Kriza e pandemisë së Covid-19 ka ulur aktivitetin ekonomik dhe po prodhon më pak fitime edhe për sistemin bankar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë për tre muajt e parë të këtij viti, bankat fituan 13.8 milionë dollarë, kundrejt 50 milionë dollarëve të fituara në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fitimi në këtë periudhë është ulur 2.7 herë krahasuar me 2019-n, duke shënuar rezultatin më të dobët financiar që prej vitit 2013. Një nga arsyet kryesore të uljes së fitimeve është bërë shtyrja e pagesës së kësteve të kredisë për 3 muaj për individët dhe bizneset të cilët janë prekur nga pasojat e pandemisë, si dhe reduktimi i orëve të punës në banka për disa javë.
Pavarësisht rënies së fitimeve, kreditë me probleme mbetën në të njëjtat nivele 8.21%, me një rritje të lehtë gjatë marsit prej 0.03 pikësh përqindje. Në total vlera e kredive të shtyra në këtë periudhë arrin në 2 miliard euro, çka përbën afërsisht gjysmën e totalit të portofolit të huave në vend.
Banka e Shqipërisë ka njoftuar mundësinë e shtyrjes përtej këtij afati të pagesave të kredisë për disa sektorë të ekonomisë dhe ka siguruar se sistemi bankar në vend mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, ndërsa ka pezulluar tërheqjen e fitimit për bankat.
Në fund të Prillit, Fondi për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në banka u rrit me 6.5 milionë dollarë, duke shkuar në total 19 milionë dollarë. Ky mekanizëm i jep mundësi autoriteteve që të ndërhyjnë në momentin që institucionet financiare kanë nevoja për kapital dhe u lejon atyre blerjen e kredive të bankave në situata të jashtëzakonshme.
/a.r