Partia Demokratike e Kosovës pozicionohet kundër propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kreu i kësaj force, Memli Krasniqi, vlerëson se ky draft nuk i përmbush objektivat e Kosovës.
“Pavarësisht që dokumenti franko-gjerman si propozim është dokument që më shumë bazohet në vlera, nuk flet në mënyrë konkrete për afate dhe për veprime që duhet t’i ndërmarrin dy palët dhe rrjedhimisht as emri asociacion nuk figuron aty, e vërteta është që në versionin e parë ky dokument e ka transformuar qasjen nga marrëveshje me njohje në qendër në marrëveshje me asociacion në qendër, kështu që po unë besoj që marrëveshja si e tillë e përfshin krijimin e asociacionit gjithsesi”, tha Krasniqi.
Sipas tij qeveria nuk duhet të pranoj një marrëveshje e cila nuk ka njohje të ndërsjelltë mes dy vendeve brenda saj.
“Çfarëdo marrëveshje e cila nuk e parasheh dhe nuk e arrin njohjen e ndërsjellë është marrëveshje që nuk e përfundon konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë dhe është marrëveshje e cila, siç thotë populli nuk kryen punë”.
Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur një plan me 5 pika, plotësimi i të cilave duhet të jetë i detyrueshëm për arritjen në marrëveshjen finale mes Prishtinës dhe Beogradit, ku më thelbësorja është ruajtja e karakterit unitar të Kosovës.
/a.r










