Intervistë me Akademik, Prof. Anastas Angjeli
– Më lejoni që ta nisim këtë intervistë, duke marrë fillimisht një konsideratë tuaj në lidhje me ekonominë shqiptare për vitin 2022 dhe këtë vit, që sapo ka nisur. Në fakt edhe nga prezantimet që bëri Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi, për një rritje me 4.2% për 9–mujorin; vijojmë të kujdesemi më shumë për stabilitetin, çfarë indikatori është ky për një ekonomi në zhvillim?
Padyshim që viti që lamë pas është karakterizuar nga disa vështirësi, të cilat kanë pasur në bazën e vet situatën ekonomike të krijuar nga kriza; veçanërisht nga ajo e luftës në Ukrainë, por në të njëjtën kohë ka mbartur me vete edhe pasojat e krizës së koronavirusit. Kështu që, e parë në këtë këndvështrim, mund të themi që karakteristikat kryesore të ekonomisë gjatë vitit 2022 bazohen në faktin, që tipari më kryesor i saj ka qenë rritja e çmimeve me pakicë, rritja e inflacionit ë cila ka goditur kryesisht bizneset dhe buxhetet familjare. Edhe pse ka qenë një krizë e tillë, duhet të themi që ekonomia në përgjithësi performoi duke iu afruar targetit që kishte vënë. Shifra e deklaruar që tremujori i fundit u rrit ekonomia me 4% është dëshmia e asaj që, pavarësisht goditjeve që mori ekonomia, tkurrja ekonomike e parashikuar, nuk shkoi aq sa mendohej, kështu që fundviti që lamë pas dëshmoi që rritja ekonomike do t’i afrohet objektivit të saj. Ky është një vlerësim dhe një konsideratë pozitive për ekonominë shqiptare, sidomos në rrethanat e kësaj krize globale, të ekonomisë së eurozonës dhe asaj rajonale. Janë disa sektorë që pavarësisht goditjeve të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me lëndë të para dhe me mallra, pavarësisht inflacionit, i cili kaloi objektivin shumë, u dyfishua, trefishua në raport me target dhe rritjes së çmimeve, këta sektorë kanë arritur të performojnë mirë, të rriten siç është sektori i ndërtimit, turizmit, bujqësisë, shërbimeve. Po duhet të keni parasysh që me sektorin e ndërtimit janë të lidhur 100 edhe më shumë biznese dhe profesione të ndryshme, kështu që sistemi zinxhir i rritjes ekonomike në sektorin e ndërtimit, ka vepruar e ndikuar edhe në degët e sektorët e tjerë të ekonomisë. Të gjitha këto shënuan një impuls të fortë përballë krizës dhe kjo bëri të mundur që mbyllja e vitit të jetë me një tkurrje të vogël, duke ju afruar targetit.
Padyshim që kjo rritje ekonomike nuk mund të shmangte goditjen nga inflacioni dhe nga rritja e çmimeve, për arsye se inflacioni pati një rritje rreth tek 8% në përgjithësi, por ajo që është pozitive dhe karakteristike është që dy muajt e fundit, nëntori dhe ndoshta dhe dhjetori, (presim të dalin rezultatet), shënuan një kthesë në ulje të vogël të kurbës së inflacionit, që është një sinjal pozitiv ashtu sikundër se është deri tashmë edhe ulja e shënuar për çmimet që ishin në rritje. E rëndësishme është që çmimet e produkteve të shportës, që janë më të domosdoshme për jetesën e qytetarëve të ndjekin kahjen e uljes së tyre, me qëllim që në fund të vitit të ardhshëm, (nga mesi i vitit e tutje) inflacioni të vazhdojë kthesën për të arritur në vitin 2024 në targetet tek 2-3%. Edhe viti që sapo filluam parashikohet me rritje ekonomike, por më të vogël se 2022, sipas FMN rritja do të jetë 2.2%, sipas Bankës së Shqipërisë 2.4%; dhe sipas qeverisë, rritja është më optimiste, prej 2.6%. Këtu duhet të konsiderojmë dhe parashikimet për zhvillimin e ekonomisë globale dhe asaj të eurozonës, tkurrja e secilës do të vazhdojë, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, fundi i secilës është ende i papërcaktuar. Për më tepër ekonomitë e mëdha europiane si ajo e Gjermanisë, Italisë, Britanisë, nuk kanë shpëtuar ende nga “rreziku” i rënies në recension. Jo më kot Drejtoria Ekzekutive e FMN: Deklaroi se: “…me e keqja e kësaj krize të ekonomisë globale, nuk ka kaluar akoma”
– Si e shihni nismën e fundit të qeverisë për shpërndarjen e 8 miliardë lekëve për disa kategori në fillim të muajit janar?
Nuk do të ishte normale nëqoftëse nuk do të kishte një paketë mbështetjeje për ekonominë, për qytetarët, për shtresat në nevojë, për pensionistët, për biznesin në situatën që jemi. Sepse, siç e thashë, nëqoftëse flasim për një performim pozitiv të ekonomisë,jo shume larg targeteve të parashikuara, njëherazi flasim për një goditje të rëndë nga kriza e rritjes së çmimeve dhe inflacionit e cila kryesisht, deri tani, ka qenë e mbartur,e importuar, si rrjedhojë e efektit domino nga jashtë, për shkak të mallrave dhe lëndëve të para të blera me çmime të larta në tregjet ndërkombëtare, për shkak të krizës, atëherë padyshim që këto shtresa janë goditur më shumë gjatë periudhës së krizës. Si rrjedhoje e çmimeve duhet pranuar që edhe buxheti i shtetit nga pikëpamja e të ardhurave performoi më pozitivisht me rreth 520 milion euro më tepër në rritjen e të ardhurave. Padyshim që këtu duhen kërkuar edhe arsyet pse u rritën këto të ardhurave. U rritën se performoi ekonomia? Ekonomia performon gati gati sipas planit, pak me pak sipas targeteve që kishim. U rritën se punuan më mirë organet fiskale?. Duhet konsideruar disi dhe kjo. Por pjesa kryesore e rritjes së të ardhurave ka ardhur nga rritja e çmimeve, të lëndëve te para, të naftës dhe të mallrave ushqimore.
Atëherë përderisa ka ardhur nga rritja e çmimeve kush janë goditur më shumë nga kjo rritje çmimesh? Janë goditur buxhetet familjare dhe veçanërisht shtresat në nevojë. Është goditur biznesi dhe duhet menduar, dhe këtë ka bërë në rastin konkret qeveria, që në këtë situatë krize që të ardhurat janë rritur në këtë mënyrë dhe me këto burime të ketë një drejtësi ekonomike, një drejtësi sociale,një drejtësi financiare më të madhe. Dhe kjo drejtësi vihet në vend duke ofruar një paketë me mbështetje kryesisht të këtyre shtresave në nevojë. Siç dihet, qeveria dha një mbështetje për shtresat në nevojë, shtresën e pensionistëve me një shpërblim prej 8000 lek të reja. Punonjësit e administratës publike, me paga deri ne 60.000 leke një mbështetje prej 20.000 leke dhe për ata mbi 60.000 lek një mbështetje prej 10.000 lek. Në këtë mënyre çfarë bëhet? Ato të ardhura që u krijuan më tepër, një pjesë e mirë e tyre do të shkojë për të mbështetur këto shtresa, një pjesë e mirë e tyre do të shkojë në ekonomi dhe një pjesë e tyre në forma të tjera do të shkojë edhe për biznesin, për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Një shpërndarje sa me e drejtë në sasi dhe me targeted e caktuara ndaj shtresave të ndryshme të shoqërisë dhe aktorëve të ekonomisë, padyshim që është një instrument pozitiv që vihet përballë pasojave të të dy krizave të cilat vazhdojnë të jenë në ekonomisë tonë.
– Si e konsideroni këtë model zhvillimi që kemi Z. Angjeli, ndërtojmë kulla por në fakt duket që nuk pasqyrojnë efektet e një ekonomie në shpërthim?
Kur flasim për modele kini parasysh që flasim për modele ekonomik të cilët kanë të bëjnë me prioritete, kanë të bëjnë me objektiva, me strategji të zhvillimit dhe natyrisht që çdo qeveri që vjen në pushtet me votën e popullit paraqet program dhe strategji për zhvillimin e vendit. Kështu ka ndodhur edhe në këto tre mandatet e kësaj qeverisjeje. Nuk është se po zhvillohet vetëm ndërtimi dhe sapo e përmendëm, që ndërtimi ka dhënë impuls pozitiv në rritjen ekonomike. Është ndër sektorët që është zhvilluar më shumë. Është tjetër debati pastaj që diskutojmë se në çfarë kosto, çfarë çmimesh në shitje etj.? Kini parasysh që kostot e lëndëve të para janë rritur të gjitha por ky sektor duke u lidhur me sektorët e tjerë ka ndikuar pozitivisht. Nuk është se në Shqipëri ndërtohen vetëm kulla edhe pse ndërtohen. Kemi zhvillim të infrastrukturës dhe shpenzime në energji. Turizmi u zhvillua, shërbimet, bujqësia. Strategjia më e mirë është si ta përballim më mirë këtë krizë, çfarë paketash mbështetëse duhet të ofrojmë, duke mos lejuar që të dëmtohet rritja ekonomike, duke ruajtur shëndetin e financave publike, duke mbajtur të stabilizuar sistemin financiar-bankar dhe lekun; të zbusim maksimalisht pasojat e kësaj krize mbi shtresat në nevojë, buxhetet e tyre familjare dhe biznesin; pasojat të bien maksimalisht mbi buxhetet familjare. Kështu që strategjia më e mirë e ndjekur për të përballuar situatën tri vjeçare në krizë të ekonomisë në Europë dhe në të gjithë vendet, bazuar dhe në modelet që po ndjekin dhe institucionet ndërkombëtare dhe rekomandimet e tyre dhe vendet e BE, është që paralelisht të ketë një ekuilibër midis vazhdimit të zhvillimit ekonomik që ekonomia të mos bjeri në recension dhe në të njëjtën kohë mbështetja me anën e paketave ekonomike dhe financiare të qytetarëve në nevojë dhe të sektorit të biznesit, do të quhej optimale.
– 30 vjet nga tranzicioni por ende jemi në diskutim për formalizimin e ekonomisë. Paaftësi, mungesë vullneti apo ekuilibër që pasqyron raportin me atë që e quajmë ekonomi kriminale?
Informaliteti është një sëmundje, një bashkudhëtare e të gjithë ekonomive në çdo vend. Ku më shumë dhe ku më pak por natyrisht në vendet në tranzicion ky informalitet është një sëmundje, e cila nuk shërohet menjëherë. Po të kthehemi 30 vjet, 20 vjet më parë shkalla e informalitetit në ekonominë shqiptare ka qenë padyshim më e lartë. Por ndaj asaj që duam të arrijmë nuk jemi afër. Informaliteti vazhdon. Ai lidhet me shumë faktorë që kanë të bëjnë që nga pikëpamja e zbatimit të kuadrit ligjor, që nga eficenca e administratës shtetërore dhe veçanërisht e institucioneve që merren me formalizimin e ekonomisë, veçanërisht sektorit fiskal, sektorit tatimor, organeve të tjera që merren me luftën kundër krimit ekonomik dhe të pastrimit të parave. Ajo duhet parë si një instrument që sa më shumë ekonomia formalizohet aq më pozitive janë, ndikojnë në rritjen e të ardhurave, në buxhetin e shtetit, ndikojnë edhe në organizimin dhe funksionimin ekonomik, veçanërisht të bizneseve.
-Ka një nisëm në fakt për amnistinë fiskale, pra për legalizimin e fluksit financiare që supozohet se do të vijnë nga kursimet e deklaruara të emigrantëve. Nismë kjo për të cilën FMN dhe BE kanë patur mjaft rezerva. Me prizmin e një ekonomisti sa e dobishme është një nismë e tillë?
Kjo nuk është në fakt një nismë shqiptare. Amnistitë fiskale kanë historinë, zanafillën e vet, shpërndarjen e vet në shtete të ndryshme, në kohë të ndryshme. Një histori që përpiqet në vazhdimësi edhe më përpara, janë realizuar në vende të tjera, në shtete të tjera. Vazhdojnë përpjekjet në disa shtete edhe në Shqipëri që të realizojnë disa amnisti fiskale natyrisht dhe penale. Ka një praktikë, një histori në shumë vende. Zbatimi i një amnistie fiskale, pavarësisht nga kjo histori konsideron në radhë të parë situatën dhe kushtet e secilit vend dhe përpjekjet që bëhen tani, për të përshtatur një amnisti fiskale në kushtet e vendit tonë si përpjekje, duhet parë pozitivisht.
Si tentativë, objektiv apo si qëllim duhet parë pozitivisht. Të gjitha këto nëse janë dhe bëhen të qarta : mënyra, forma, legjislacioni, kushtet që duhet të plotësojë, a duhet bërë sot apo duhet bërë mbas një kohe kur të jenë plotësuar dhe disa kushte të tjera, kushte që kanë të bëjnë kryesisht më atë që ngrihet si shqetësim që të mos konsiderohet si një amnisti që ka si qëllim të formatizojë paratë e fituara në mënyrë të paligjshme dhe nga aktivitete të paligjshme, nga aktivitete që lidhen me krimin ekonomik. Këto duhen parë. Padyshim, që duhen konsideruar se në rast se nuk konsiderohen ato, atëherë balanca nuk anon nga një amnisti pozitive, për të cilën është qëllimi; por do anojë nga ana e një balancimi ose ç’balancimi që shkon drejt kësaj të dytës dhe askush as qeveria, as politika, as vet ekonomia nuk do ta pranonte dhe nuk do ta dëshironte një amnisti fiskale që zhvendoste këtë balancë tek paratë e krimit, tek paratë e informalitetit dhe ky është, dhe debati, dhe kjo është formula që duhet zgjidhur sa më mirë nga pikëpamja ligjore dhe e zbatimit te tyre. Duhen konsideruar sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare, të partnerëve ndërkombëtarë për të arritur në një konsensus sa më pozitiv aq më tepër që ne tani jemi një vend që po shkojmë drejt Europës. Kemi fituar disa hapa, disa statuse të rëndësishme, pozitive në këtë proces.
– Vijojmë të jemi besnik të një ekonomie të bazuar në aktivitetin e shërbimeve dhe investimeve të brendshme qeveritare duke adaptuar edhe modelin e PPP-ve. Duhet të qëndrojmë tek kjo strukturë apo duhet ta rishohim si model?
Problemi i strategjisë, e ristrukturimit të ekonomisë është një çështje thelbësore për shumë vende por edhe për vendin tonë, sidomos pas pasojave dhe mësimeve që dalin nga kriza. Për më tepër tashmë pas dy krizave kaq të forta padyshim lind detyrë, lind nevojë që të kemi një ristrukturim të ekonomisë për ta çuar ekonominë tonë edhe drejt zhvillimit, por drejt zhvillimit në atë mënyrë që ti bëjë përballë edhe këtyre fenomeneve që ishin krejt të reja. Po marr krizën e fundit.
Kriza e fundit çfarë solli? Ndërpreu zinxhirin e furnizimit të lëndëve të para dhe të produkteve ushqimore dhe goditi për efekt të inflacionit të mbartur edhe nga jashtë, goditi edhe qytetarët edhe ekonominë. Atëherë duhet të reflektojmë. Nëqoftëse ne në një moment u ndodhëm tek kriza e produkteve ushqimore, e grurit drithërave atëherë; ne duhet të nxjerrim disa detyra nga organet tona drejtuese. Jemi në ekonominë e tregut padyshim. Prodhimin e përcaktojnë tregu, prodhuesit, bizneset; por orientimin e jep shteti, e jep ministria përkatëse dhe agjencitë në vartësi të saj. Prandaj janë ministritë, prandaj janë institucionet. Pra a duhet ti orientojmë bujqit, fermerët që të prodhojnë më shumë nga ato produkte, të cilat për shkak të krizës ne na munguan dhe u goditëm? Çfarë politika mbështetëse do zbatojmë? Padyshim që po. A duhet të orientojmë ne biznesin e vogël dhe të mesëm agro-ushqimorë? Po, padyshim që po, sepse atje u goditëm. A duhet ne që një pjesë të lëndëve të para të arrijmë ti sigurojmë në vend? Padyshim që po.
A flasim ne për një krizë energjetike? Po flasim. Atëherë do presim që kur të lidhet prapë zinxhiri i zgjidhur i furnizimit me naftë me gaz ta zgjidhim këtë çështje? Nuk e dimë kur zgjidhet sepse nuk e dimë kur mbaron lufta, nuk e dimë çfarë konjukturash do kenë tregjet ndërkombëtare. Ne e kemi energjinë elektrike mbi bazë hidrike por tani kemi filluar që të hedhim vështrimin tonë me një vizion më të lartë, për të shfrytëzuar energjinë me panele diellore (solare) apo energjinë e erës. Dhe këtu krahas përpjekjeve për ta zhvilluar këtë vizion duhet të luftohet burokracia që po shndërrohet në pengesë për fillimin e zbatimit të këtij vizioni. Të shtojmë mundësinë e kërkimeve për naftë në vend. Të kemi, që e kemi pasur por u shkatërrua, një rafineri nafte për ta përpunuar atë në vend. Pra, janë disa elementë të rëndësishme, janë disa mësime të rëndësishme që kriza e koronavirusit dhe kriza aktuale nxori, na orienton që ta riorganizojmë, të ristrukturojmë ekonominë drejt një ekonomie të së ardhmes, drejt një ekonomie të përputhur me revolucionin 4.0 të zhvillimit të teknologjisë, Start-up-eve, të cilat janë elementë kaq të rëndësishëm, si për zhvillimin e ekonomisë ashtu edhe punësimin në vend.
-Ndërkohë Z. Angjeli flitet çdo ditë për largimet masive të të rinjve shqiptarë jashtë vendit. Çfarë sjell kjo për ekonominë shqiptare?
Në radhë të parë duhet që të kemi të qartë një gjë. Ne 32 vjet më parë dolëm me parrudhën: “Të jemi si Europa” dhe kërkuam që ekonomia, vendi të jetë një vend i hapur, të ketë lëvizje të lirë të njerëzve, të ketë një lëvizje të lirë mallrave, të produkteve, të investimeve, të kapitalit dhe ky është një princip themelor i ekonomisë së tregut, i një shteti demokratik., Kështu që nga pikëpamja e filozofisë, tashmë njerëzit janë të lirë dhe nuk mund ti ndalosh të lëvizin dhe të qarkullojnë lirisht brenda vendit, por edhe jashtë vendit.
Nga pikëpamja e pasojës që shkakton largimi i të rinjve, largimi i trurit, largimi i profesioneve të zhvilluara, padyshim që ekonomia dëmtohet, padyshim që vendi dëmtohet. Dëmtohet edhe nga pikëpamja demografike dhe e vete strukturës së popullsisë, po dëmtohet dhe pikëpamja e investimit të kapitalit human, të burimit njerëzor brenda vendit. Nga kjo pikëpamje duhen ndërtuar politika që nxitin qëndrimin e të rinjve në vend për të kontribuar me forcën e tyre mendore, njerëzore, gjithë kapitali human për tu investuar në vend.
Padyshim që kjo kërkon plotësimin e disa kushteve që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, me ofrimin e pagave më të larta nga bizneset, me lëvizjen e pagave nga biznesi në të njëjtën kohë, mos t’i kenë sytë të gjithë te shteti, apo te administrata shtetërore dhe kjo është një lëvizje që duhet menaxhuar me kujdes me qëllim që pasojat të jenë minimale ndërkohë dhe në të njëjtën kohë plotësimi i kërkesave të të rinjve, të qytetarëve të jetë maksimale.
– Si i shihni politikat e marra të taksimit të ndërmarra në këto 8 vite nga qeveria e majtë? Është folur për tatim progresist po sa besoni se ka një shpërndarje të drejtë të taksimit dhe të pasurisë?
Fola pak më lart për një drejtësi më të madhe ekonomike, një drejtësi më të madhe financiare, një drejtësi më të madhe sociale. Një qeveri e majtë padyshim që i ka principet kryesore këto. Po nga principi në zbatim padyshim në të njëjtën kohë ka dhe dallim, por sidoqoftë duhet pranuar se zbatimi i politikës fiskale në vendin tonë kryesisht ka qenë një element dhe një instrument pozitiv që ka ndikuar po pozitivisht në stabilitetin financiar të vendit, në gjendjen e shëndoshë të financave publike, në uljen e deficitit buxhetor dhe sidomos sivjet me këto të ardhura që u sigurua, deficiti do të ulet maksimalisht duke vajtur në kuotat minimale në uljen e borxhit publik, i cili po shkon në kuotat e 67.1-67.2%. Edhe një shpërndarje dhe rishpërndarje, më e drejtë e të ardhurave për një drejtësi sociale e ekonomike e financiare më të mirë, më optimale, kontribuon. m.
Nga ana tjetër për t’ju përgjigjur filozofisë së drejtësisë më të madhe ekonomike, sociale dhe financiare, tatimi progresiv ishte dhe mbetet një element shumë i rëndësishëm për një shpërndarje dhe një rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave, qoftë në sektor ekonomik, qoftë edhe midis shtresave të popullsisë dhe punonjësve. Tatimi progresiv aplikohet sipas principit që ai që siguron më shumë të ardhura, tatohet më shumë kurse ai që siguron më pak, të tatohet (kontribuon) më pak dhe kjo është parimore. Ajo që ka rëndësi është mënyra e aplikimit të saj dhe shkalla e progresivitetit të tatimit sepse kërkohet që në të njëjtën kohë të jetë progresive, por shkalla e progresivitetit të jetë e tillë që mundësisht të mos cenojë të ardhurat e shtresave të ndryshme të popullsisë përtej një kufiri të caktuar që cenon në të njëjtën kohë plotësimin e nevojave të qytetarëve.
– Më lejoni një pyetje të fundit edhe për portin turistik të Durrësit. Si e shihni Ju këtë investim, se ka mjaft diskutime mbi investitorët dhe përfitimin real të ekonomisë shqiptare nga ky investim?
Pak më sipër ju më pyetët dhe thatë që çfarë strategjish të zhvillimit ekonomik ka? Ekonomia shqiptare siç e thashë edhe në këtë vit krizë performoi mirë në sektorin e ndërtimit, në sektorin e turizmit dhe në disa shërbime edhe në sektorin e bujqësisë. Kjo do të thotë që këto degë do të vazhdojnë të zhvillohen. Një projekt kaq i madh si projekti i portit të Durrësit nuk mund të kalojë pa vëmendjen dhe diskutimin e opinionit publik, të eksperteve, të forcave politike dhe kjo është normale, është një gjë që pritej.
Ndërtimi i një projekti kaq të madh duhet parë në disa këndvështrime. Së pari, duhet parë në aspektin ligjor. A është bërë, a ka nisur kjo nismë për të zbatuar një projekte kaq të madh mbi baza ligjore? Mbi baza kushtetuese? Me sa kam ndjekur, ky është një projekt që ka kaluar me ligj në parlament dhe aq më tepër që ditët e fundit ky ligj është dekretuar edhe nga Presidenti i Republikës. Kështu që aspekti ligjor dhe i kushtetutës duke parë këtë procedurë që është ndjekur mbetet që është një aspekt i rregullt ligjor dhe kushtetues. Së dyti, është debati që, a do të ndikojë në ekonomi? Po padyshim që do ndikojë në ekonomi. Të zhvillosh një projekt miliarda dollarë në qendër të Shqipërisë, në aksin Tiranë-Durrës, padyshim që kjo ndikon. Por pse ndikon? Ndikon sepse kemi zhvillimin e sektorit të ndërtimit. Kemi zhvillimin e qindra bizneseve që lidhin me sektorin e ndërtimit dhe qindra të tjerë që lidhen me këtë biznes. Sepse do kesh hekur, do kesh çimento, dërrasa, vetrata, pllaka; do të kesh elementë të tjerë hidraulikë, elektrikë, çdo lloj. Do ketë zhvillim të lokaleve, shërbimeve të ndryshme, që nga navale, turistike, financiare, etj. Dhe të gjitha këto do të bëhen këtu, në Durrës, në Shqipëri, Kështu që do të ketë zhvillim të bizneseve, do të ketë punësim, zhvillim të Durrësit turistik. Nga ky këndvështrim pra projekti konsiderohet pozitiv.
Per çfarë po bëhet debat? Debat po bëhet kush është kjo kompani, kush janë burimet e të ardhurave të kësaj kompanie? Hidhen ide të parave kriminale? Por, a ka Shqipëria institucione që merren me këtë çështje? Ka shërbim informative, ka ministri të brendshme, ka drejtori të pastrimit të parave, ka organe fiskale, ka organe tatimore, ka bashkëpunim dhe bashkëveprim me agjenci dhe institucione ndërkombëtare të së njëjtës natyrë. Si e mendojnë këtë gjë që këto organe nuk kanë në vëmendjen e tyre këtë problematikë. Natyrisht që e kanë dhe do ta kenë në vazhdim. Dhe nëqoftëse do të ketë edhe shqetësime në këtë drejtim unë nuk do të besoj se të gjithë këtë organe të ngarkuara me kushtetutë, të ngarkuara me ligj do ti anashkalojnë këto. Kështu që kjo është një çështje, që ndiqet nga këto organe dhe ato duhet t’i bëjnë prezentë nëqoftëse kanë shqetësime të tilla. Ne nuk duhet të biem viktimë e thashethemnajës. Kemi institucione, të dalin publikisht dhe të thonë që kjo qëndron dhe kjo nuk qëndron dhe të merren masa, ndryshe nuk mund të zhvillohet një projekt.
Ajo që është tjetër e rëndësishme, është që ky projekt të mos pengojë zhvillimin e transportit detar. Ne kemi një port që është më i madhi në Shqipëri, por edhe për vendet e rajonit shërben për transportimin e mallrave dhe natyrisht të qytetarëve. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që të dy projektet, projekti i zhvillimit të Durrësit, i portit të Durrësit dhe projekti i portit të ri të Durrësit të zhvillohen në mënyrë paralele, të balancojnë njëri tjetrin. Që çdo pakësim i volumit të transportit që bëhet në portin e vjetër do ta quaj tani ose në portin aktual të Durrësit, të kompensohet nga zhvillimi dhe fillimi i punës në portin e ri. Dhe, duke ardhur paralelisht kjo vjen një moment që i gjithë volumi i punimeve të transportit që bëhet në portin e vjetër të jetë transferuar në portin e ri. Duhet që porti i ri sipas projektit që është paraqitur të ketë një vëllim më të madh transporti, të ketë një zhvillim më të madh se ai i shërben Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Do ti shërbejë edhe si tranzit, dhe në këtë mënyrë do të arrihet një ekuilibër midis projektit për zhvillimin në Durrës me projektin e ri të portit. Nëqoftëse ky ekuilibër nuk cenohet, atëherë dhe në këtë këndvështrim duhet parë pozitivisht. Më në fund një çështje tjetër, që duhet të konsiderohet, është ajo e borxheve të vjetra dhe të reja të Portit të Durrësit, e fatit të maturimit të tyre, dhe e mënyrës së trajtimit të tyre.