• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, March 13, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Kosovë/ Përgjigjet mohuese të Kurtit cenojnë marrëdhëniet me SHBA-në?!

by Java News
04/02/2022 21:58
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Moszbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, bllokimi me automatizëm i ideve dhe projekteve që kanë peshë gjeostrategjike, si dhe refuzimi i kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ana e Qeverisë së Kosovës, i lëndojnë dhe cenojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.

Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, projekti për Gazsjellësin Trans-Adriatik, si dhe mundësimi i organizimit të votimit për qytetarët serbë të Kosovës në referendumin e Serbisë për ndryshimet kushtetuese, janë në mesin e marrëveshjeve, sugjerimeve dhe ideve, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës që t’i zbatojë, porse kjo e fundit i ka refuzuar ose injoruar.

Hoti: Refuzimet apriori, të palogjikshme

Qeverisja e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, karakterizohet si qeverisje “me kujdes të tepruar” dhe kjo, siç thotë ai, ka bërë që autoritetet të jenë refuzuese ose dyshuese ndaj një numri të kërkesave amerikane, në raport me Kosovën.

Sipas Hotit, Qeveria aktuale, jo për të gjitha refuzimet është plotësisht fajtore, marrë parasysh se disa marrëveshje, sikurse ajo për Asociacionin, nuk janë zbatuar as nga qeveritë paraprake.

Për më shumë, thotë Hoti, Qeveria aktuale është shprehur edhe kundër Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila është arritur nën paraardhësin e Kurtit, Avdullah Hoti.

Për disa çështje, pavarësisht rekomandimeve nga zyrtarët amerikanë, Qeveria e Kosovës ka vepruar ndryshe, duke provuar që ta promovojë një diskurs të ri, thotë profesori Afrim Hoti.

“Këtu e kam fjalën për këtë ndalimin e mbajtjes së referendumit ose zhvillimet, të cilat në bërthamën e vet kanë dëmtimin e sovranitetit të shtetit – gjë për të cilën unë mendoj se Qeveria ishte në rrugë të drejtë. Por, jo edhe për një listë të tërë çështjesh, të cilat, sipas mendimit tim, refuzohen apriori, jo me ndonjë logjikë të fuqishme. Këtu flasim për Marrëveshjen [e Uashingtonit], e shtatorit të vitit 2020, dhe për procesin e gazit të amerikanëve, që janë interesa strategjike – që amerikanët i bëjnë për kosovarët dhe për partnerët tjerë në rajon – ndaj të cilave Qeveria jonë as nuk e ka dhe as nuk do ta ketë luksin që t’iu dalë kundër”, thotë Hoti.

Muhaxhiri: Mënyrë problematike e refuzimit

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, konsideron se të gjitha refuzimet që Qeveria e Kosovës i ka bërë deri më tash ndaj kërkesave amerikane, nuk kanë bazë në politikën, siç e quan ai, realiste dhe të dobishme.

Ai vlerëson se qasja refuzuese e Qeverisë aktuale ndaj kërkesave të SHBA-së, më shumë mund të jetë ndonjë ideologji e personalizuar e kryeministrit Kurti, apo ndonjë plan për të dëshmuar një fuqi politike ndryshe dhe një pushtet të një kategorie tjetër, në raport me liderët tjerë politikë të vendit.

Përveç refuzimit të Asociacionit, sipas tij, Qeveria refuzon edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, e sidomos pikën që bën fjalë për projektin që asokohe quhej mini-Schengen dhe që sot quhet “Ballkani i Hapur”, si dhe pikën që ka të bëjë me Liqenin e Ujmanit.

Muhaxhiri konsideron që “nuk ka asnjë logjikë që të refuzohen kaq shumë ide apo plane amerikane për Kosovën dhe për rajonin”.

“Problemi është te mënyra e refuzimit. Qeveria e Kosovës ka të drejtë absolute që të sfidojë deri në një masë, duke dhënë opsione të tjera për marrëveshjet, por jo duke refuzuar edhe diskutimin për to. Pra, nëse Qeveria e Kosovës mendon që ‘Ballkani i Hapur’ është ide e dëmshme, atëherë mund ta minimizojë skajshmërisht pjesëmarrjen në të dhe jo ta konsiderojë si një projekt të dëmshëm që e cenon shtetësinë e Kosovës, sepse kjo nuk është e vërtetë”, thotë Muhaxhiri.

Qeveria e “e kujdesshme” ndaj formimit të Asociacioni

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është refuzuar nga Qeveria aktuale e Kosovës, vlerësohet si shkaku kryesor për ngecjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Qysh në qershor të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik”, ka thënë ai.

Zbatimi i marrëveshjes për formimin e këtij asociacioni ka qenë edhe një nga rekomandimet që i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ia ka bërë Qeverisë së Kosovës, gjatë vizitës triditëshe në Kosovë, që ka nisur më 31 janar, bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më 2 shkurt, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova nuk frikësohet për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, porse Qeveria e tij është “e kujdesshme” dhe “mbron interesat e vendit”.

Kundër Marrëveshjes e Uashingtonit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, më 26 janar, ka thënë se SHBA-ja pret angazhim nga Kosova dhe Serbia për të zbatuar Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila është nënshkruar më 4 shtator, 2020.

Pas disa muajsh diskutime me përfaqësuesit e MCC-së, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, më 30 shtator, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë. Sipas ministres Rizvanolli, sikur të përdorej gazi për prodhim të energjisë, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorë do të rritej për dy herë më shumë.

Referendumi dhe zgjedhjet e Serbisë

Më 16 janar, në Serbi është mbajtur referendumi për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësinë. Përkundër kërkesës së ambasadorëve të vendeve perëndimore, përfshirë edhe ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që të organizohet hapja e vendvotimeve në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, lidhur me këtë referendum.

Qeveria ka thënë se qytetarët serbë, që kanë shtetësi të Serbisë, mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Për më shumë, më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës ka shprehur kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votimet për referendumin e shtetit të Serbisë.

Më 17 janar, Mimoza Kusari- Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lider i së cilës është kryeministri Kurti, ka thënë se “votimi i serbëve të Kosovës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, të cilat pritet të mbahen më 3 prill, do të duhej të bëhej në të njëjtën mënyrë sikurse në rastin e referendumit për ndryshimet kushtetuese të Serbisë, i cili është mbajtur më 16 janar”.

Prona e Manastirit të Deçanit

Qeveria aktuale e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Kurti, ngjashëm me qeveritë paraprake të vendit, nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, me të cilin Manastirit të Deçanit i është njohur e drejta e pronës mbi 24 hektarë tokë dhe mal.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe shtete të tjera perëndimore në vazhdimësi kanë kërkuar që ekzekutivi ta zbatojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Më 30 nëntor, shtetet e Quint-it – SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia – kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me moszbatimin e vendimit, duke thënë se mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, minon zotimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e gjyqësorit të pavarur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 4 shkurt, 2022, ka thënë se Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor, sepse është pjesë e Kishës Ortodokse Serbe dhe “është pak e habitshme se si i është njohur e drejta e palës në procedurë, aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces”.

“Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese besoj që nuk është dashur të marrë vendim për një çështje, pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera”, ka thënë Kurti.

“Të kihet kujdes për raportet me SHBA-në”

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës duhet të jetë mjaft e vëmendshme në raportet me SHBA-në, por edhe ndaj kërkesave dhe sugjerimeve të administratës dhe zyrtarëve amerikanë.

“Ajo që është jetike – dhe mendoj se ky nuk është rasti vetëm me Qeverinë aktuale, por edhe me ato paraprake – në çfarëdo varianti, është raporti, si dhe marrëdhëniet e ngushta diplomatike me SHBA-në duhet të mbeten prioritet”, thekson Hoti.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe Artan Muhaxhiri. Sipas tij, SHBA-ja është dhe mbetet aleati kryesor i Kosovës, si dhe shtyllë e shtetit të Kosovës.

“Unë nuk e kuptoj se si mund të thotë kryeministri Kurti që ‘marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së nuk kanë qenë kurrë më të mira’, kur realisht dhe me statistika, asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë refuzime të institucioneve të Kosovës, në raport me idetë dhe planet amerikane për rajonin”, vlerëson Muhaxhiri.

Rreth dy muaj më parë, kryeministri Kurti, në një intervistë për një medium në Kosovë, ka deklaruar se “partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i palëkundshëm”.

“Është diçka përtej brezit tonë, ka nisur më herët dhe do të vazhdojë pas nesh”, ka thënë Kurti./REL

Next Post
Big Brother/ Nuk mbaron sherri Einxhel me Donaldin: Je shumë e ulët!

Big Brother/ Nuk mbaron sherri Einxhel me Donaldin: Je shumë e ulët!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Analiza/ Pse heshtën amerikanët për Belinda Ballukun?

Analiza/ Pse heshtën amerikanët për Belinda Ballukun?

March 12, 2026
“SPAK është pasuri kombëtare”, deputeti i PS-së u përgjigjet ambasadave pas reagimeve për imunitetin e Ballukut

“SPAK është pasuri kombëtare”, deputeti i PS-së u përgjigjet ambasadave pas reagimeve për imunitetin e Ballukut

March 12, 2026
“Mos shfrytëzoni krizën rajonale”, Turqia paralajmëron Greqinë për aktivitetet ushtarake në Egje

“Mos shfrytëzoni krizën rajonale”, Turqia paralajmëron Greqinë për aktivitetet ushtarake në Egje

March 12, 2026
Alarm nga Uashingtoni/ Kongresmenë e senatorë i shkruajnë Rubios: Mos reduktoni trupat në Kosovë

Alarm nga Uashingtoni/ Kongresmenë e senatorë i shkruajnë Rubios: Mos reduktoni trupat në Kosovë

March 12, 2026
“Shtëpitë e barit” në Shkodër përplasin policinë me OSHEE-në: Po prangosen punonjësit në çdo aksion

“Shtëpitë e barit” në Shkodër përplasin policinë me OSHEE-në: Po prangosen punonjësit në çdo aksion

March 12, 2026
Përfshihet nga flakët një banesë në Tiranë, humb jetën 72-vjeçari

Përfshihet nga flakët një banesë në Tiranë, humb jetën 72-vjeçari

March 12, 2026
Kriza pas luftës në Iran, Italia do përdorë gati 10 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës

Kriza pas luftës në Iran, Italia do përdorë gati 10 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës

March 12, 2026
Takimi i ambasadores së SHBA në Athinë me Ramën në Kryeministri, Dritan Hila: Përcolli një mesazh

Takimi i ambasadores së SHBA në Athinë me Ramën në Kryeministri, Dritan Hila: Përcolli një mesazh

March 12, 2026
Ambasadorët, Europa dhe komunizmi që nuk e pamë kurrë

Ambasadorët, Europa dhe komunizmi që nuk e pamë kurrë

March 12, 2026
Boçi: Ndërkombëtarët na kërkuan një protestë të qetë për t’i dhënë vëmendje vendimit absurd për Ballukun

Boçi: Ndërkombëtarët na kërkuan një protestë të qetë për t’i dhënë vëmendje vendimit absurd për Ballukun

March 12, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In