Rusia i kërkoi të martën Iranit të mbetet “një palë përgjegjëse” e Traktatit të Mospërhapjes (NPT) pas deklaratave nga Teherani se kërkon të tërhiqet nga traktati bërthamor.
Duke folur me gazetarët gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska ka dëgjuar deklarata mbi mundësinë e tërheqjes së Teheranit nga NPT nga Ali Nikzad, nënkryetari i parlamentit iranian, dhe se këto komente kërkojnë sqarime të mëtejshme.
“Ne nuk do të donim që Irani të tërhiqej nga NPT-ja. Ne e konsiderojmë NPT-në si gurthemelin e regjimit të mospërhapjes. Dhe shpresojmë që Irani të mbetet një palë e rëndësishme dhe përgjegjëse e këtij traktati”, tha Peskov.
Komentet e zëdhënësit vijnë ndërsa mediat iraniane, raportuan të hënën se Nikzad tha se parlamenti i vendit do të shqyrtojë një mocion “të trefishtë urgjent” për t’u tërhequr nga NPT-ja.
Sipas raportimeve, Nikzad deklaroi se Teherani nuk ka besim te Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), si dhe te shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, sepse ai kryen “vetëm inspektime sipërfaqësore dhe paraqet raporte negative kundër Iranit”.
Ai u citua më tej të ketë thënë se mocioni është aktualisht në shqyrtim dhe do të diskutohet po atë ditë që do të paraqitet zyrtarisht, duke shtuar se parlamenti do të shqyrtojë gjithashtu implikimet ndërkombëtare të këtij veprimi.











