Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi ka tërhequr sërish vemendjen në takimin e mbajtur për Vjosën si Park Kombëtar në Tepelenë.
Në fjalën e tij ai theksoi se banorët e Luginës së Vjosës do ta mbrojnë Vjosën si lumin e egër të vetëm në Evropë por nga ana tjetër kërkoi që jeta e re banorëve të Parkut Kombëtar të Vjosës të mundësohet duke ndihmuar financiarisht këtë projekt.
Nga sot e tutje, me shpalljen e Vjosës Park Kombëtar Natyror, do ta na duhet ne të kujdesemi për Vjosën dhe ti kthejmë asaj borxhin shekullor për mbijetesën tonë. Tani është ajo që ka nevojë për mbijetesë. Dhe ne jemi mbledhur sot të zotohemi se do ta mbrojmë atë.
Pra ne prej sot, nuk do të na duhet të mendojmë vetëm për mbijetesën e Vjosës së egër, por dhe për ekonominë tonë, për mbijetesën tonë dhe duhet të përshtatim të ardhmen e zhvillimit tonë ekonomik dhe social në përputhje me objektivin për ta ruajtur Vjosën si një park kombëtar.
Jeta jonë e re si banorë të parkut Kombëtar të Vjosës, natyrisht do të jetë e ndryshme nga jeta që kishim planifikuar më parë. Do të jetë një jetë me më pak investime publike, më shumë turizëm natyror, më shumë kujdes për mjedisin dhe ujerat e zeza të mos derdhen në Vjosë, më shumë kujdes për mbeturinat që ndotin lumin, më shumë kujdes për fshatrat dhe qytetet buzë Vjosës që të mos kthehen në problem për pastërtinë e saj dhe shumë probleme të tjera.
Me një fjalë jeta jonë e re si banorë të Parkut Kombëtar të Vjosës, rrezikon të na kthej në banorë të një rezervati, me shumë më pak mundësi për zhvillim dhe shumë nevoja financiare për mbijetesë.
Shpresoj që të gjejmë një të mesme të art, ku bashkë me Vjosën të mbijetojë dhe ekonomia e Vjosës, e cila është vendimtare për të mbajtur njerëzit në këtë territor dhe për tu kujdesur për Vjosën.
Ndaj nëse duam të gjithë të mbrojmë Vjosën, duhet të mendojmë për ekonominë që duhet të prodhoj ky Park Kombëtar Natyror. Dhe kjo ekonomi duhet të jetë e qëndrueshme dhe e shëndetshme, për ti siguruar se Vjosa do të mbijetoj si lum i egër dhe ne banorët e Parkut Kombëtar të jetojmë si njerëz normal .
Në fund duke mbyllur fjalimin Tërmeti ju drejtua kryeminstrit Rama.
-Komandant . Dhe një gjë desha ti siguroj këta miqtë komandant. Vjosën do ta ruajm si lumë të egër por mos na kërkojnë dhe njerëz të egër se skemi më./m.j