Grupit Qeveritar i Punës për Strategjinë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare ka diskutuar për raportin vjetor 2014, strategjinë dhe planin e veprimit të rishikuar.
Sipas, zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, rezultatet e deritanishme të paraqitura në këtë raport janë inkurajuese për faktin se për herë të parë kemi një proces të kompletuar që fillon nga faza e inteligjencës e deri tek faza e zbatimit të ligjit.
Ai ka deklaruar se një përkushtim i shtuar dhe bashkëpunim i vazhdueshëm nga të gjithë aktorët është mëse i nevojshëm dhe thelbësor për të pasur një zbatim të suksesshëm të Strategjisë, e cila do të dërgonte sinjale pozitive tek investitorët ndërkombëtarë dhe donatorët, se Kosova është vend atraktiv dhe konkurrues për investime.
Për më tepër, nëpërmjet këtij raporti synohet ofrimi i informatave Qeverisë dhe kontribuuesve të tjerë në identifikimin e trendeve të reja të krimit dhe fenomeneve, si dhe praktikave të mira sa i përket parandalimit të ekonomisë joformale dhe krimit financiar.
Agjencitë përgjegjëse për grumbullimin e të ardhurave tatimore, sipas një komunikate të Ministrisë së Financave, kanë vazhduar me përforcimin e aktiviteteve të tyre duke hartuar plane të risqeve me qëllim identifikimin e fushave ku kemi shmangie nga detyrimet tatimore.
“Rezultatet e aktiviteteve në grumbullimin e të ardhurave tatimore kanë qenë inkurajuese. Ka rritje që nga viti 2008 kur të ardhurat tatimore ishin vetëm 805 milionë euro, ndërsa në vitin 2014 arritën në 1,141 milionë euro. Deri në qershor 2015 këto të ardhura shënuan rritje me rreth 7% në krahasim me periudhën 2014”, thuhet në komunikatë.