Nga Dr. Gëzim Alpion, Universiteti i Birminghamit, Angli/ Mendime për dy romanet e Arben Shehit
Nga botimet e disa autorëve bashkëkohor mund të nxjerrësh konkluzionin se letërsia shqipe po vazhdon t’i bej ‘autopsinë’ sistemit komunist nga këndvështrime të ndryshme, një ndër të cilët është edhe ai psikologjik. Në qendër të kësaj letërsie ‘terapike’, është ‘njeriu i ri i Partisë’, një krijesë ideologjike që u fabrikua intensivisht gjatë regjimit totalitar për të justifikuar sulmin e organizuar dhe ‘largpamës’ që synonte, ndër të tjera, shkallmimin e strukturave sociale.
Trushpëlarja ideologjike masive që rezultoi në diskreditimin dhe kriminalizimin e çdo vlere jo komuniste, synonte kryesisht legjitimizimin, nën maskën e ligjërimi të ‘unitetit’, e diktaturës absolute, pasojat e së cilës, sidomos përsa i përket mendësisë, po i vuajmë edhe në dekadën e tretë të ‘demokracisë’ kaotike, njëherazi në planin individual, kolektiv, shtetëror dhe kombëtar.
Rrënimi i strukturave sociale në Shqipërinë dhe Kosovën e sotme, si në të gjitha territoret e banuara nga të parët tanë, filloi intensivisht me invazionin romak. Pas romakëve, nga shekulli i pestë, për të mos thënë më herët, ishin fiset barbare, veçanërisht sllavët, që praktikuan një fushatë të vazhdueshme ikonoklaste sistematike për çmontimin dhe përfundimisht shfarrosjen në hapsirën ilirike të strukturave sociale, dhe bashkë me ta, të traditës, kulturës dhe institucioneve shpirtërore të popullsisë indogjene. Ky ishte qëllimi strategjik edhe i pushtuesve osmanë të cilët, veçanërisht nga shekulli i 16-të, ndërmorrën shkatërimin masiv të aristokracisë së Arbërisë për ta zëvendësuar atë me një klikë mercenare servile.
Ky mercenarizëm, që u shfaq si rrjedhojë e rrethanave historike, gradualisht u shndërua në ‘traditë’, e cila nuk kishte se si te mos e ndiqte si hije shtetin shqiptar që në fillimet e tij. Edhe pas 100 vjetësh, ne nuk jemi në gjendje të përballemi si dhe sa duhet me këtë mercenarizëm, dhe pasojat e tij më të neveritshme, servilizmin dhe apatinë, për të vepruar si qytetarë të përgjegjshëm.
Po zgjatem jo pa qëllim në këtë çështje para se të filloj të komentoj më konkretisht rreth tematikës dhe personazheve në dy romanet e Arben Shehit – Gryka e Pusit dhe Viti i Qenve, botuar nga Toena respektivisht në 2011 dhe 2013 – pasi të dy këta aspekte kuptohen më mirë po qe se shikohen në prizmin e mentalitetit të vasalit servil që trashëguam si rezultat i shkallmimit të strukturave sociale gjatë invazioneve të lartpërmendura, shkallmim që, në komunizëm, u praktikua me përmasa çmendurie nga vetë shqiptarët.
Si sociolog, mendoj se kjo është një fushë ku, si shkencat sociale dhe humane, edhe letërsia mund të ndihmoj për të kuptuar ‘fragmentaren’, këtë tipar dallues (dhe jo gjithmonë në kontekst pozitiv, siç kam argumentuar në një shkrim tjetër) i psikologjisë, mentalitetit, të kaluarës dhe aktualitetit tonë si shtet dhe komb.
‘Kopilizimi’ i njeriut ‘të ri’ idologjik nuk kishte si të mos rezultonte në krijimin një turme të nënshtruar ndaj cenzurës dhe varfërisë shpirtërore dhe materiale, të pa-artikullueshme dhe inerte edhe kur ju imponua vizionin vetëshkatërues, sa donkishotesk aq edhe mizantropik, për të ngrënë bar për hir të ‘parimeve’.
Pavarësisht iluzionit të përkohshëm të ekzistencës së faktorit ‘udhërrëfyes’ intelektual, edhe aspirata për t’iu bashkuar Europës në fillim të viteve 1990-të, përfundoi në një ndërmarrje të dështuar, dhe kjo, kyesisht, pasi ne akoma vazhojmë të vuajmë mëkatet e sindromës së turmës. Dështimi më i madh i shtetit 100 vjeçar është se nuk ka punuar për krijimin e një sfere publike aktive, kaq e rëndësishme për të sjellë shtetin dhe qytetarët më pranë njëri tjetrit. Në mungesë të një bashkëpunimi të tillë, hendeku midis demos-it dhe shtetit do të vazhdoj të thellohet edhe më shumë dhe, bashkë me të, të venitet shpresa se dikush, dikur, do të na udhëheq drejt emancipimit social dhe farkëtimit të kohezionit kombetar që, tani për tani, mbijeton në sajë të patriotizmit folklorik, që ka të mirat dhe të mëkatet e tij, të cilat nuk do t’i shtjelloj këtu.
Për aq kohë sa shteti shqiptar mbetet një instrumet klientalist, që për ‘rregullator’ ka nepotizmin dhe rryshfetin, ne do të vazhdojmë të vegjetojmë si popull pa drejtim. Me pak përjashtime, politikanët shqiptarë në 100 vitet e fundit përbëjnë një harbutëri pa busull morale. Për aq kohë sa kjo makutëri të vazhdoj të mbretëroj pa u sfiduar serioizisht, ne do të jemi të privuar nga elita për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë.
Ky është, me sa duket, një ndër leitmotivet e dy romaneve të Arben Shehit. Disa personazhe në Grykën e Pusit dhe Vitin i Qenve e kuptojnë se po poshtërohen si në planin individual dhe më gjerë: familjar, profesional, dhe fetar. Megjithatë, reagimi i tyre i vetëm është ankimi murmëritës. Kësaj kategorie u përkasin në Vitin e Qenve veterinier Faiku, gjyshe Dabi dhe djali i saj, i referuar si Axha. Të vetmit që bëjnë diçka për tju kundërvënë poshtërimit janë femijët.
Ngjarjet në Vitin e Qenve zhvillohen nga viti 1945 deri në vitin 1967, kur u mbyllen institucionet fetare. Qëllimi kryesor në këtë roman është demaskimi i vendimit të regjimit komunist për të shpallur Zotin ‘persona-non grata’, një akt arrogant dhe tragjiko-komik i një klike e cila, nën pretekstin e ‘fuqizimit’ të popullit, synoi dhe arriti të siguroj pushtet absolut.
Në Vitin e Qenve, Shkodra është paraqitur si një terren ideal për të trajtuar këtë temë sensitive pasi ky qytet ka sintetizuar historikisht traditën kulturore dhe patriotike, si dhe bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare. E rëndësishme, në kontekstin e çështjes së lartpërmendur të ‘elitës’ se imponuar, në këtë rast asaj ‘lokale’, është se pushtetarët e rinj janë të gjithë të ‘ardhur’ dhe ‘pa taban’: sekretari i partisë, Koço Byberi, është diku nga jugu, ndërsa lakejtë, Lec Dugaja dhe Pinuci, nga rrethinat e Shkodrës. Si pesonazhe ‘pa rrënjë’, ata nuk kanë bosht moral.
Kësaj kategorie u përkasin edhe personazhet pa karakter në romanin Gryka e Pusit të cilët, po ashtu, janë kryesisht spiunë, mediokër, e thashethemexhinj.
Romanet në fjalë kanë nga një personazh kryesor – Besi në Vitin e Qenve dhe Argenti në Grykën e Pusit – por u mungojnë heronjtë e mirëfilltë. Në qendër të tyre është ‘anti-heroi’, i cili nuk eshte individ por turma amorfe që vegjeton në një batak antivlerash.
Ky llum moral në Gryken e Pusit duket se ka infektuar këdo, përfshirë edhe Argentin, simbolika e emrit të të cilit e bën infektimin e tij, megjithëse jo tërësor, edhe më shumë domethënës dhe të trishtueshëm. Mardhëniet e Argentit me Dianën janë intriguese. Argenti, si pjellë dhe viktimë e ambientit amoral ku jeton dhe ‘ç/krijon’ (megjithëse jo nga mungesa e aftësive dhe e shijeve) është moralisht i dobët po aq sa kolegët e tij pa talent dhe pa skrupuj.
Diana është një personazh më intrigues se Argenti, megjithëse për të nuk dimë shumë. Ajo është një kombinim i liberalizimit seksual, që në perëndim u manifestua në vitet 1960-të, i gruas intelektuale shqiptare që, sipas Shehit, në komunizëm përdori ‘seksin’ për të pasur një jetë më të mirë, apo për të ‘protestuar’ ndaj një situate ku ndërsa ligjërimit zyrtar predikonte emancipimin e gruas, shoqëria ngelej në thelb patriarkale dhe misogjeniste.
Askush nuk e kupton Dianën; as Argenti, i cili, me sa duket, e shikon liberalizimin e saj jo si protestë por si shprehje e oreksit seksual të pafrenuar! Diana nxjerr në pah perversitetin e burrave të cilët ‘shquhen’ për shantazh ndaj njëri tjetrit, si rezultat i të cilit vetëflijohet ‘babai’ i Hanës.
Hana është një krijesë enigmatike. Megjithëse liberalizimi seksual i Dianës është kontravers, me ‘imoralitetin’ e saj, Diana është personazh më tërheqës se Hana e cila, më keq se e ëma, bëhet viktimë e kulturës patriarkale që shantazhon ndaj femrave të cilat nuk kanë kurajo të mbrojnë dinjitetin e tyre. Poshtërimi i femrës dhe vuajten e saj në heshtje hasen edhe në Vitin e Qenve në mardhëniet e Lecit me Inën dhe përdhunimin e Gjystinës nga Koço.
Personazhet në këta dy romane vegjetojnë nën diktatin e injorancës, intrigës dhe kërcënimit. Këtyre ‘njerëzve të rinj’ u kërkohet të jenë krijues origjinal por jo aq sa që të admirohen nga ‘armiqtë’ e jashtëm, siç është rasti i Argentit, i cili bëhet objekt i një hetimi absurd pas akordimit të një çmimi në Skoci për Muzeun e Burrelit.
Këta dy romane i japin mundësi lexuesit të moshuar të reflektoj rreth ngjarjeve të viteve 1960-të dhe trysnive me të cilat intelektualët përballeshin deri në fund të sistemit komunist, ndërsa lexuesit të ri të mësoj për një periudhë, e cila, si faza të tjera të historisë, vazhdon të intepretohet në mënyrë tendencioze.
Si pjesë e traditës letrare terapike, që përmenda më sipër, dy romanet e Shehit mund të interpretohen si paralajmërim për pasojat e vegjetimim social, tendencës për tu ankuar vetëm nën zë, dhe servilizmit si mënyrë për të ecur në jetë.
Që kjo terapi të jetë sa më e efektshme, uroj që edhe analiza e së tashmes të fillojë pa vonesë pasi letërsia nuk synon thjesht apo kryesisht dokumentimin dhe reflektimin e historisë vetëm kur një kapitull mbyllet. Shkrimtarët duhët të përballen me përkushtim dhe integritet edhe me Shqipërinë aktuale, aq më tepër po të kemi parasysh se jeta jonë sociale i përngjan një riciklim mëkatesh kolektive të trashëguara, nga të cilat nuk po gjejmë shpëtim.