Ekspozimi i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme arriti në 460 miliardë lekë ose rreth 4.75 miliardë euro në fund të vitit të kaluar.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me 15.6 % gjatë vitit 2025.
Gjatë vitit 2025, rritja më e shpejtë u shënua pikërisht në segmentin e individëve, ku portofoli u zgjerua me 16.7%, ndërsa në segmentin e bizneseve rritja e kredisë për pasuri të paluajtshme ishte pak më e ulët, në nivelin 14.3%.
Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme përbën më shumë se gjysmën e portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.
Në periudhën pas pandemisë, sektori bankar e ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Që nga fillimi i vitit 2020, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme është rritur me 122%.

Vlerësohet se kreditimi ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme. Por, nga ana tjetër, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më të zakonshëm, vetë prona e blerë me kredi). Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.
Sipas të dhënave më të fundit, të mesit të vitit 2025, kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zinin 46% të tepricës së kredisë ose rreth 61% të kredisë së kolateralizuar.
Duke filluar nga mesi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi të aplikojë kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave, duke u përpjekur të frenojë rritjen e huasë në segmentin e individëve.
Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është vendosur 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj kufiri i lejuar është 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këto masa synojnë ruajtjen e stabilitetit financiar, përballë rritjes së shpejtë të çmimeve të banesave, nëpërmjet ruajtjes së aftësisë paguese të kredimarrësve dhe cilësisë së ekspozimeve të sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme.
Gjithashtu, pikërisht për shkak të rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, Banka e Shqipërisë aplikoi vitin e kaluar për herë të parë një shtesë të posaçme në kërkesat për kapital ndaj sektorit bankar. Shtesa kundërciklike e kapitalit u vendos për herë të parë në nivelin 0.25% (për t’u zbatuar nga 30 qershor 2025) dhe u rri më tej në nivelin 0.5% (për t’u zbatuar nga 31 dhjetori 2025).
Megjithatë, deri tani efektet e masave kufizuese kanë qenë të pakta dhe kredia për prona vijoi rritjen me ritme dyshifrore edhe gjatë vitit 2025./ Marrë nga Monitor.al











