Shtretërit e lirë në spitalet e Londrës janë drejt mbarimit për shkak të numrit të lartë të shtrimeve të pacientëve me koronavirus.
“Në ditët e ardhshme, mund të na mbarojnë shtretërit e lirë për shkak të rritjes së rasteve të Covid-19 në kryeqytet”, tha të enjten kryetari i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan.
Teksa nuk fshehu as shqetësimin e tij, Khan pohoi se virusi është jashtë kontrollit dhe spitalet janë në prag të mbingarkesës.
“Spitalet janë në prag të mbingarkesës. Nuk ka pasur asnjë moment gjatë kësaj pandemie ku unë kam qenë më i shqetësuar sesa jam sot”, shtoi ai.
Khan iu bëri thirrje londinezëve që të “qëndrojnë në shtëpi” dhe tha se punonjësit e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar “janë të mbingarkuar me punë dhe shumë prej tyre po vuajnë trauma që mund të duan vite për t’u rikuperuar”.
Britania e Madhe aktualisht po përballet me një valë shkatërruese të pandemisë. Të mërkurën, ajo regjistroi rritjen e saj më të lartë ditore në vdekjet e lidhura me koronavirus që nga prilli, me një total prej 1,041 vdekjesh. Vendi aktualisht është nën bllokim, me kufizime të vendosura në të katër kombet e saj./a.p