Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi tronditi sërish vendin. Edhe njëherë kjo ngjarje na solli në vëmndje situatën alarmante të krimit në familje por edhe dështimin e plotë të organeve të drejtësisë për të zbutur fenomenin. Vrasja e Hafizit është fundi tragjik i një historie dhune. Edhe pse ajo ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, vetëm mbrojtje nuk arriti të marrë nga shteti, dhe këtë Fildes e theksonte në një letër që i dërgonte ambasadorit Donald Lu.
Por rasti i saj nuk ëhstë i vetmi shkruan JavaNews. Përditë në komunikatat e policisë renditen raste të shumta ku dhunuesit nuk ndalen, edhe pse viktimat janë pajisur me urdhra mbrojtje. Mesatarisht, policia ri-procedon të paktën 50 dhunues në muaj që shkelin urdhrat e mbrojtjes. Në shumë raste shkelja e urdhrit të mbrojtjes, që siç duket nga statistikat është kthyer në letër pa vlerë, ka përfundur deri në tragjedi dhe rasti i gjyqtares është vetëm i fundit në radhën e gjatë të tragjedive shkruan JavaNews.
Në disa raste tronditëse të krimit në familje, viktimat kanë qenë të pajisura me urdhër mbrojtjeje. Të gjithë e mbajmë mend vrasjen makabre të Liljana Rukajt në Dhjetor të 2016-ës, kur ajo u hodh nga dritarja e katit të 4-t. Dy muaj para krimit, Rukaj ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje pas dhunës së bashkëshortit, Ferdinand Rukaj.
Një tjetër ngjarje që tronditi opinionin ishte edhe vrasja nga bashkëshorti në sy të fëmijëve i Ida Dervishit. Ngjarja ndodhi në Prill të vitit 2016 ndërkohë që viktima para krimit ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Po ashtu, një tjetër ngjarje e rëndë e ndodhur në zonën e Selitës para pak vitesh është ajo e shtetases Dallëndyshe Jazxhi. Kjo e fundit u vra nga bashkëshorti Edmiri, edhe pse ajo disa herë e kishte denoncuar për dhunë dhe ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Këto janë vetëm disa prej rasteve tragjike, ndërkohë me qindra të tjera listohen në statistikat e policisë ku dhuna sitematike nuk ndalet përpos urdhrave të mbrojtjes. Në vit regjistrohen iqndra denoncime ku viktimat e dhunës tregojnë me fakte dështimin e shtetit për t;i mborjtur.
Ekspertët ngrenë shqetësimin se sistemi i urdhrave mbrojtës dhe ai i strukturave shtetërore nuk funksionojnë siç duhet në parandalimin e krimeve të rënda që rrjedhin nga dhuna në familje. Në një vit, policia regjistron mesatarisht 4 mijë procedime për dhunë në familje dhe jepen mbi 2 mijë urdhra mbrojtjeje. Një përqindje e lartë e tyre shkelen, edhe pse nuk ka një statistikë të qartë pasi viktimat i tremben denoncimit të dytë për shkak të presioneve.
Historia, në një çati me dhunuesin edhe pas urdhrit të mbrojtjes:
Dështimi i urdhrave të mbrojtjes, gjen shpjegim në shumë raste në vendimet absurde, ku edhe pas dhunës, viktima dhe dhunuesi jetojnë sërish nën të njëjtën strehë. Një rast i tillë është sjellë pak kohë më parë nga TCH. Dhe pse gjykata kishte vendosur urdhër mbrojtje për ta mbrojtur nga dhuna e bashkëshortit, Havaja e fali dhunuesin e vazhdon të jetojë në të njëjtën shtëpi me të.
Por ajo sërish është dhunuar dhe kësaj radhe 35-vjeçarja ka ardhur në gjykatë për të marrë mbrojtje jo vetëm për vete, por dhe për fëmijët.
“Ku të shkoj, s’kam ku shkoj. Tani erdha për urdhër mbrojtje për fëmijët e mi, mbrëmë tentoi sërish të më rrihte, e njëjta histori prej katër vitesh”, thotë Havaja.
Përveç femrave të dhunuara që strehohen në qendra të posaçme, pjesa më e madhe e tyre vijojnë të bashkëjetojnë me dhunuesin megjithëse gjykata urdhëron distancimin e tij prej më shumë se 500 metra.
“Ky është paradoks, ligji duhet ta rregullojë këtë gjë sepse nuk mund të jetojë edhe dhunuesi edhe viktima në të njëjtën çati, pasi eksperienca tregon çviktimizimin e tyre”, thotë Fabjola Egro, përfaqësuese e “Sot për të ardhmen”.
Kryetarja e gjykatës së Tiranës Enkelejdi Hajro shprehet e shqetësuar edhe për një fakt tjetër: “Unë shoh statistikat dhe vërej se për 3-mujorin e parë të 2016 nga 165 janë pranuar 45, dhe 105 janë pushuar. Për 2017 janë pranuar 41 kërkesa dhe pushuar 134 kërkesa”.
Por Egro e cila trajton viktimat e dhunës në familje tregon arsyet se përse gratë tërhiqen nga kërkesa për të marrë urdhër mbrojtje.
“Sepse ndihen të kërcënuar sepse kanë frikë, sepse janë të pambrojtura ekonomikisht, ndaj dhe duhet orientim për fuqizimin e tyre, për ti riintegruar në kurse profesionale”, thotë Fabjola.
Për shkak se mjaft gra nën urdhër mbrojtje janë vrarë nga partnerët dhunues, aktualisht ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje është në proces diskutimesh për tu ndryshuar./JavaNews/a.m.