Nga Vedat Xhymshiti
Pavarësisht nga dallimet ideologjike në sistemet e ndryshme socio-politike të botës, liria e shtypit është një zgjerim logjik i njeriut për lirinë e patjetërsueshme të shprehjes. Liria e shprehjes në mënyrë ideale është e garantuar me Nenin 19 të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, ndërsa cënuesit e saj janë të sanksionuar me Kushtetutë pothuajse në të gjitha vendet.
Nën thundrën e sistemit autoritar të kohës, e vërteta nuk ishte konceptuar të jetë produkt i masës së madhe të njerëzve, por i një mase të vogël njerëzish të pretenduar si të mençur për të cilët mendohej se ishin në gjendje që të drejtonin dhe diktonin drejtpërdrejtë mendimet e shoqërisë. Kështu, ‘e vërteta’ – ishte menduar të jetë e përqendruar afër qendrës së pushtetit. Pra shtypi kishte funksionuar nga lart poshtë, pasi krerët e kohës përdornin shtypin për të informuar njerëzit se çfarë mendonin sundimtarët duke diktuar kështu jetët e tyre – (Siebert al., 1956), gjendje e njohur kjo për ne shqiptarët në Kosovë, tash e gjashtëmbëdhjetë vjet.
Monarku ose Qeveria kishte fuqi absolute të kontrollit mbi pronësinë dhe përmbajtjen e veglave të komunikimit masiv. Kritika ndaj makinerisë politike dhe zyrtarëve në pushtet me anë të masmedias ishte e ndaluar dhe shtypi në atë kohë ka ekzistuar kryesisht për të mbështetur dhe për të çuar përpara politikat e qeverisë në pushtet (Siebert., 1956.) dhe për këtë arsye nuk kishte liri të shtypit.
Me përmbysjen e autoritarizmit monarkik në Britani të Madhe në vitin 1688, vendin filluan ta udhëheqnin Libertarianët me një sistem të lirë politik dhe të medias, kështu sistemi ishte ndërtuar me konceptin e lirisë së shtypit.
Në vitin 1956 tre profesorët e komunikimit Fred S. Siebert, Theodore Peterson dhe Wilbur Schramm, nxorën katër teoritë e shtypit, të cilat morën një rrugë të gjatë në krijimin e një tipologjie në mendjet e edukatorëve të gazetarisë dhe studentëve. Në mes tjerash këto teori shpjegojnë se njeriu nuk mund të konceptohet si një qenie e varur [siç ishte në sistemin autoritar!] për t’u udhëhequr dhe drejtuar, por më tepër si një qenie racionale duke qenë në gjendje të dallojë të vërtetën dhe të pavërtetën, në mes të një të mire, të keqe dhe asaj që njihet si alternativë. E vërteta nuk është më e konceptuar si pronë e pushtetit. Në fakt e drejta për të kërkuar për të vërtetën është një nga të drejtat e patjetërsueshme natyrore të njeriut, dhe Shtypi është i konceptuar si një partner i shoqërisë njerëzore në kërkim për të vërtetën.
Çfarë po ndodh në Kosovë?
Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare janë akuzuar ose linçuar shpesh për “tradhëti” – “simpatizantë serbë” ose “spiunë”. Mediat, që nuk bëjnë pjesë në mbrojtjen e interesave të ngushta qofshin ato qeveritare apo partiake, mund t’i nënshtrohet frikësimit në formën e inspektimeve financiare ose tatimore, vlerësojnë Reporterët Pa Kufij me Seli në Paris.
Derisa Kushtetuta e Kosovës dhe kuadri ligjor sigurojnë lirinë e shprehjes dhe të shtypit, ambienti i mediave në Kosovë vazhdon të ndikohet nga ndërhyrjet politike, korrupsioni dhe presioni financiar. Mungesa konkrete e vullnetit të personelit mediatik në vend dhe ajo e mbështetjes ndërkombëtare për zbatimin e neneve ligjore, është seriozisht duke e penguar çdo përpjekje apo qëllim për të përmirësuar demokracinë dhe mbrojtur të drejtat politike e civile në vendin më të izoluar në Evropë, të rrethuar me kodra e male. Forcat ndërkombëtare civile, politike, policore, të drejtësisë dhe ushtarake, kanë dështuar të sigurojnë liritë civile, politike dhe lirinë e lëvizjes [kujto bregun verior të Kosovë!] për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët institucional, politikë e civil.
Kualiteti i të raportuarit, qasja ndaj etikës profesionale, mosrespektimi i të drejtës së qytetarit për ankesë ndaj shkrimeve të pa manipulative të [disa!] gazetarëve në vend dhe ndërhyrja e vazhdueshme e politikës së huaj, qoftë me sulm ndaj lirisë së shtypit, apo edhe nëpërmjet nderimit të ndonjë kryeredaktori për interesat e agjendave politike të shteteve, apo edhe dhënia e çmimeve të gazetarisë po nga politikanët e huaj që e kanë cënuar lirinë e shtypit në vend, janë fakte dëshpëruese të cilat tregojnë se gazetaria është duke u rrezikuar nga vetë [disa!] prej ‘gazetarëve’ në Kosovë.
Dhuna ndaj lirisë së medias ishte shpërfaqur herët rreth ‘këmbëve’ të ish kreut të kryengritësve tani Presidentit të vendit Hashim Thaçi, i cili njihet me nofkën e luftës ‘Gjarpëri’. Në qershor të vitit 1997, në një incident që shumë individ në lëvizjen guerile e identifikojnë si një ‘ogurzi’, një gazetar shqiptar nga Kosova, i cili kishte lidhje të ngushta me lëvizjen ishte gjetur i vdekur në banesën e tij në Tiranë.
“Fytyra e tij ishte shëmtuar nga therjet e përsëritura me një kaçavidë dhe në fund të prapanicës i ishte vënë një shishe e thyer” raporton The New York Times. Reporteri Ali Uka, ishte përkrahës i lëvizjes kryengritëse, por ai ishte gjithashtu mjaftueshëm i pavarur sa për të kritikuar kryengritjen. Në kohën e vdekjes së tij, ai po bashkëjetonte në një apartament me Hashim Thaçin.
Raportet e ndryshme ndërkombëtare evidentojnë se tradita e nisur nga Presidenti Hashim Thaçi, për ta cënuar lirinë e shprehjes së mendimit të lirë politik dhe të drejtës civile është goditur me grykë të pushkës. Dhjetëra aktivistë partiak, mbi 5 gazetar shqiptarë dhe tre të huaj evidentohet të jenë qëlluar me armë zjarri. Gazetarët shqiptarë Enver Maloku, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, gjermanët Volker Kraemer dhe Gabriel Gruener, gazetari serb i RTP-së ishte qëlluar me armë zjarri poashtu për vdekje në oborrin e shtëpisë së tij, ndërkohë që Marjan Melanosi gazetar i Radio Televizionit Publik të Kosovës, raportohet të jetë rrëmbyer në mbrëmjen e nëntë shtatorit të vitit 2000, gazetarja Fatmire Terdeci, e cila ishte shtatzënë kur ishte sulmuar me armë zjarri, është thuaja e vetmja viktimë që kishte shpëtuar nga dhuna e kriminelëve të pandëshkuar në Kosovë, të cilët sot e asaj dite kërcënojnë lirinë e shtypit, të shprehjes dhe jetën e gazetarëve në vend, siç raportojnë Komiteti Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve CPJ, Reporterët Pa Kufij dhe raporte të ndryshme të OSBE-së, OKB-së, duke përshirë edhe evidentimet që i ka bërë avokati Britanik i të Drejtës Humanitare William G. O’Neill në librin e tij ‘Kosova një Paqe e Papërfunduar’. Më 30 janar 2013, Hamdi Sopa, një zyrtar për shtyp i qeverisë “Thaçi II” u hodh nga një ndërtesë në Prishtinë, kjo ishte edhe një vrasje e dyshuar, e cila u raportua si ‘vetëvrasje’ pavarësisht nga fakti se Sopa është goditur me thikë dhe më pas hedhur nga kati i tetë i Ballkonit, siç pohonin raportet e mediave vendore.
Vdekja e fundit e një anëtari mediatik në Kosovë është shënuar në tetorin e vitit 2015. Emin Rexhepi; një radio gazetar, i cili ka punuar për transmetuesin kombëtar të vendit “Radio Kosova”, është raportuar të ketë vdekur në rrethana të panjohura siç shkruanin mediat në vend, por autoritetet pretendojnë se ai kishte bërë vetëvrajse duke u hedhur nga ballkoni, ‘një natyrë e vdekjes’ kjo e njohur për shumë vrasje në Kosovë. Shoqata e Gazetarëve [AGK] u bëri thirrje autoriteteve për të hetuar çështjen, por AGK me kaq është ndalur gjithnjë, e shpesh here ata nuk kanë shkruar as edhe një shkronjë, sidomos kur bëhet fjalë për konfliktin tim profesional, i cili është pasojë e përfshirjes sime në hulumtimin e temës së terrorizmit ku në vitin 2015 ambasada e SHBA-ve në Shkup refuzon kërkesën time për vizë hyrëse, duke pretenduar në një mendim kontravers dhe anti-demokratik se unë dyshohem për pjesëmarrje në aktivitete terrorizmi, anipse unë jam i njohur nga raporti i tyre për të drejtat dhe liritë njerëzore si një viktimë e kriminelëve të pandëshkuar në Kosovë. E veq kësaj, unë jam në një betejë ligjore me qeverinë në vend lidhur me sulmin e 14 janarit 2012.
Përpjekjet për t’i frikësuar, krijuar rrethana shantazhuese dhe për t’i likuiduar fizikisht gazetarët nuk janë ndalur asnjëhere në Kosovën e pasluftës, pavarësisht prezencës së mekanizmave civil, politik, gjyqësor, policorë e ushtarakë ndërkombëtarë për zbatimin e rendit ligjor.
Në një raport të vitit 2014 të publikuar nga Misioni i OSBE-së lidhur me lirinë e medias në Kosovë, thuhet se: “Legjislacioni është miratuar ose ndryshuar në vitet e fundit, por zbatimi mbetet një problem. Ka raporte se gazetarët janë kërcënuar dhe frikësuar dhe në disa raste ata janë sulmuar fizikisht. Gjyqësori deri më tani ka qenë i ngadalshëm në trajtimin e rasteve të tilla.”
Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, ai në vitin 2009 deri tek ai i vitit 2015, kanë qenë kritike të gjendjes së lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve, duke dëshmuar se liritë e Shtypit nuk janë të garantuara dhe se kuadri institucional nuk është funksional në mbrojtje të tyre. Për shkak të dështimit të institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për t’iu përgjigjur thirrjeve të Këshillit Evropian për të mbrojtur gazetarët, dhe rritjen e dhunës kundër personelit mediatik në vend, në fund të shtatorit të vitit 2015 – OSBE, mandati i të cilit është që të promovojë demokracinë dhe liritë e shtypit dhe të shprehjes, së bashku me Shoqatën gazetarëve të vendit kanë ofruar për gazetarët një linjë telefonike falas për të raportuar kërcënimet, frikësimin apo sulmet e bëra kundër tyre, kjo tregon se liria e shtypit në Kosovë vazhdon të rritet në një gjendje alarmuese, prandaj një trup i huaj politik dhe civil është detyruar për të marrë një hap të tillë.
Mënyrat dhe format e presionit ndaj lirisë së medias nuk kanë të ndalur, ato sa vijnë e shtohen derisa asociacioni kombëtar i gazetarëve në Prishtinë është tejet i dobët për shkak të mungesës së gatishmërisë për të vepruar në mbrojtje të lirisë së shtypit. Dikur Kosova renditej e 80-ta nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij, por shtypja e dhunshme institucionale ndaj gazetarëve në vazhdimësi është duke e thelluar vendin nga viti-në-vit për ta sjellur atë dhjetë vende më poshtë, e 90-ta për këtë vit.
Liria e shprehjes në Kosovë është ende e shtypur nga pesha e dhunës që vjen si pasojë e sundimit të kryekomandantëve të krimit në vend. Kosovarët mund të jenë talentët e rendit më të lartë botëror, por për ata, duket sikur nuk ka rrugë të hapur për të përparuar. Me sa duket tani për tani ata nuk mund të shpresojnë për të arritur këto privilegje, derisa liritë e tyre të përditshme mbeten të lidhura me zinxhirin e krimit që po lulëzon i pandëshkuar në Kosovë, vendin e vlerësuar si foleja e të gjitha simptomave më të këqija të Ballkanit.
Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent lufte i pavarur, me qëndrim në Londër. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina ‘2.0’ në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net