim pavarësinë dhe ta ndërtojmë shtetin e pavarur”, ka përfunduar Mustafa.









