EKSKLUZIVE / Qeveria serbe ka marrë vendim të pezullojë marrëdhëniet me ambasadorin shqiptar në Beograd Ilir Boçka. Kryeministri Vuçiç u shpreh sot se Boçka do të shpallet ‘non grata’ ndërsa komunikimi me të do të pezullohet për 6 muajt në vijim. Shkak për këtë është bërë një pretendim i palës serbe se ambasadori jonë ka refuzuar të marrë notën e protestës.
Burime diplomatike për ‘JavaNews.al’ bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme pala serbe ka thirrur ambasadorin Boçka që të marrë një notë proteste dorazi, sa i përket incidentit me autobusin. Thirrja i është bërë Boçkës rreth orës 8 të mbrëmjes ndërsa ambasadori e ka refuzuar nën pretendimin se është vonë duke shtuar se do të paraqitej të nesërmen (sot).
Por ç’ka ndodhur një vit më parë, teksa kombëtarja jonë u dhunua në stadiumin e Beogradit, dhunë kjo e pajustifikueshme që i solli më pas fitoren në tavolinë kuqezinjve?
Mbrëmjen e ndeshjes, Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur në takim urgjent për t’i dorëzuar ambasadorit serb në Tiranë një notë proteste, kryesisht mbi dhunën që ishte ushtruar ndaj stafit shoqërues. Atë mbrëmje, Miroljub Zariç i është shmangur takimit në MPJ, dhe është paraqitur një ditë më pas. Sigurisht, vonesa në rastin e të dy ambasadorëve është e justifikueshme pasi një hapësirë kohore për të marrë udhëzimet nga vendet e tyre është e nevojshme.
Por, në marrëdhëniet diplomatike qeveritë kanë të drejtë të zbatojnë parimin e reciprocitetit. Kështu, ‘precedenti Boçka’ nuk është aspak risi duke qenë se Zariç ka vepruar në të njëjtën mënyrë një vit më parë. Pikëpyetja shtrohet a do ta shpallë MPJ shqiptare ‘non grata’ ambasadorin Miroljub Zariç? (JavaNews.al)