Ish-anëtari i KLD-së, Astrit Haxhialushi, është përjashtuar për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.
KPA la në fuqi vendimin e kaluar, për ish-gjyqtarin.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.7/2020, datë 05.02.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Astrit Haxhialushi, kundër vendimit nr. 225, datë 07.01.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 225, datë 07.01.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Astrit Haxhialushi.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
/a.r