Pavarësisht nga tonet e ashpra të kësaj fushate elektorale, kryetari i PDS, Paskal Milo, sheh sërish bashkëqeverisje PS-LSI pas pas 25 qershorit.
I ftuar në “45 minuta” me Denis Mingën në Report Tv, Milo tha se ky koalicion është më i natyrshëm sesa një bashkëpunim i PS-së me PD-në, siç edhe është artikuluar mediatikisht, i cili do të kontestohej në radhë të parë nga elektorati i dy forcave politike.
“Një koalicion me LSI për PS-në është e keqja më e vogël se një koalicion me PD-në. Në rastin e parë kemi një koalicion që ka funksionuar, ndërsa me PD është i panatyrshëm, ka një hendek, forcat ndahen me njëra-tjetrën, forca sociale që janë kundër njëra-tjetrës, s’do pritej mirë nga militantët e dy partive. Këtu s’jemi në Gjermani, as në ndonjë vend europian demokratik ku bashkëqeverisja është normë, pranohet, këtu jemi në një Shqipëri të varfër, me shumë korrupsion. Të parët do ishin militantët që s’do pranonin. Me hir ose me pahir, PS-LSI do bashkëqeverisin“, u shpreh Milo.
“Mandati im për PS nëse Rama kërkon ndjesë”
I pyetur për marrëveshjen, PDS-LSI, Milo tha se ka në funksion mbrojtjen e votave. Ndërsa theksoi se mandati i tij në Kuvend do shkonte për qeverinë “Rama” nëse ky i fundit do kërkonte ndjesë për shpërfilljen ndaj aleatëve, pavarësisht se cili do të ishte vendimi i LSI-së.
“Ne kemi marrëvgeshje me LSI, e cila do kujdeset për ruajtjen e votave për PDS-në. Ka dhe një pikë tjetër për të bashkëpunuar pas zgjedhjeve, nëse partitë tona do vijnë në qeverisjen e vendit. Vendimmarrja është sovrane në përputhje me programin e partisë tonë, me interesat e vendit. Do vendosim në momentin e duhur se me cilin do bashkëpunojë PDS”, tha Milo.
VIDEO-Emisioni 45 Minuta, i ftuar paskal Milo
Nga 2005, 2009, 2017, a ka ngjashmëri që e majta po shkon e përçarë në zgjedhje?
Këto zgjedhje janë të çuditshme, sepse për herë të parë zhvillohen pa program elektoral. Asnjë nga dy partitë e mëdha s’kanë program. E kanë shndërruar fushatën në butafori ku shkëmbejnë batuta, metafora, pa një fushatë serioze, sikur janë në një piknik të gjatë karnavalesh me humor, akuza e shpifje ndaj njëri-tjetri.
Janë të relaksuar apo kanë marrëveshje?
Janë shumë të konsumuar. Ka ardhur koha që ta lënë politikën dhe të drejtojnë forcat e reja. S’flasim për moshën, mund të jesh i ri në moshë, por je i vjetër me mendim, koncepte, sjellje. Je i tejkaluar nga koha dhe nga e ardhmja.
Si i parashikoni këto zgjedhje?
Nuk do ketë fitues të qartë të fushatës. Do ketë forcë të parë në zgjedhje, por pa pasur shumicën për të formuar qeverinë, kjo do çojë në formimin e koalicionit. Por intriga qëndron se kush dhe më kë do bëjë koalicion. Shifrat diktojnë domosdoshmërinë e koalicionit.
Projeksionet nxjerrin PS-në, dhe nisur nga beteja me LSI-në dhe jo me PD-në, me kë do bënte koalicion sipas jush?
PS do mund të ketë disa kredenciale më shumë se partitë e tjera në këtë fushatë. Ka një elektorat tradicional, konservator, të palëvizshëm. Por formulat e krijimit të qeverisë së ardhshme do të jenë të ndryshme dhe do varet nga rezultati.
Rama ka thënë se s’do bëjë koalicion me LSI-në…Ju gjykoni se mund të rikthehen sërish në koalicion PS-LSI?
Pavarësisht se Rama thotë jo, duke e përsëritur disa herë, unë mendoj se në politikë kurrë nuk duhet thënë kurrë. Sepse përvoja e marrëdhënies mes PS dhe LSI ka qenë e tillë që s’kanë lënë gjë pa thënë kundër njëri-tjetrit si në 2009-2013 dhe erdhi puna pas darkës së ngjalave, ku i gëlltitën akuzat dhe u ulën në tavolinë e nënshkruan marrëveshjen. Pse kjo s’mund të ndodhë sot? Prandaj, unë s’e përjashtoj një qeveri të përbashkët PS-LSI.
Ka një “Jo” edhe nga Meta, sipas jush kush është më e fortë?
Një koalicion me LSI për PS-në është e keqja më e vogël se një koalicion me PD-në. Në rastin e parë kemi një koalicion që ka funksionuar, ndërsa me PD është i panatyrshëm, ka një hendek, forcat ndahen me njëra-tjetrën, forca sociale që janë kundër njëra-tjetrës, s’do pritej mirë nga militantët e dy partive. Këtu s’jemi në Gjermani, as në ndonjë vend europian demokratik ku bashkëqeverisja është normë, pranohet, këtu jemi në një Shqipëri të varfër, me shumë korrupsion. Të parët do ishin militantët që s’do pranonin. Me hir ose me pahir, PS-LSI do bashkëqeverisin. Ai nuk i merr 71 mandate vetëm, ta harrojë këtë. Nëse LSI ka pasur 180 mijë vota dhe nëse aleatët kanë pasur 100 mijë vota, mungojnë 280 mijë vota. Pra me 720 mijë vota nuk e merr dot pushtetin i vetëm.
Mandati juaj do ishte për PS-në, apo do varej nga LSI?
Vendimmarrja është sovrane në përputhje me programin e partisë tonë, me interesat e vendit. Do vendosim në momentin e duhur se me cilin do bashkëpunojë PDS.
Me kë është pranë partia juaj me të majtën e Ramës apo me Republikën e Re të Bashës?
Ne jemi qeveri e qendrës së majtë. Kemi qenë konseguentë në qëndrimet e saj. Edhe Gjinushi ka lëvizur dy herë., ndërsa PDS ka qenë në krahun e duhur prej 27 vitesh. Por mënyra si është sjellë PS do ta pësojë rëndë në këto zgjedhje dhe kostot do jenë për të.
Do ia jepni atë votë Ramës?
Nëse kërkon ndjesë publike, po. Mbetemi të hapur për bashkëpunim, patjetër.
Si e shihni ndërhyrjen e Greqisë dhe Turqisë në këto prag zgjedhje?
Bëjnë shumë gabim, është parim ndërkombëtar mosndërhyrja në punët e brendshme të një shteti. Eshtë e palejueshme dhe padyshim mënyra si janë artikuluar qëndrimet e këtyre dy vendeve, s’mund të lejohet. Dy partitë duhet të mbahen brenda vetes, të ulen, të bashkëpunojnë. Turqia dhe Greqia kanë mosmarrëveshje brenda vetes për probleme të hapura dhe nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë. Të rrinë menjanë dhe të presin rezultatin e zgjedhjeve si dhe bashkëpunimin me qeverinë e ardhshme ta bëjnë me interes reciprok. Pse SHBA bëjnë deklarata asnjëanëse dhe nuk marrin anën e askujt? Sepse janë tepër konseguentë në qëndrimet e tyre. As nga BE s’ka qëndrime të njëanshme.
Si e keni parë listën e PD në Vlorë, është kryetari i partisë së minoritetit çam dhe një përfaqësues i komunitetit çam?
Kompozimi i asaj liste nga PD ka qenë e detyruar për shkak të numrave elektorale. Basha as që e ka menduar kaq gjatë, por ka qenë i detyruar që për të respektuar aleatin e tij, Dulen, për shkak të opozitës në çadër dhe për të fituar sa më shumë vota nga minoriteti grek në jug, e ka marrë dhe e ka vendosur të tretin në listën e qarkut të Vlorës. Ndërsa për të marrë një pjesë të mirë të votave të çamëve të Vlorës, ku ka shumë dhe kanë mbështetur PD në të kaluarën dhe për të përçarë elektoratin çam që të mos i marrë votat PDIU, ka vendosur Tahirin në numrin 5. Ky numër është i pamundur që të fitohet nga PD në Vlorë. PD maksimumi fiton 4 me vështirësi, 7 do fitojë PS, edhe pretendon 8, 1-2 që mbeten i pretendon LSI-ja. PDIU nuk besoj se merr mandat në Qarkun e Vlorës, sepse çamët janë të përçarë në këto zgjedhje.
Kemi realizuar një intervistë me ish-kreun e Vetëvendosje, z.Albin Kurti, i cili ka thënë se do kërkojë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Si e shihni këtë deklaratë?
E njoh prej 20 vitesh, që kur ishte sekretar i Adem Demaçit, e urova për fitoren dhe mendoj se është një nga mendjet më të hapoura dhe më intelektuale të politikës së Kosovës, është një filozof politik për nga thellësia e mendimit. Qëndrimet e tij lidhur me çështjen kombëtare, janë të njohura dhe s’është se shqiptarët nuk i duan, të gjithë i duan. Besoj se Albini mund ta artikulojë si dëshirë të veten, por do ketë shumë pengesa në bashkimin e dy vendeve me referendum. Si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë ka faktorë ndërkombëtarë që s’do lejonin që kjo të bëhej Cassus Belli në Ballkan për të nxitur konflikte në Ballkan. Ai nuk mund ta bëjë këtë si në një ishull të izoluar, pa pasur bashkëpunimin dhe mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.