Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në një takim kryetarin e Bashkisë së Firences, Dario Nardella, me të cilin diskutoi mundësinë e rritjes së bashkëpunimit mes dy qyteteve për projekte në çështjet e kulturës, transportit publik, ndriçimit etj.
Dy homologët vlerësuan se komuniteti i madh shqiptar që jeton në Firence si dhe ai italian në Tiranë, janë një urë komunikimi mes dy vendeve, për ndërtimin e një raporti edhe më dinamik në të ardhmen.
Kryebashkiaku Veliaj e informoi homologun Nardella me projektet e mëdha të Tiranës, veçanërisht për Sheshin Skënderbej, Bulevardin e Ri dhe Pazarin e Ri, i cili u çel para pak ditësh për qytetarët. Ata zhvilluan një vizitë edhe në kantierin e punës në Sheshin “Skënderbej”, i cili është konceptuar si një hapësirë publike kushtuar qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, ku Veliaj e njohu homologun e tij me ecurinë e punimeve. Mandej, Veliaj dhe Nardella mbollën në mënyrë simbolike edhe disa pemë në shesh.
“Komunikimi mes qyteteve është po aq i rëndësishëm sa komunikimi mes shteteve. Ndaj, është një mundësi fantastike kur kryetarët e bashkive shkëmbejnë ide se si qytetet mund të jenë më të gjelbra, më të jetueshme, ku qytetarët bëjnë realitet ëndrrat e tyre. Në këto kohë kur diskutohen politika të populizmit, ku sensi cinik dhe i mohimit të gjithçkaje është i lartë, besoj se kundra-oferta janë politikat progresive”, tha Veliaj dhe falenderoi kryetarin e Bashkisë së Firences, Dario Nardella për të gjithë ndihmën që u jep shqiptarëve në Firence.
Homologu italian e falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe vlerësoi dëshirën e dinamizmin e tij për shndërrimin e Tiranës në një qytet model Europian. “Falenderoj kryebashkiakun e Tiranës për këtë mikpritje shumë të bukur dhe shumë të dashur. Në këtë qytet të madh ndjej entuziazëm, dëshirë për t’u rritur; kjo është energjia e duhur që i shërben një vendi si Shqipëria dhe një vendi si Europa. Shpresoj që raporti që mund të rritet midis Tiranës dhe Firences mund të jetë një pikë drejt Europës që ndihmon për ta çuar Shqipërinë në Europën e Bashkuar. Jemi gati t’i japim një dorë të madhe këtij qyteti e ndihem i lumtur që u njoha me kryebashkiakun, një njeri i ri, por shumë dinamik, me një eksperiencë të bukur. Të mos harrojmë se kemi shumë shqiptarë në Firence, një arsye më shumë për të krijuar një raport të vërtetë, konkret, dinamik”, tha Nardella.
Nga ana e tij, Veliaj theksoi se nga ky bashkëpunim do të bëhet më shumë në çështje të kulturës, të transportit publik, të ndriçimit e ide të tjera. Duke e cilësuar fantastike mbjelljen e 5 mijë pemëve brenda këtij muaji, ai theksoi se aty ku ka vullnet mund të bëhen gjëra të mrekullueshme. “Vetëm këtë muaj kemi mbjellë mbi 5 mijë pemë, kryesisht në Sheshin “Skënderbej”, në Bulevardin e Ri, te Liqeni i Tiranës, te Liqeni i Farkës dhe te Liqeni i Kasharit, diçka që nuk ndodhi për katër vjet. Do të thotë se aty ku ka vullnet, bashkë me qytetarët mund të prodhojmë një alternativë ndaj populizmit. Alternativa ndaj populizmit janë politikat progresiste, gjërat e prekshme për qytetarët, të cilat ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre”, theksoi Veliaj.
Më pas, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli edhe në konferencën me temë “Të jesh qytet sot”, e organizuar nga Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku morën pjesë kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi si dhe arkitekti italian, Stefano Boeri, i cili bëri një prezantim të detajuar të Planit të Përgjithshëm Vendor “TR2030”. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Plani i Përgjithshëm Vendor do t’i japë Tiranës po atë ndryshim rrënjësor që pësoi edhe Pazari i Ri, duke synuar jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por edhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Ky projekt transformues nuk është thjesht një projekt arkitekture, por vjen si një transformim edhe i arkitekturës mendore, i mënyrës se si komunikojmë me njëri-tjetrin, si e ndajmë në mënyrë demokratike hapësirën publike, si rrisim vlerën e pronës dhe ndikojmë në tregun imobilar falë një investimi arkitekturor, që ka për qëllim jo vetëm rigjenerimin urban, por edhe një transformim të stilit të jetesës dhe të bashkëpunimit komunitar me hapësira si Pazari i Ri. Unë besoj që sot është jo vetëm një mrekulli e transformimit urban, si shumë të tjera që janë planifikuar në planin “TR030”, por është ndoshta një dallëndyshe e parë e një vizioni se çfarë mund të ndodhë nëse bashkia përqafon një frymë transformuese”, tha kryetari Veliaj.
Ai shtoi se një nga projektet transformuese të Tiranës, pjesë e këtij planit urbanistik, është Bulevardi i Ri, i cili sipas tij, i jep frymëmarrje zgjerimit të qytetit në një pjesë që deri më tani ka qenë një nga zonat informale dhe më pak të preferuara. “Në dallim nga shumë qytete të tjera, Tirana është zhvilluar rreth një boshti, që është Bulevardi i Vjetër. Imagjinoni, ka të njëjtin shtyllë kurrizore prej 100 vitesh. Imagjinoni një fëmijë që rritet, por gjatësia e shtyllës së tij kurrizore nuk ndryshon. Kjo metaforë shpjegon se sa të atrofizuar jemi në hapësirat urbane, të mbuluar me tumore betoni rreth të njëjtës shtyllë kurrizore, e cila sot ka nevojë të zgjatet. Ndaj edhe po e dyfishojmë Bulevardin”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se shumë shpejt do të hapet për kalimtarët pjesa e parë e Bulevardit, e cila është drejt fundit, ndërsa ka nisur edhe gjelbërimi i tij. Ai vuri në dukje se një projekt strategjik për Bashkinë e Tiranës është edhe ai i Pyllit Orbital. “Pylli Orbital është një mënyrë horizontale e Pyllit Vertikal, ku ne planifikojmë të ndërtojmë një pyll, i cili në vitet e ardhshme do të jetë ‘muri’ i gjelbër i Tiranës”, tha ai. Sipas tij, Tirana ka nevojë për plane dhe projekte të realizueshme që i përshtaten zhvillimit dhe mundësive që ofron qyteti.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi, shprehu kënaqësinë për ndryshimet që ka pësuar Tirana së fundmi, ndërsa vlerësoi punën që po bëhet për reformimin e transportit publik. “Kemi folur sot në Tiranë për atë bashkëpunim midis popullit italian dhe atij shqiptar, që ka lindur midis qytetit të Veronës dhe Tiranës. Po bashkëpunojmë me qytetin e Tiranës që të shohim mundësinë për të bashkëpunuar edhe në fushën e transportit publik. Edhe aty kemi një eksperiencë të mirë që duam ta ndajmë me qytetin e Tiranës”, tha Tosi.
Duke vlerësuar punën e bërë gjer më tani në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella shtoi se çdo problem përballohet me pasion. “U njohëm sot, por pashë tek ai një entuziazëm, të njëjtin entuziazëm që kam unë për qytetin tim dhe besoj se e vetmja mënyrë për ta përballuar këtë punë, pra punën e kryebashkiakut, punën më të vështirë që një politikan mund të bëjë, është ajo e të bërit të gjërave me shumë shkathtësi dhe pasion. Qytetet janë të destinuara të shohin gjithmonë nga e ardhmja. Ato nuk vdesin kurrë dhe kushti që kjo të mos ndodhë është që të jetojnë gjithmonë me transformimin”, përfundoi Nardella. /b.d