Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Skënder Baku, i akuzuar se, për qëllime gjakmarrje, ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasit Lulëzim Shera, ngjarje e ndodhur në shtator 2013 në rrugën kombëtare Fushë Krujë – Laç.
Hetimi dhe gjykimi për të pandehurin është kryer në mungesë, ndërkohë që gjykata pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës për gjykim të shkurtuar. Për shkak të këtij gjykimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon që dënimi përfundimtar të jetë 35 vite burg. Nga hetimi ka rezultuar se, në vitin 1992, viktima Shera, në atë kohë i dënuar për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”, pas një konflikti në burgun 313, ku ndodhej, ka vrarë me sende të forta shtetasin vëllain e të pandehurit, shtetasin Arjan Baku. Për këtë vepër penale, viktima Lulëzim Shera, në atë kohë, u dënua me 20 vite burgim dhe doli nga burgu në vitin 2010. Gjatë kohës që Lulëzim Shera ishte në burg, familjarë të tij kishin kërkuar paqtim me familjen Shera, gjë e cila nuk u është pranuar asnjëherë.
Pas daljes nga burgu, Lulëzim Shera punonte si transportues buke nga Fushë Kruja për në fshatin Nikël. Në dt. 01.09.2013, në orën 06.00 të mëngjesit, viktima, së bashku me një mikun e tij, gjendeshin në një dyqan brumesh në Fushë Krujë. Shoqëruesi i tij kishte qëndruar në automjet, ndërsa viktima ka hyrë në dyqan për të bërë furnizimin. Në atë moment, pas tij janë afruar dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur me kallashnikov, i cili e ka thirrur viktimës dhe, sapo Lulëzim Shera është kthyer për të parë personat që e kërkuan, ndaj tij është qëlluar me breshëri plumbash, 12 prej të cilëve e kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Menjëherë pas krimit, dy personat janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Nga hetimi, u arrit të zbulohej të paktën një prej autorëve, pikërisht shtetasi Skënder Baku. Po ashtu, u provua se ky shtetas nuk ka qëlluar kundër viktimës, por ka marrë të gjitha masat, si edhe ka pasur arsyen për të vrarë shtetasin Lulëzim Shera, për hakmarrje për vrasjen e të vëllait të tij, në vitin 1992. Ndërkohë, deri në këtë fazë, nuk është arritur të evidentohet se cili është bashkëpunëtori i të pandehurit Baku në këtë krim.









