Donald Trump do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-ve, një suprizë kjo që shumë njerëz nuk kanë dashur ta besojnë. Por tashmë gara në SHBA ka përfunduar dhe republikani do të marrë postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Jo të pakta kanë qenë kritikat e tij dhe sulmet për një sërë çështjesh e grupesh sociale… por po ashtu jo të pakta kanë qenë dhe gjykimet e kritikat drejtuar Trump nga liderët borëtorë.
Edhe kryeministri Rama ka bërë kritika në lidhje me Donald Trump, duke thënë se do të ishte një fatkeqësi e madhe për SHBA-në nëse ai do të zgjidhej President… por në krahasim me çfarë ka thënë Rama, deklaratat e liderëve të tjerë janë ende më të forta.
Më poshtë gjeni deklaratat e një sërë drejtuesish të rëndësishëm.
Në Francë, shqetësimi për zgjedhjen e Trump u artikulua qartë nga Presidenti Hollande, i cili theksoi se: “Zgjedhja e Donald Trump do të ishte e rrezikshme dhe do të ndërlikonte marrëdhëniet midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo tejkaloi “përzemërsinë” e zakonshme të protokollit, duke e thënë: “O Zot, si mund të jetë Trump kaq idiot”.
Deklarata e famshme e Trump për ndalimin e hyrjes në SHBA të të gjithë muslimanëve dhe për krijimin e një mekanizmi për “skanimin” e të gjithë mulismanëve që jetojnë në SHBA provokoi një shqetësim të ligjshëm tek përfaqësues të botës Islame.
Sadiq Khan, Kryetar i Bashkisë së Londrës theksoi se: “Pikëpamja injorante e Donald Trump mbi Islamin do t’i bënte vendet tona më të pasigurta. Këto pikëpamje nxisin margjinalizimin e muslimanëve të zakonshëm në të gjithë botën, diçka nga e cila do të përfitonin vetëm ekstremistët”.
Nga ana e tij, Recep Tayyip Erdogan, President i Turqisë tha se: “Një politikan i suksesshëm nuk mund të bëjë deklarata të tilla sepse brenda Shteteve të Bashkuara jetojnë me miliona muslimanë. Një politikan nuk mund të flasë në këtë mënyrë”.
Vetë Papa Françesku konsideroi deklaratat e Trump për muslimanët si tërësisht të gabuara. Ati i Shenjtë u shpreh se: “Një person që mendon vetëm për ndërtimin e mureve në vend të urave, kudo që ai ndodhet, nuk mund të jetë i krishterë”.
Të njëjtat deklarata, të cilësuara si diskriminuese edhe nga Kryeministri Rama gjatë një vizite të tij në SHBA, u përqeshën edhe nga Kryeministri i Britanisë në atë kohë, David Cameron, i cili e konsideroi Trump si:
“Përçarës, i padobishëm dhe thjesht i gabuar në gjithçka atë që thotë”. Isak Herzog, lideri i opozitës së Izrealit shkoi deri atje sa të cilësonte “deklaratat e Trump shokuese dhe të neveritshme”.
Karakteri i paqëndrueshëm i Trump ishte gjithashtu objekt kritike i shumë liderëve botërore. Kristian Jensen, Ministër i Jashtëm i Danimarkës u bë i famshëm me deklaratën e tij se “Trump ndërron mendimet ashtu si ne ndërrojmë mbathjet”.
Carl Bildt, ish-Ministër i Jashtëm i Suedisë tha se “nëse Donald Trump do të zgjidhet president i SHBA-ve, bëjmë mirë që të gjithë të futemi në bunkerë”, ndërsa Erna Solberg, Kryeministre e Norvegjisë u shpreh se: “Shumë nga ato që Donald Trump thotë e bëjnë botën më të paqëndrueshme”.
Edhe Boris Johnson, ish Kryebashkiaku i Londrës dhe aktualisht Ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe ironizoi duke thënë se: “e vetmja arsye përse nuk dua të vizitoj disa zona të Nju Jorkut është sepse kam frikë se mos takohem gabimisht me Donald Trump”.
Meksika, fqinji jugor i SHBA-ve i sulmuar gjatë të gjithë fushatës zgjedhore të Trump nuk e ka përjetuar aspak mirë retorikën e fushatës së Presidentit të ardhshëm të SHBA-ve. Disa ditë pasi Trump premtoi ndërtimin e një muri për frenimin e valës së emigrantëve të jashtëligjshëm meksikanë, Presidenti Enrique Penja reagoi duke kujtuar se: ““Kjo është mënyra se si erdhi në pushtet Musolini dhe pas tij edhe Hitleri”.
Konfirmimi i Donald Trump, si kandidati fitues i garës presidenciale gjatë mëngjesit të së mërkurës u shoqërua në mënyrë të kuptueshme me urimet e rastit, por përsëri, një numër lidërash e kanë pasur të pamundur të fshehin kundërshtimin e tyre për figurën e Trump. Menjëherë pas konfirmimit të tij, Gerard Araud, Ambasadori i Francës në Uashington tha
“Pas Brexit dhe këtyre zgjedhjeve, tashmë gjithçka mund të ndodhë. Bota që ne njohim po shembet përpara syve tanë”. Nga ana e tij, Heiko Maas, Ministri gjerman i Drejtësisë twitoi: “Nuk u shemb bota, por gjërat bëhen shumë më të çmendura”.