• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, March 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Kriza e përfaqësimit shqiptar

by Skënder Asani
23/03/2026 10:02
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kriza e përfaqësimit shqiptar dhe rreziku i devijimit strategjik

Roli i faktorit politik shqiptar ka pësuar një transformim shqetësues. Nga një faktor i domosdoshëm i balancës dhe stabilitetit institucional, ai po reduktohet në një instrument funksional të legjitimimit të pushtetit. Metafora e “teatrit të kukullave” nuk është thjesht figurë retorike, por një përshkrim analitik i një realiteti ku vendimmarrja reale është e centralizuar, ndërsa aktorët shqiptarë operojnë brenda një skenari të paracaktuar.

 Nga Prof.dr Skender Asani

Në konfigurimin aktual të pushtetit në Maqedonin e Veriut, dinamika e marrëdhënieve ndëretnike dhe orientimi eurointegrues nuk po zhvillohen më si procese organike të demokratizimit, por si produkte të një arkitekture politike të ndërtuar mbi menaxhimin e ekuilibrave dhe jo mbi përfaqësimin substancial. Ky transformim i heshtur, por i thellë, përkon me një moment të ri të riformatimit gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, ku raportet e brendshme politike po ndërthuren gjithnjë e më shumë me projeksionet strategjike të aktorëve të jashtëm. Në këtë kontekst, qeverisja e udhëhequr nga Hristijan Mickoski artikulon një model të sofistikuar të kontrollit politik: fragmentizimin e faktorit shqiptar dhe instrumentalizimin e këtij fragmentizimi për të prodhuar një stabilitet formal, që në thelb mbetet i zbrazët nga përmbajtja demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Në një perspektivë historike, rruga e Maqedonisë së Veriut drejt konsolidimit institucional dhe integrimit euroatlantik ka qenë e kushtëzuar nga ndërveprimi i vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, përmes një qasjeje të balancuar ndërmjet presionit diplomatik dhe mbështetjes politike, kanë orientuar vendin drejt standardeve demokratike dhe përfshirjes shumëetnike. Anëtarësimi në NATO përbën kulmin e këtij orientimi strategjik. Megjithatë, zhvillimet e fundit sugjerojnë një devijim të rrezikshëm nga kjo trajektore, ku diskursi politik dhe praktikat qeverisëse po reflektojnë një tendencë të re: relativizimin e orientimit perëndimor dhe hapjen graduale ndaj ndikimeve alternative, të artikuluara shpesh nëpërmjet koncepteve si “bota serbe”.

Në këtë kontekst, roli i faktorit politik shqiptar ka pësuar një transformim shqetësues. Nga një faktor i domosdoshëm i balancës dhe stabilitetit institucional, ai po reduktohet në një instrument funksional të legjitimimit të pushtetit. Metafora e “teatrit të kukullave” nuk është thjesht figurë retorike, por një përshkrim analitik i një realiteti ku vendimmarrja reale është e centralizuar, ndërsa aktorët shqiptarë operojnë brenda një skenari të paracaktuar. Kjo nënkupton një zhvendosje thelbësore nga përfaqësimi autentik drejt performancës politike, ku prezenca zëvendëson ndikimin dhe retorika maskon mungesën e pushtetit real.

Brenda ekzekutivit, kjo dinamikë manifestohet përmes një modeli të “pjesëmarrjes pa pushtet”, ku subjektet shqiptare janë të pranishme në strukturat qeverisëse, por me ingerenca të kufizuara dhe pa kapacitet të vërtetë për të ndikuar në politikat kyçe. Ky paradoks institucional krijon një iluzion përfshirjeje, ndërkohë që në praktikë konsolidon një sistem vendimmarrjeje të njëanshme. Në këtë kuptim, rotacioni i pushtetit nuk mund të trajtohet si një mekanizëm formal i ndërrimit të elitave, por si një test i përgjegjësisë politike. Subjektet shqiptare që marrin pjesë në qeveri kanë obligimin të artikulojnë qartë gjendjen e trashëguar dhe të ndërtojnë një narrativë transparente mbi kufizimet dhe mundësitë reale të veprimit të tyre. Pa këtë akt të parë të sinqeritetit politik, çdo premtim për avancim mbetet i pambështetur dhe i pabesueshëm.

Në këtë konfigurim politik, opozita shqiptare shfaq një deficit të theksuar në artikulimin e një alternative të besueshme, koherente dhe strategjikisht të strukturuar, duke dështuar të ndërtojë një kundërvënie programore që do të funksiononte si mekanizëm real balancues ndaj pushtetit. Në vend të kësaj, ajo manifeston një akomodim pragmatik që, më shumë sesa e diferencon, e afron me qeverisjen, duke prodhuar një marrëdhënie të ndërmjetme mes bashkëpunimit oportunist dhe neutralizimit politik. Ky akomodim shpesh materializohet përmes mbështetjes së nismave ligjore pa një kapital të qartë politik përfitues, duke reflektuar mungesën e një strategjie të mirëfilltë për rikthimin e rolit të saj vendimmarrës. Si pasojë, krijohet një vakuum i dyfishtë: nga njëra anë, mungon presioni demokratik mbi qeverinë, ndërsa nga ana tjetër, zbehet besimi dhe pritshmëria e elektoratit për një alternativë reale. Në këtë prizëm, opozita rrezikon të humbasë funksionin e saj thelbësor si faktor korrektues në një sistem demokratik, duke u transformuar gradualisht në një komponent të integruar të status quo-së politike.

Ky deficit i përfaqësimit dhe artikulimit shfaqet me një qartësi të theksuar edhe në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në proceset e raportimit dhe advokimit në Parlamenti Evropian, ku gjatë përgatitjes së raportit të Thomas Waitz evidentohet një vakuum i dukshëm në përfaqësimin e çështjeve që lidhen me pozitën kushtetuese dhe institucionale të shqiptarëve. Në një kontekst ku dokumente të tilla kanë potencial të ndikojnë drejtpërdrejt në trajektoren evropiane të vendit, mungesa e një angazhimi të strukturuar dhe koherent nga faktori shqiptar, pavarësisht numrit të konsiderueshëm të amendamenteve të propozuara nga aktorë të ndryshëm, sinjalizon jo vetëm një dobësi serioze në diplomacinë parlamentare, por edhe një paaftësi për të artikuluar në mënyrë efektive interesat kolektive në hapësirën evropiane; kjo bëhet edhe më problematike në dritën e pritshmërisë që ky raport të miratohet në mesin e muajit qershor dhe, sipas konstatimeve të vazhdueshme nga vetë Parlamenti Evropian, të përbëjë një nga raportet e fundit me peshë vendimtare për hapjen e procesit eurointegrues, çka e shndërron çdo mungesë ndërhyrjeje në një kosto të drejtpërdrejtë strategjike; për pasojë, kjo heshtje apo pasivitet përkthehet në humbje të prekshme politike dhe afatgjata, duke e thelluar hendekun midis potencialit për ndikim dhe realitetit të përfaqësimit.

Në planin e brendshëm, dinamika politike në Maqedoninë e Veriut po karakterizohet nga zhvillime që e gërryejnë gradualisht besimin qytetar dhe legjitimitetin e proceseve demokratike, ku zgjedhjet e fundit lokale, veçanërisht në komuna kyçe si Kërçova dhe Bërvenica, nxorën në pah një diskrepancë të thellë ndërmjet mobilizimit të mërgatës shqiptare dhe rezultateve të prodhuara, duke ushqyer perceptime të qëndrueshme për marrëveshje të fshehta dhe deformim të vullnetit elektoral; në këtë sfond, bëhet gjithnjë e më e dukshme edhe ambicia politike e Hristijan Mickoski për të siguruar kontrollin politik në këto dy komuna strategjike, ambicie e cila, sipas perceptimeve të përhapura, është lehtësuar nga një angazhim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i subjekteve politike shqiptare për t’ia mundësuar këtë fitore. Ky ndërthurim interesash dhe kalkulimesh politike jo vetëm që relativizon integritetin e procesit zgjedhor, por prodhon një efekt më të thellë strukturor delegjitimimin gradual të tij në sytë e një pjese të konsiderueshme të trupit elektoral shqiptar, përfshirë mërgatën, e cila historikisht ka funksionuar si një faktor i rëndësishëm mobilizues. Në këtë kontekst, qasja konformiste e subjekteve politike shqiptare, e harmonizuar me orientimet e Hristijan Mickoski, artikulon një krizë të dyfishtë të përfaqësimit dhe të autonomisë politike duke thelluar varësinë strukturore dhe duke rrezikuar zbehjen progresive të besimit të mërgatës, deri në pikën ku ajo mund të riartikulojë rolin e saj politik përmes bojkotit në ciklet e ardhshme zgjedhore.

Në këtë konstelacion kompleks, përgjegjësia nuk mund të projektohet vetëm jashtë. Edhe pse faktorët e jashtëm dhe konfigurimet rajonale luajnë rol të rëndësishëm, pesha kryesore bie mbi vetë elitën politike shqiptare. Fragmentizimi, mungesa e koordinimit dhe deficitit i vizionit strategjik kanë kontribuar në dobësimin e kapitalit politik dhe në zbehjen e agjendës euroatlantike.

Për opinionin e gjerë dhe për faktorin ndërkombëtar, ky zhvillim duhet të lexohet si një sinjal alarmi. Maqedonia e Veriut ndodhet në një pikë kritike, ku vendimet dhe orientimet e sotme do të përcaktojnë jo vetëm ritmin e integrimit evropian, por edhe natyrën e bashkëjetesës së saj të brendshme. Një stabilitet i ndërtuar mbi përjashtimin substancial dhe instrumentalizimin e një pjese të popullsisë nuk mund të jetë i qëndrueshëm në afat të gjatë.

Në përfundim, kriza aktuale nuk është thjesht krizë përfaqësimi; ajo është krizë e artikulimit strategjik dhe e përgjegjësisë politike. Nëse faktori shqiptar nuk arrin të tejkalojë fragmentizimin dhe të ndërtojë një platformë të përbashkët, të bazuar në parime të qarta dhe objektiva të matshëm, atëherë rreziku nuk është vetëm stagnimi, por regresi. Përballë një bote në riformatim dhe një rajoni në lëvizje, pasiviteti nuk është neutralitet është dorëzim. Dhe në politikë, dorëzimi rrallëherë falet nga historia.

Shkup, 23 mars 2026

Next Post
Plagosje me armë në Kavajë, autori kapet pas tre orësh arratisje

Plagosje me armë në Kavajë, autori kapet pas tre orësh arratisje

Comments 1

  1. ppa says:
    6 hours ago

    Shkrim me vlere dhe autori serfioz, por jo kaq gjate!

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Shi vdekjeje”/ Bombat thërrmuese iraniane sfidojnë mbrojtjen ajrore izraelite

“Shi vdekjeje”/ Bombat thërrmuese iraniane sfidojnë mbrojtjen ajrore izraelite

March 23, 2026
“PD nuk ka strategji dhe objektiv të qartë”, Ben Andoni tregon pse protesta ishte show

“PD nuk ka strategji dhe objektiv të qartë”, Ben Andoni tregon pse protesta ishte show

March 23, 2026
Kina synon hapjen e tregut dhe zgjerimin e importeve të produkteve

Kina synon hapjen e tregut dhe zgjerimin e importeve të produkteve

March 23, 2026
Financial Times: Si oligarkët pranë Viktor Orbán përfitojnë miliarda nga tenderët publikë

Financial Times: Si oligarkët pranë Viktor Orbán përfitojnë miliarda nga tenderët publikë

March 23, 2026
Nafta vijon rënien në tregjet ndërkombëtare, në bursën e Nju Jorkut një fuçi u shit nën 99$

Ekspertët: Ulja e akcizës s’jep efekt, duhet hequr fare pasi e dyfishon çmimin e naftës

March 23, 2026
Sondazhet: Meloni humb referendumin për drejtësinë

Sondazhet: Meloni humb referendumin për drejtësinë

March 23, 2026
Hyn në fuqi “Bordi” për karburantet, në mbledhjen e parë përcaktohen çmimet tavan

Hyn në fuqi “Bordi” për karburantet, në mbledhjen e parë përcaktohen çmimet tavan

March 23, 2026
Krijohen radhë të gjata, Trump dërgon “ushtrinë” kundër emigracionit në aeroporte

Krijohen radhë të gjata, Trump dërgon “ushtrinë” kundër emigracionit në aeroporte

March 23, 2026
Çmimi i naftës në Shqipëri “fiksohet” 214 lekë për litër, tregu me pakicë mbetet i pandryshuar

Çmimi i naftës në Shqipëri “fiksohet” 214 lekë për litër, tregu me pakicë mbetet i pandryshuar

March 23, 2026
EMRI/ Vuante dënimin në Shkodër, humb jetën në QSUT i burgosuri! Ja arsyeja

13 % e shqiptarëve vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave

March 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In