Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka treguar se i ka bërë ftesë zyrtari Kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markovic për të vizituar Prishtinën. Ka thënë se vizita e tij do të ndodhë në fund të muajit janar. Zyrtarët malazias kanë konfirmuar se do të vijnë në Prishtinë pasi të koordinohen dy kabinetet qeveritare për detjaet e vizitës.
Ramush Haradinaj i ka dërguar ftesë zyrtare homologut të tij malazias, Dushko Markovic, për të vizituar Kosovën, në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm.
Ai ka thënë se beson se para se Markovic të vijë në Kosovë, Parlamenti të vendosë lidhur me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Haradinaj ka thënë se bazuar në votat në Parlament versioni aktual i shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi do të rrëzohet nga të zgjedhurit e popullit. Ndërkohë, Zëvendëskryeministri Fatmir LImaj ka deklaruar se në janar do t’i jepet zgjidhje demarkacionit.
Sidoqoftë, Haradinaj ka thënë se nuk do t’i humbë kohë Kosovës me temën e kufirit me Malin e Zi dhe se Markovicit do t’i tregojë se kosovarët s’kanë asgjë të keqe kundër Malit të Zi.
“E kam ftuar edhe Kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markovic, një burrë i respektuar, që ta vizitojë Kosovën, vitin që vjen, në këtë rast, në janar. Në pjesën e fundit të janarit që edhe ai ta vërtetojë se Kosova është një partner. Edhe Kosova e ka një zor. Nuk është Kosova që vetëm po donë me vendos në pozitë të keqe Malin e Zi”, ka thënë Haradinaj, shkruan Gazeta Express.
Mali i Kosovë kishte nënshkruar marrëveshjen me Kosovën në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Pastaj, malazezët e kanë ratifikuar këtë marrëveshje ndërkombëtare edhe në Parlamentin e tyre derisa Kosova vazhdon të mos japë përgjigje për këtë temë. Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti kanë dështuar të marrin një vendim përfundimtar lidhur me këtë marrëveshje. Deri tash, zyrtarët malazias kanë deklaruar se çështja e shënjimit të vijës kufitare me Kosovës është çështje e brendshme e Kosovës.
Sidoqoftë, Ramush Haradinaj edhe sa ishte në opozitë e ka kundërshtuar demarkacionin me prentedimin se Kosova ka humbur tokë nga kjo marrëveshje.
Kundër Haradinajt kanë dalë PDK e LDK, parti këto që kanë thënë se nuk qëndrojnë pohimet se Kosova po humb tokë me marrëveshjen për kufi me Malin e Zi.
Edhe Vetëvendosje ka deklaruar vazhdimisht se është kundër kësaj marrëveshje pasi është e dëmshme për Republikën.
Në gjithë këtë situatë, për shkak të mospërmbylljes së kësaj marrëveshjeje, Kosova vazhdon të mos e ketë liberalizimin e vizave. BE e ka vendosur si kusht ratifikimin për t’iu dhënë kosovarëve të drejtën e lëvizjen pa viza në BE.











