Shumë banorë të Krujës kanë përfunduar në spital duke paraqitur simptomat të të vjellash dhe diarreje, kjo për shkak se në lagjen Derede Dollak, uji i pijshëm është i ndotur.
Uji është ndotur për shkak të çarjes së tubacioneve dhe përzierjes me fekalet, duke sjellë si rezultat infektimin me bakterin Escherichia-coli, e njohur ndryshe si salmonela.
Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtuesi i Inspektorit Mjedisor në DSHP-në e Krujës Durim Kulli.
“Sinjalizimin e parë e kemi marrë para 4 ditësh. Pacientët e parë para 4-5 ditësh. Menjëherë kemi bërë analizat e ujit të pijshëm. Uji është ndotur nga bakteri Escherichia-coli. Është një pjesë që furnizon popullatën e lagjes nr.4. Bëmë bllokimin e linjës, e mbyllëm tërësisht dhe po monitorojmë punën që po bëhet për desinfektimin e ujit. Po punojmë për të gjetur shkakun. Çarja e tubacionit nga përmbytjet dhe bashkimi me ujërat e zeza mund të jetë një shkak. Aktualisht janë 1-2 pacientë të shtruar në spital”, ka thënë Kulli.