Nga Besnik Bakiu
Sot është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve, pasi më 18 dhjetor 1990, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së adoptoi Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve emigrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Në këtë ditë, në shenjë pendese dhe falje ndaj gjithë shqiptarëve që nuk u dhamë mundësi për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri, po shkruaj për zonjën e nderuar Kristela Bytyçi, e cila është deputetja e parë shqiptare në kryeqytetin e Evropës në Bruksel.
Kristela konkurroi dhe fitoi si përfaqësuese e Lëvizjes për Reforma (MR), forcës politike më të vjetër në Belgjikë, që përfaqëson qendrën e djathtë dhe liberale. Me këtë fitore, Kristela u bë figurë emblematike e së djathtës shqiptare në Belgjikë, pasi jo vetëm bashkoi një pjesë të madhe të elektoratit shqiptar në Bruksel, por përmbysi dominimin njëzetvjeçar të Partisë Socialiste (PS). Ajo konsiderohet si mëshirimi i brezit të ri të politikanëve në Mbretërinë Belge. Për të qenë i sinqertë, prisja që zgjedhja e Kristelës deputete (qershor 2024) do të bënte një ngjarje të rëndësishme për shoqërinë shqiptare. Prisja ta ftonin çikën tonë për të bashkëbiseduar dhe dhënë eksperiencë për zhvillimin dhe sfidat e Shqipërisë drejt anëtarësimit me të drejta të plota në BE. Por asgjë, vetëm heshtje.
Unë si gjithmonë edhe këtë radhë gabova në pritshmëritë e mia. Ne jemi mësuar të ftojmë vetëm të huaj, pavarësisht kush janë dhe çfarë përfaqësojnë. Kristela ishte vetëm 8 vjeç kur familja e saj u largua nga Tropoja për në Bruksel, për një jetë më të mirë. Ishte shumë e vështirë për një vajzë të vogël të linte vendlindjen, shkollën, shoqet e shokët dhe t’i përkushtohej një jete të re, në mjedise të reja gjuhësore, në shoqëri të re. Por, ajo ia doli mbanë me sukses. Vullneti dhe këmbëngulja e saj janë mbresëlënëse. Ajo arriti të diplomohej me titullin “Master” për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, në Universitetin e Lirë të Brukselit (Université Libre dë Bruxelles), në vitin 2014. Tema e saj e magjistraturës u fokusua në zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkan dhe efektet e tij në reformat ligjore dhe organizimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Nga viti 2012 deri në vitin 2013 bëri praktikën në shërbimin e shtypit të Parlamentit Evropian. Nga viti 2015 deri në 2017 është bashkautore e projektit për partinë liberale franceze MR. Më pas deri në 2024 shërbeu si korrespondente e komunikimit në Komisionin Evropian. Qytetarët shqiptaro-belgë (dhe jo vetëm) e konsiderojnë Kristelën si një shenjë të transformimit thelbësor dhe ripërtëritjes politike të shqiptarëve të Belgjikës.
Siç thotë kreu i Lëvizjes për Reforma (MR) në Bruksel, z.David Leisterh: “Zgjedhja e Kristela Bytyçit tregon se mesazhi ynë i reformës dhe përparimit gjen jehonë në të gjitha komunitetet të kryeqytetit tonë. Kristela është një grua e fortë, me bindje politike të forta, vullnetare dhe punëtore. Kam bindjen e thellë se do ta përfaqësojë komunitetin shqiptar brenda Parlamentit të Brukselit në mënyrën më të denjë të mundshme dhe do të mbroje gjithnjë interesin e përgjithshëm”. Deputetja e re ka marrë përsipër sfida të mëdha: “Ne kemi shumë punë përpara nesh… Për të gjetur zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve tanë, veçanërisht në fushat e arsimit, punësimit dhe sigurisë”, – shprehet ajo.
Fokusi i veprimtarisë së Kristelës janë problemet bazike të qytetarëve, si: emigracioni, banesat, punësimi, siguria, pastërtia, qasja e pabarabartë në kujdesin shëndetësor, dhuna ndaj grave, studentët, familjet në situata të pasigurta. “Çdo gjë është e mundur për ata që ëndërrojnë, guxojnë, punojnë dhe nuk dorëzohen kurrë”, është motoja e saj. Kristela apelon për tolerancë, shqetësohet për gratë që kanë përjetuar përdhunim dhe dhunë, duke i risjellë në kujtesën e njerëzimit rastin e Kosovës, ku më shumë se 20,000 gra u dhunuan gjatë luftës së vitit 1999. Por, ajo jo vetëm konstaton, por kërkon drejtësi dhe perspektivë për “rindërtimin për këto gra…”; kërkon ndërtimin e politikave kundër dhunës seksuale, fizike e psikologjike, si një luftë që na shqetëson të gjithëve. Kërkon që shteti të inkurajojë nisma për kujdesin ndaj viktimave, pasi,”….është e rëndësishme të kujtojmë se në një botë ku konfliktet shumëfishohen, është detyra jonë të luftojmë për paqe dhe tolerancë”. Si një çikë e një familjeje që ka përjetuar terrorin komunist, ajo apelon për mosharresë ndaj së kaluarës diktatoriale të vendeve që kanë përjetuar komunizmin, apo atyre që po e jetojnë edhe sot. “Komunizmi është i papajtueshëm me shoqërinë tonë moderne… Liria dhe demokracia janë të domosdoshme për ne dhe për zhvillimin e mbarë shoqërisë sonë! Liria jonë është e shenjtë”.
Ajo reagon ndaj dhunës në shkollë në të gjitha format e saj dhe e konsideron si shkelje e të drejtave për arsimim, shëndet dhe mirëqenie të fëmijëve dhe adoleshentëve! “Shkolla duhet të vazhdojë të jetë ai vend që përgatit nxënësit për t’u përballur me sfidat e botës moderne dhe për t’u bërë qytetarë të përgjegjshëm dhe të angazhuar”. Siç flasin bashkatdhetarët e saj, Kristela është këmbëngulëse, e palodhur në punë dhe tepër miqësore. Këto tipare dhe cilësi ajo i ka të trashëguara edhe nga familja e saj, e cila është pinjolle e një dere me tradita të lashta atdhetarie nga Bytyçi i Malësisë Gjakovës, e përndjekur nga diktatura komuniste, për shkak të bindjeve politike antikomuniste.
Bytyçi është një ndër fiset e mëdha të shqiptarëve, me shtrirje në Malësi, Pukë, Has, Llapushë, Gjakovë, si dhe shumë treva të tjera shqiptare brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Siç thoshte edhe poeti i madh dhe miku im i ndjerë, Ali Podrimja, për imazhin e ndarë e të copëtuar të atdheut “Gjymtimi yt pikëllon dhe në ëndërr/Na kujton cungun në pyll rrufesh”. Unë nuk kam dëshirë ta quaj Kristelën përfaqësuese të diasporës shqiptare në Belgjikë, pasi siç na mëson Gandi i Ballkanit, Presidenti Ibrahim Rugova: “Nuk më pëlqen t’i quaj mërgimtarët tanë diasporë, sepse kjo fjalë rrjedh nga greqishtja e vjetër, që do të thotë farë e humbur. Mërgimtarët tanë nuk janë njerëz të humbur, ata janë njerëzit më të mirë”. Kristela dhe gjithë simotrat dhe si vëllezërit e saj, të cilët janë më shumë se gjysma e popullsisë që banon në Shqipëri, sipas gjykimit tim, janë bashkëqytetarët tanë që banojnë jashtë atdheut. Historia e tyre është historia e guximit e sakrificës, duke rrezikuar edhe jetën për të ndërtuar ëndrrën në një vend tjetër. Për dekada të tëra, ata me një bujari unike kanë mbajtur gjallë me reminitanca familjet e veta dhe ekonominë shqiptare. Ata kanë qenë dhe mbeten nga pjesa më vitale shoqërisë shqiptare, jo vetëm për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, shoqëror, politik e kulturor të vendit, apo si urë e rëndësishme e bashkëpunimit të Shqipërisë me vendet jetojnë, por edhe si një faktor emancipimi dhe kulture; kontribuues dhe sponsor në sistemin e mirëqenies në vendet ku jetojnë dhe për familjet në atdheun e tyre.
Sjell ndërmend rolin jashtëzakonshëm të shqiptarëve jashtë atdheut në fillimin e shek. XX, ku u bënë promotor të zgjimit, rilindjes dhe forcimit të vetëdijes kombëtare e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe mbrojtës të pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë në kancelaritë perëndimore. Ndaj, natyrshëm lind pyetja: Po ne shqiptarët e Shqipërisë, çfarë kemi bërë për ta? Ne shqiptarët që banojmë aktualisht në Shqipëri, që u kemi borxh këtyre njerëzve, pasi nuk ia dëgjuam kurrë fjalën, as të drejtën e votës nuk ia mundësuam (më në fund sikur po tentohet të realizohet). Po të shikosh formalisht, kemi bërë shumë, pasi kemi miratuar një mori me ligje, rezoluta e strategji, si dhe kemi ngritur shumë struktura e komisione, por po të shohësh praktikisht si funksionojnë dhe efektivitetin e tyre, të vjen ndër mënd shprehja “u mbars mali dhe lindi një mi”. Sot më në fund (pas 30 e ca viteve) akoma nuk kemi një regjistër të saktë shqiptarëve që banojnë jashtë territorit të Shqipërisë, apo të organizatave të komunitetit shqiptar jashtë vendit etj., etj..
Në përfundim, duke i uruar vetëm suksese Kristela Bytyçit dhe shpresuar të bëhet me sa më shumë kolegë e kolege shqiptar në parlamentet e botës; me përulësi e nderim dua t’u bej apel bashkëqytetarëve tanë që banojnë jashtë atdheut për t’u organizuar dhe bashkuar me njëri tjetrin, të përzgjedhin si përfaqësues të tyre sa më shumë shqiptare të mirë, të ndershëm, të shkolluar e edukuar, në mënyrë që të mos copëzohet vota, si dhe të vazhdojnë të kontribuojnë për vendin e tyre për të sjellë ndryshimin e pritshëm drejt anëtarësimit në BE. Gjithashtu u bëj apel gjithë prindërve të fëmijëve që kanë lindur apo jetojnë jashtë Shqipërisë mëmë: të kujdesen që fëmijët e tyre të mësojnë dhe mos harrojë gjuhën shqipe.